E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista Kreu i PLD-së, Spartak Ngjela: “Ne jemi në rrugë drejt finales”

Autori i Lajmit: Lorena Killo

Gjatë një interviste për gazetën “Ballkan”, kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, një nga aleatët e PS-së, u shpreh se greva e urisë është një rrugë e drejtë që opozita po ndjek dhe shumë shpejt do ti jepet fund kësaj krize që ka pothuajse 9 muaj që ka pllakosur Shqipërinë. “Zgjidhje do të ketë vetëm në rast se do të shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme”, - është shprehur ai. Sipas tij, mënyra e vetme për të dalë nga kjo krizë është ose hapja e kutive, ose zgjedhje të parakohshme. Ai ka komentuar lidhur me qëndrimin e tij si aleat si dhe me situatën më të fundit në vend.

Greva e urisë dhe protesta po e çon drejt rrugës së drejtë PS-në dhe aleatët?
Ne jemi në një rrugë të drejtë. Shërbëtorët e tiranisë po i shërbejnë tiranisë së re. Ne skemi pyetur për realizmin socialist. Satrapët kanë qeshur me grevat e urisë, po nuk kanë pasur popull ti mbështesë. Le të tallet me ju, po tia mbajë! Këta janë njerëz që adhurojnë lirinë, kemi 40 vjet që po e presim këtë ditë. Ne jemi të vendosur deri në fund. Kjo valë popullore është si ortek, si uragan. Dua të përshëndes të 200 grevistët të ecim përpara me këtë llavë të madhe. Ku ska protestë, nuk ka Evropë. Le çthotë ky satrap lindor. Unë kam qenë me studentët e dhjetorit. Menduam se luftuam për demokraci, por tinëzisht këtë na e vodhi komunisti i fundit, Sali Berisha. Mendoj se ka ardhur koha të mblidhemi të gjithë ti japim shoqërisë vlerën e madhe të humanizmit, greva e urisë do humanizëm.

Mendoni se me strategjinë që po ndjek Partia Socialiste, Berisha e ka të garantuar mandatin deri në 2013-ën?
Çështja është që kjo pyetje më duket sikur është ndërtuar si konkluzion. Megjithatë, nuk ka asnjë gjë të garantuar, përkundrazi, është një gjendje e rëndë ekonomike kjo që kemi përpara, sepse është një krizë politike e cila ka bllokuar reformat. Në të njëjtën kohë, kriza shqiptare sot ka edhe një jehonë ndërkombëtare, por, ndërkaq, po pritet një protestë e madhe në datën 14 maj në Tiranë. Të gjitha këto bëhen për ta rrëzuar qeverinë dhe jo për të garantuar qeverinë. Unë mendoj që protestat e nisura dhe greva e urisë së dhe që do konkludohen me protestën e datës 14 maj, mund të krijojnë një fenomen të ri në Shqipëri në funksion të zgjedhjeve të reja. Çdo krizë në demokraci, zgjidhet me rotacion, që do të thotë me anë të zgjedhjeve të reja. Ja, kjo është veprimtaria e opozitës, e cila, nuk e garanton qeverinë Berisha, por e rrëzon atë.

Sidoqoftë, në opinion, mendoni se opozita po ndjek një strategji të gabuar. Shumë pak mendojnë se do të zbardhet e vërteta e 28 Qershorit?
Fakti që e vërteta mbahet e mbyllur, kuptohet që opinioni publik e ka kuptuar që zgjedhjet janë të manipuluara. Nuk ma do mendja që të ketë njeri që nuk di se në Shqipëri zgjedhjet e 28 Qershorit kanë qenë të manipuluara. Të gjithë bëjnë sikur nuk e dinë, edhe forcat politike të djathta edhe ato që janë në pushtet edhe ato që sjanë në pushtet, edhe qeveria dhe populli, që të gjithë e dinë që zgjedhjet janë të manipuluara. Ashtu sikurse e dinë që kemi një kryeministër kokëfortë që është kapur me sendin e vjedhur dhe nuk hap rrugë për ta akuzuar. Të gjitha këto natyrisht që konvergojnë në një pikë: te kriza aktuale. Një qeveri që nuk zgjidh dot një krizë shoqërore, është e detyruar të largohet: kjo është logjika e sendeve, kjo është logjika e gjërave, nuk ka logjikë tjetër. Do të largohet apo nuk do të largohet ky Kryeministër? Sa më shumë ta zgjasë në pushtet aq më rëndë do të jetë për njerëzit, sepse pritet që kriza aktuale të shkojë deri në ekstrem. Pyetja është kjo: kjo qeveri e nxjerr dot vendin nga kriza aktuale? Është e pamundur. Prandaj, logjikisht duhet të largohet.
Jemi në një vit të rëndësishëm për liberalizimin e vizave, kjo rezistencë e opozitës as jashtë dhe as brenda Parlamentit. Mendoni se kjo situatë e pengon procesin?
Këtu ngrihet një pyetje tjetër: për çfarë arsye nuk janë liberalizuar vizat deri tani? Dhe kjo do një përgjigje. E kanë marrë statusin e liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian: Bosnja, Maqedonia, Mal i Zi dhe Serbia; kurse Shqipëria jo. Por pikërisht këtu lind natyrshëm kjo pyetje: Po Shqipëria pse nuk e mori këtë status? Shqipëria nuk e mori, sepse nuk pranohet Sali Berisha, i cili ka konflikt me SHBA-në dhe këtë e kuptojnë të gjithë; dhe kjo, sepse është i dyshimtë në luftën kudër terrorizmit. Kjo në fakt është gjendja e rëndë që po e vuan populli. Prapë nuk do të kemi viza; dhe këtë mbajeni mend nga unë. Kurrë nuk do të kemi mundësi të hapemi me Perëndimin me këtë kryeministër.

