E Diel, 1 Nëntor 2026

Aurela Anastasi: Në 6 mars mbaron afati për mandatet

Konstitucionalistja e njohur, Aurela Anastasi, është shprehur për “Alsat” se mandati i deputetëve të opozitës mbaron në datën 6 mars. Profesoresha e njohur e së drejtës kushtetuese ka argumentuar se me përfundimin e afatit kushtetues të shprehur në nenin 71 të Kushtetutës, deputetët që nuk kanë bërë betimin humbasin mandatin e tyre. Duke qëndruar tek ky nen, Anastasi është shprehur se Kushtetuta e ka përcaktuar qartë dhe në rast se deputetët e opozitës nuk do të paraqiten në Kuvend para afatit, ata do të humbasin mandatin e tyre. Sipas konstitucionalistes së njohur, kjo çështje nuk ka asnjë pikëpyetje juridike, por ajo e sheh zgjidhjen tek politika. Anastasi tha se e njëjta situatë mund të ndodhë edhe me deputetët që fitojnë mandatin nga zbritja e listës, nëse deputetët aktualë refuzojnë të shkojnë në Kuvend. “Ky sistem zgjedhor nuk parashikon as zgjedhje të pjesshme, prandaj Kuvendi do të mbetej i paaftë për të shprehur fuqinë e tij përfaqësuese”, - ka thënë Anastasi. Duke qëndruar tek e njëjta pikë, konstitucionalistja e njohur ka argumentuar se nëse do të ndiqej procedura e parashikuar në Kodin Zgjedhor, mandatet i përkasin përsëri opozitës, por mund të lind përsëri problemi i mosparaqitjes së tyre në Kuvend. “Nëse Kuvendi do të vendoste mbarimin e mandatit të anëtarëve të opozitës një e nga një, atëherë do të vazhdonte procedura e parashikuar në Kodin Zgjedhor për zëvendësimin e mandateve të ndërprera. Ata mund të zëvendësoheshin vetëm nga kandidatët e listës të së njëjtës parti politike, ose të partive të të njëjtit koalicion zgjedhor. Pra, këto mandate gjithmonë, janë mandate të opozitës. Në këto kushte, mund të lindte problemi i refuzimit të mandatit të ri prej kandidatëve që presin në listë, ose i mosparaqitjes së tyre në Kuvend”, - tha argumentuar Aurela Anastasi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›