E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbja e mandatit, Gjata: Ja zgjidhja ligjore

Me humbjen e mandatit merret Kushtetuta dhe në gjykimin e ish-kreut të KQZ-së, z. Çlirim Gjata, bojkoti i opozitës është tërësisht antikushtetues. Ai tregon për “standard” zgjidhjet ligjore në rastin e humbjes së mandateve, ndërsa bën të qartë se 6 marsi shënon afatin e fundit kushtetues për ndërprerjen e mandatit të deputetëve të opozitës, nëse ata do të vazhdojnë të qëndrojnë jashtë Kuvendit. Por juristët e konsiderojnë antikushtetuese edhe mospjesëmarrjen e deritanishme të tyre. Sipas tij, është ligji themeltar i shtetit që i detyron deputetët që të përligjin votën e marrë nga populli në zgjedhjet e përgjithshme.

Z. Gjata, ka interpretime të ndryshme nga juristë të njohur lidhur me heqjen e mandatit të deputetëve socialistë. Cili është mendimi juaj, hiqen mandatet më 6 mars apo jo?

Kjo shihet në planin individual për çdo deputet, sepse pavarësisht nga sistemi zgjedhor, mandati është individual dhe ligjërisht deputetët e fitojnë apo e humbasin si individ mandatin, ndaj dhe për këtë neni 164 i Kodit Zgjedhor i titulluar “Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi” i referohet fillimisht nenit 71 të Kushtetutës. Në këtë nen, në pikën 1 sanksionohet se kur fillon mandati i deputetit dhe ai fillon pikërisht në ditën që shpallet si i tillë nga Komisioni Zgjedhor dhe jo kur bën betimin si deputet, pra mandati ka filluar, i është njohur që në momentin që është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve. Ushtrimin e këtij mandati e bën pas betimit sipas nenit 72 të Kushtetutës. Pra, nuk duhet ngatërruar fillimi i mandatit me ushtrimin e tij në kuvend. Në pikën 2 jepen rastet kur mbaron mandati ose kur shpallet i pavlefshëm. Në këtë kazus mendoj se mund të marrim në analizë germën “a” dhe “d” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës (kur nuk bën betimin dhe kur mungon në Parlament pa arsye për më shumë se 6 muaj rresht). Duke mos bërë betimin automatikisht hyn në veprim germa “a” dhe kjo hyn në veprim kurdo dhe për këdo, sa kohë nuk është bërë betimi nga ana e deputetit. Gjithashtu, betimi i deputetit lidhet me fillimin e mandatit të Kuvendit, i cili është tjetër nga mandati i deputetit. Nëse do të bënim një bashkim mekanik të të dyja germave kushtetuese si më lart shpjeguam, për interpretim, mund të themi se pritet 6 muaj që deputetët të bëjnë betimin, në të kundërt ata e humbasin mandatin. Pra, pritet 6 muaj që të fillojnë ushtrimin e mandatit sipas detyrimit kushtetues si përfaqësues të popullit. Në fund të fundit, shteti nuk mund të qëndrojë pasiv dhe të mos funksionojë pafundësisht, ndaj duhet marrë një vendim. Pastaj ky vendim mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese ose të gjenden zgjidhje të tjera. Humbja e mandatit në këtë rast është automatike (ipso legge) dhe nuk varet nga vullneti i askujt. Nuk ka nevojë ta deklarojë askush. Ndryshe ndodh kur heq dorë vetë nga mandati ose kur vërtetohet papajtueshmëria ( germat “b” dhe “c” po të kësaj dispozite). Në këto raste ka procedura të tjera. Por në rastin tonë nuk jemi para procedurash të tjera. Mandati humbet automatikisht dhe atëherë administrata e Kuvendit i drejtohet KQZ-së për zëvendësimin e tij me kandidatin e radhës. Por unë do të shtoja se mosbërja e betimit komform germës “a” automatikisht sjell humbjen e mandatit nga ana e deputetit dhe detyrimin për zëvendësimin e tije. Dhe për këtë nuk ka pse të pritet 6 muaj. Kjo mund të ndodhte që të nesërmen e mosbërjes së betimit. Kushtetuta kështu e parashikon. Lejimi për 6 muaj është një tolerim për rastin konkret, mendoj unë, që Parlamenti i ka bërë deputetit që s`ka bërë betimin. Në fund të fundit kështu e kanë interpretuar ata dhe kjo është një çështje e mbyllur.

