Banorët e dëmtuar, mënyra se si do të kompensohen
Për dëmshpërblimin e banorëve të dëmtuar nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës, përveç fondit rezervë prej 2 miliardë lekësh, qeveria mund të përdorë deri në 10 për qind të fondeve për investime të ministrive me vendim të sajin. Sipas qeveritarëve, nëse mblidhen të gjitha bashkë, këto arrijnë shumën e rreth 18 miliardë lekëve. Buxheti ndryshon nëse pas vlerësimit nga ekspertët vlera e dëmeve rezulton më e lartë se kjo shifër. Por më parë duhet të dalë fatura e dëmit gjatë përmbytjeve. Aktualisht qeveria shqiptare po harton vendimin, i cili përcakton me detaje mënyrën se si do të kompensohen banorët e dëmtuar nga përmbytja, për shkak të shkarkimit të ujërave nga kaskada e Drinit. Përpara se të mblidhet sot Këshilli i Ministrave në mbledhjen e radhës, ku dhe do të miratohen parimet e dëmshpërblimit të të prekurve nga përmbytjet, ekspertët janë në diskutimin e procedurave dhe referencave ligjore për dëmshpërblimin. Momenti i parë është evidentimi i të gjitha dëmeve, sipas një formulari tip, në ndërtesa banimi, objekte biznesi, objekte sociale dhe publike, orendive dhe pajisjeve elektro-shtëpiake, të dëmeve të shkaktuara në kultura bujqësore, gjësë së gjallë dhe ushqimit të tyre.
Hapi i dytë është dërgimi i formularit pranë Komitetit Ndërministror, bashkë me listën emërore të pronarëve të banesave apo objekteve të tjera, shoqëruar me certifikatën e kryefamiljarit dhe dokumentin e identifikimit. Sipas draftit, që po punohet në procesin e vlerësimit përfundimtar do të marrin pjesë edhe specialistë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Qeveria ka parashikuar mënyrën se si do të vlerësohen dëmet. Konkretisht për shtëpitë e dëmtuara vlerësimi do të bëhet sipas kostove të ndërtimit të përcaktuara nga Enti i Banesave, e cila për qytetin e Shkodrës është rreth 26 mijë lekë për metër katrorë. Për objektet e ndërtimit me karakter bujqësor, si stalla, hangarë etj., kostoja e dëmshpërblimit llogaritet në 5 mijë lekë për metër katror. Për kategoritë e tjera të dëmtimeve në objekte banimi, sociale, publike, llogaritja do të bëhet sipas çmimeve të Entit Kombëtar të Banesave për qytetin e Shkodrës. Vlerësimi i dëmeve në makineri dhe pajisje të dëmtuara do të kryhet ne përputhje me dokumentacionin e depozituar pranë organeve tatimore dhe doganore. Dëmet e shkaktuara në bazën ushqimore, koncentrate, sanë etj., do të llogariten me çmimin e tregut. Po me çmimet e tregut të marrë nga Ministria e Bujqësisë do të vlerësohen edhe dëmet e shkaktuara në gjënë e gjallë. Vendimi që po përgatitet nga qeveria bën vlerësim edhe për pajisjet elektro-shtëpiake, mbështetur mbi konstatimin e kryer në vend nga grupi i evidentimit mbi rregullsinë ose jo të tyre sipas çmimit aktual të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Ndërsa për orenditë dhe mobiliet është ende në diskutim vlera e dëmshpërblimit. Një opsion është 50 mijë lekë për frymë, por jo më pak se 200 mijë lekë për familje. Kryeministri Sali Berisha ka garantuar banorët e dëmtuar nga përmbytjet se në buxhet ekzistojnë të gjitha fondet për procesin e dëmshpërblimit. Z. Berisha ka lajmëruar se brenda kësaj jave qeveria do të miratojë parimet mbi bazën e të cilave do të bëhet kompensimi i dëmeve, teksa i kërkoi komisionit ndërministror e vendorëve që të nisnin vlerësimin e dëmeve, i cili duhet të ishte sa më objektiv. "Shteti i ka të gjitha mundësitë për të dëmshpërblyer deri në qindarkën e fundit dëmet", - u shpreh kreu i qeverisë, teksa u bëri thirrje vendorëve që inventarizimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytja ta bënin me ndershmëri e objektivitet. Duke folur po për dëmet, Berisha theksoi se shumë familje kanë dëme të mëdha. “Ato që kanë pësuar më tepër dëme janë sidomos katet e para të banesave, ndërsa jo pak familje kanë humbur edhe pasuri të tjera, si gruri i mbjellë, misri i depozituar, ushqimi për blegtorinë etj”. Në mbledhjen e datës 9 janar të zhvilluar në Shkodër, qeveria miratoi çeljen e fondit prej 200 milionë lekësh për përballimin e emergjencës civile në këtë qark, duke përcaktuar edhe mënyrën e përdorimit të tij.
