E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH Rritet numri i të siguruarve, 251 mijë receta me rimbursim

Autori i Lajmit: Entela Duraj

Vetëm në tre muaj rritet ndjeshëm numri i pacientëve të siguruar, të cilët do të mund të përfitojnë vizita falas në spitale. Për më tepër edhe numri i vizitave te mjeku i familjes është rritur me 160 mijë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, çka ju lë hapësirë bluzave të bardha për të përfituar bonus nga performanca në punë. Ndërkohë janë trajtuar me receta me rimbursim edhe 251,518 pacientë. Sipas të dhënave nga ISKSH, tremujori i parë i vitit 2010 ka sjellë një rritje të konsiderueshme të përdorimit të skemës së sigurimeve shëndetësore së cilës i janë shtuar 153 mijë persona. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Administrativ të ISKSH-së, drejtoresha e Përgjithshme, Elvana Hana pasqyroi të dhënat e rritjes së skemës së sigurimeve dhe pajisjes së personave me librezë shëndetësore. “Gjate tre mujorit të parë të 2010-ës janë pajisur për herë të parë me librezë shëndeti 153.050 të siguruar, ndërkohë që në tremujorin e parë të 2009-ës u pajisën 82,043 persona. Pra gjatë tremujorit të parë 2010 janë pajisur me librezë shëndeti 71,007 të siguruar më shumë se gjatë tremujorit të parë të 2009-ës (ose 86 % më shumë)”, u shpreh në mbledhjen e Këshillit Administrativ drejtoresha e ISKSH-së. Sa i takon përfitimeve nga skema e sigurimeve gjatë tremujorit të parë të 2010-ës nga mjekët e familjes dhe qendrat shëndetësore të kujdesit parësor janë trajtuar me receta me rimbursim 251,518 pacientë; janë kryer 1,415, 003 vizita dhe për pacientët e siguruar janë plotësuar 804,473 receta me rimbursim. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009 ka një rritje prej mbi 160 mijë vizita më shumë. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, gjatë 3 mujorit të parë të vitit ka një rritje në vlerë rimbursimi prej 22 % më shumë (në vlerë absolute për 256 milionë lekë) krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2009.

Ky lajm është publikuar: 12/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›