E Shtunë, 31 Tetor 2026

KORRUPSIONI EULEX hetime në Kosovë edhe për 6 ministri

Autori i Lajmit: Redaksia

Policë të EULEX-it mund të shihen pas pak kohe edhe ne dyert e ministrive të tjera të qeverisë. Mediat kosovare bëjnë të ditur se EULEX-i do të hetojë edhe gjashtë ministra ose ish-ministra, nga dy prej tri partive kryesore të vendit, PDK, LDK dhe AAK, për keqpërdorime që janë bërë në periudha të ndryshme. Tenderët e shkollave në dy vjetët e fundit do të dërgojnë hetuesit në Ministrinë e Arsimit. Arsyet pse EULEX- do të mësyjnë dyert e asaj të Shëndetësisë janë disa miliona euro që i janë dhënë një firme, pa u kryer të gjitha procedurat ligjore, gjë kjo që u bë gjatë kohës së menaxhimit këtu para riformatizimit të qeverisë Thaçi. Nuk do të kursehet as Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Çështjet që kanë të bëjnë me naftën, cilësinë e saj dhe licencat e shitjes, do të jenë interes i investiguesve. Në të do të hetohet edhe për kohën e qeverisjes nga koalicioni AAK-LDK por edhe nga ky i tashmi, PDK-LDK.
Hetimi
Auditivi i buxhetit do të jetë arsyeja pse do të ekzaminohet ministria e ambientit, për periudhën kur në pushtet ishte koalicioni LDK-AAK. As ministria e Ekonomisë dhe Financave nuk do të anashkalohet, ndonëse fokusi i hetimeve këtu është jashtë fushës që mbulon ky dikaster.
mediat bëjnë gjithashtu me dije se EULEX-i ka vënë nën lupë edhe një ish-ministër serb, që pati qëndruar në qeveri para pesë-gjashtë vjetësh, ndërsa nuk dihet si do të procedohet me hetimet ndaj tre personave nga veriu i Kosovës. Kryeprokurori i EULEX-it, Johannes-Van-Vreesëijk ka thënë ditë më parë se EULEX-i nuk do të kufizojë hetimet për korrupsion vetëm në Ministrinë e Transportit. Ai ka bërë me dije se cak i hetimeve nuk janë vetëm ministritë që udhëhiqen nga PDK-ja.
Limaj
Vetëm pak ditë më parë hetuesit e EULEX kanë bastisur Ministrinë e Transporeteve dhe banesën e ministrit Fatmir Limaj, i cili akuzohet për shpërdorimin e 80 milionë eurove. Hetimet për Ministrinë e Transporteve duket se nuk kanë qenë aq të lehta pasi zyrtarë të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës kanë fshehur prova materiale në ditën e bastisjes së kësaj ministrie nga hetues të EULEX-it. Këto burime kanë theksuar se në serverin e konfiskuar (të kësaj ministrie) gjatë bastisjes së EULEX-it kanë qenë të fshira të dhënat. Sipas këtyre burimeve, ky server i konfiskuar nuk ka pasur asnjë të dhënë brenda. Por ekspertët e EULEX-it po bëjnë përpjekje që ta kthejnë materialin në të, siç ka qenë, dhe kanë shtuar se një gjë e tillë nuk është aq e vështirë. Një zyrtar i lartë ndërkombëtar, i afërt me procesin hetimor ka thënë në kushte anonimiteti se fshirja e serverit nuk i dëmton aq shumë hetimet, por tregon se sa serioz është “bashkëpunimi që është proklamuar nga qeveritarët”.

Ky lajm është publikuar: 12/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›