box
Fondi i qeverisë
-Në mbledhjen e datës 9 janar të zhvilluar në Shkodër, qeveria miratoi çeljen e fondit prej 200 milionë lekësh për përballimin e emergjencës civile në këtë qark, duke përcaktuar edhe mënyrën e përdorimit të tij.
-Krahas shumës prej 200 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, pjesë e këtij fondi do të jenë edhe donacionet e mbledhura prej llogarive bankare të çelura për këtë qëllim.
-Fondit të mësipërm do t'i bashkëngjiten edhe fondet e miratuara në buxhetin e këtij viti për Ministrinë e Brendshme në programin e Emergjencave Civile prej 757 milionë lekësh.
-E gjithë shuma e mësipërme do të përdoret vetëm me vendim të Komitetit për Emergjencat Civile, ndërkohë që pagesat do të autorizohen nga prefekti i qarkut.
-Përveç fondit rezervë prej 2 miliardë lekësh, qeveria mund të përdorë deri në 10 për qind të fondeve për investime të ministrive me vendim të sajin. Sipas qeveritarëve, nëse mblidhen të gjitha bashkë, këto arrijnë shumën e rreth 18 miliardë lekëve. Buxheti ndryshon nëse pas vlerësimit nga ekspertët vlera e dëmeve rezulton më e lartë se kjo shifër
Box
Procedurat e kompensimit
-Momenti i parë është evidentimi i të gjitha dëmeve, sipas një formulari tip, në ndërtesa banimi, objekte biznesi, objekte sociale dhe publike, orendive dhe pajisjeve elektro-shtëpiake, të dëmeve të shkaktuara në kultura bujqësore, gjësë së gjallë dhe ushqimit të tyre.
-Momenti i dytë është dërgimi i formularit pranë Komitetit Ndërministror, bashkë me listën emërore të pronarëve të banesave apo objekteve të tjera, shoqëruar me certifikatën e kryefamiljarit dhe dokumentin e identifikimit.
box
Skema e dëmshpërblimit
-Për shtëpitë e dëmtuara vlerësimi do të bëhet sipas kostove të ndërtimit të përcaktuara nga Enti i Banesave, e cila për qytetin e Shkodrës është rreth 26 mijë lekë për metër katror.
-Për objektet e ndërtimit me karakter bujqësor, si stalla, hangarë etj., kostoja e dëmshpërblimit llogaritet në 5 mijë lekë për metër katror. Për kategoritë e tjera të dëmtimeve në objekte banimi, sociale, publike, llogaritja do të bëhet sipas çmimeve të Entit Kombëtar të Banesave për qytetin e Shkodrës.
- Vlerësimi i dëmeve në makineri dhe pajisje të dëmtuara do të kryhet në përputhje me dokumentacionin e depozituar pranë organeve tatimore dhe doganore. Dëmet e shkaktuara në bazën ushqimore, koncentrate, sanë etj., do të llogariten me çmimin e tregut.
- Për orenditë dhe mobiliet është ende në diskutim vlera e dëmshpërblimit. Një mundësi është 50 mijë lekë për frymë, por jo më pak se 200 mijë lekë për familje.
- Me çmimet e tregut të marrë nga Ministria e Bujqësisë do të vlerësohen edhe dëmet e shkaktuara në gjënë e gjallë.
-Vendimi i qeverisë bën vlerësim edhe për pajisjet elektro-shtëpiake, mbështetur mbi konstatimin e kryer në vend nga grupi i evidentimit mbi rregullsinë ose jo të tyre, sipas çmimit aktual të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.