Po flitet vazhdimisht për zgjedhje të parakohshme, kur i mendoni ato?
Edhe unë për zgjedhje të parakohshme kam folur. Është mundësia e vetme për të dalë nga kjo krizë. Është rotacioni i pushteteve. Në rast se një qeveri, një kryeministër nuk kupton që kriza mund të shmanget vetëm me anë të rotacionit, është jashtë kësaj kohe dhe nuk e do popullin e vet. Kurse rotacionet bëhen përmes zgjedhjeve të reja. Kjo jona është tirani, prandaj dhe jemi në këtë gjendje të rëndë, se po të ishte demokraci, menjëherë do të ishin bërë zgjedhjet që para tre muajsh. Por kjo është tirani dhe si tirani nuk merr përsipër përgjegjësi ndaj popullit.

Mendoni se tryeza e Topit për dialog do të jetë një zgjidhje?
Takimi i dy liderëve në Presidence ishte progres, por tryeza nuk zgjidhi gjë. E drejta jonë për transparencë të zgjedhjeve përmes komisionit hetimor parlamentar është shkelur, kështu që vetëm me protesta ose zgjedhje të parakohshme kemi zgjidhje.

Ylli: “Krizën po e zhyt heshtja e Kryeministrit”
Protesta e djeshme e radhës është hapur nga deputeti Fidel Ylli i cili deklaroi se “jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund kauzës së nisur nga PS”. Ylli theksoi, ndër të tjera, se me mosreagimin e tij kryeministri Berisha po thellon krizën. “I zhytur mes mungesës së arsyes Berisha vazhdon ta bëjë më të thellë këtë krizë. Ne vijmë këtu më të bashkuar se kurrë, jemi për të kthyer malin e dëshpërimit në një botë më të mirë për shqiptarët”, - nënvizoi Fidel Ylli.

Dule: “Greva e urisë si guri i provës për politikën”
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, e quajti grevën e urisë si gurin e provës për politikën dhe politikanët e vendit. “Ky gur na ka ndarë për 11 ditë në 2 kategori: politikanë që duan të shikojnë votat dhe në politikanë që duan të mbajnë peng të ardhmen e vendit. Ky gur prove i grevës së kolegëve dhe mbështetësve ka vënë nga njëra anë ata që duan reforma evropiane dhe nga ana tjetër ka rreshtuar politikanët që duan të mbajnë peng shtetin e së drejtës”, - theksoi Dule, ndërsa tha se kjo grevë ka bashkur popullin.

Gjinushi: “Protestë, derisa të na dorëzoni votën”
“Përshëndetje dhe brohoritje për 200 heronjtë tanë”, me këtë fjali e ka nisur fjalimin e tij para Kryeministrisë Skënder Gjinushi, kreu i PSD-së. Duke deklaruar se kriza që ka kapluar realitetin shqiptar mban emrin e Sali Berishës, Gjinushi theksoi se protesta do të vazhdojë deri në dorëzimin e votës së lirë. “Ne do ta vazhdojmë protestën deri në dorëzimin e votës së lirë, kriza ka vetëm një emër, Sali Berisha, i cili duhet të largohet si shkaktar i krizës së Shqipërisë”.

Sipas Gjinushit, Evropa do ta pranojë Shqipërinë kur të mos ketë korrupsion. “Evropa është me ju, Evropa duhet të jetë me ju, për një qeveri pa korrupsion. BE është bashkimi i qeverive pa korrupsion, prandaj do ta pranojë Shqipërinë kur të jetë e tillë”, - nënvizoi Gjinushi.
Ky lajm është publikuar: 12/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›