Disa kanë referencë Kushtetutën e disa kanë referencë Rregulloren e Parlamentit apo Kodin Zgjedhor. Mund të na jepni argumente se cili prej tyre i afrohet më shumë një përgjigjeje të saktë lidhur me mandatet?

Mendoj se nuk jemi përpara kolezionit ligjor për rastin në fjalë. Nuk ka përplasje mes këtyre ligjeve, për vetë funksionin e tyre. Kodi Zgjedhor është ligj procedural që merret me procedurat zgjedhore ku përfshihen edhe ato të zëvendësimit. Me çështjen e mandatit të deputetit merret Kushtetuta. Në momentin që shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare, Kodi Zgjedhor e mbyll kapitullin dhe janë sanksionimet kushtetuese për sa i takon mandatit të deputetit dhe procedurave të ushtrimit të këtij mandati nga ana e tij. Mosrealizimi i këtyre procedurave bën që të këtë sanksione po kushtetuese, siç është ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi i tij. Në momentin e zëvendësimit kërkohet përsëri një procedurë nga KQZ-ja nëpërmjet nenit 164 të Kodit Zgjedhor. Sipas nenit 164, KQZ vepron komform procedurave te sanksionuara në pikën 2 dhe 3 të këtij neni vetëm, e theksoj vetëm, pasi t’i jetë kërkuar një gjë e tillë nga Kuvendi komform pikës 1 të po këtij neni. KQZ nuk konstaton mbarimin apo pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, nuk i duhet fare se si e qysh mbarojnë mandatet. Mjafton që Kuvendi të bëjë kërkesën përkatëse dhe KQZ bën zëvendësimin me kandidatin e radhës. Pra, nuk e vlerëson KQZ nëse kërkesa e ardhur nga Kuvendi për zëvendësim është e ligjshme apo jo. Prandaj problemet janë të ndara. Edhe vetë Kuvendi nuk është se mblidhet në një seancë për të konstatuar ndërprerjen e mandatit. Ndërprerja është automatike, direkt nga ligji. Në këtë rast ka thjesht një korrespondencë nëpërmjet administratës së Kuvendit dhe KQZ-së. Pra, jemi në një plan më tepër administrativ nga i cili nuk ke ku lëviz nga pikëpamja ligjore.

A mendoni që në të ardhmen të ketë ndryshime në ligj apo rregullore që lidhen me mandatin e deputetit?

Ky është një diskutim shumë i gjatë dhe kërkon debat konstitucionalist. D.m.th. nëse do të diskutojmë për ndryshime, këto nuk fillojnë nga ligjet apo nga rregullorja, por në fillim nga Kushtetuta. Primare në këto diskutime është që interesat politike t’u nënshtrohen zgjidhjeve ligjore dhe jo e kundërta, siç ka ndodhur rëndom deri më sot. Vetë këto zgjidhje kushtetuese janë vënë në vitin 1998, kur u hartua projektkushtetuta, pikërisht nisur nga interesa politike të momentit dhe ja ku dalin tani, të detyrueshme për t’u zbatuar. Prandaj rëndësi ka parimi i punës. Nëse përsëris, si në shumë precedentë të tjerë do të kemi një zgjidhje politike mbi atë ligjore ose edhe vetëm duke e anashkaluar ligjin do të kishim një fatkeqësi më shumë në dëm të ligjit.

Sipas jush, si duhet të veprojë KQZ-ja në këtë rast?

Së pari, do të thosha se nuk kam dëshirë t’u jap këshilla institucioneve cilatdo qofshin ato. Mendoj të paraqes thjesht mendimin tim se si e interpretoj unë nga pikëpamja kushtetuese ligjore ketë rast. Së dyti, një institucion ka si detyrim zbatimin e ligjit dhe në këtë detyrim nuk mund të intimidohet me friken se mund të kthehet në qendër të përplasjeve politike. Përplaset apo jo politika, institucioni vazhdon punën, sepse edhe përgjegjësinë e mban institucioni, sipas kompetencave të veta dhe s`mund të justifikohet për shkak të luftës politike. Së treti, rasti në fjalë nuk ka të bëjë me KQZ-në si institucion. Në momentin kur KQZ ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, nuk ka më asnjë detyrim dhe të drejtë mbi mandatin e deputetëve. Per sa i takon procesit të zëvendësimit të mandateve, nuk ka lidhje me KQZ-në. Ky është më tepër një problem i Parlamentit, madje siç e thashë, si administratë. KQZ thjesht i dërgon Parlamentit me vendim listën përkatëse, që sipas ligjit dhe rezultateve, vijnë në radhë për t’u mandatuar. Dhe këtë, pas kërkesës së këtij të fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›