E Diel, 1 Nëntor 2026

Mandatet, Beja: Zëvendësime deri në shterimin e listës

Zëvendësime deri në shterimin e listës së kandidatëve socialistë. Mundësia e fundit që trupa e 64 deputetëve të PS-së të futet në Kuvend, është 4 marsi dhe përtej kësaj date ligjërisht nis zëvendësimi i mandateve, nëse nuk i jepet fund bojkotit. Mazhoranca është gati për zbatimin e procedurës që parashikon Kushtetuta e vendit, nëse PS-ja nuk heq dorë nga bojkoti i Parlamentit. Ndaj, sipas neneve të Kushtetutës 70-71 dhe nenit 164 të Kodit Zgjedhor, ata zëvendësohen me kandidatët pasardhës në listën 140 emërore që PS-ja ka depozituar në KQZ. Deputeti i PD-së, Fatos Beja, shpjegoi dje: “KQZ merr vendim për dhënie të mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij kodi. Vendimi i njoftohet kandidatit si dhe botohet në fletoren zyrtare”. Beja i referohet Kodit Zgjedhor, përkatësisht nenit 164, i cili përcakton qartë se ndryshe nga deputeti që është mandatuar fillimisht, ai që e zëvendëson atë, nuk ka më 6 muaj, por vetëm 30 ditë kohë për të pranuar mandatin. “Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi pa shkaqe të përligjura, mandati i takon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës të parashikuar në pikën 1 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike. Pastaj vijon pika tjetër me partitë e tjera. Kur një parti nuk dëshiron të shkojë, vazhdon përsëri Kodi, sepse do të mbrojë funksionimin e Kuvendit”, - tha Beja. Por megjithëse Kushtetuta përcakton qartë se deputeti humbet mandatin nëse nuk betohet, Beja bën të qartë se ky nen i Kushtetutës nuk është ekzekutuar deri tani, pasi aty nuk përcaktohen afate. “Në Kushtetutë nuk ke të shprehur një afat të përcaktuar, por shprehet në parim që humbet vlera e mandatit nëse nuk bën betimin. Ka një nen të veçantë më pas, i cili shprehet se nuk mund ta ushtrosh mandatin nëse nuk ke bërë betimin dhe kjo është e përcaktuar fare qartë. Ne jemi në një situatë të tillë. Meqenëse aty nuk është e përcaktuar me një ‘afat të përcaktuar’ mbyllet hapësira e mundshme me pikën tjetër të këtij neni që thotë ‘pas 6 muajsh’”, - tha Beja. Gjithsesi, mazhoranca duket e vendosur në zbatimin e Kushtetutës për sa u takon mandateve të deputetëve socialistë, të cilët nuk kanë bërë betimin dhe kanë bojkotuar prej disa muajsh Kuvendin. Deputeti demokrat, Fatos Beja, një njohës i ligjit dhe i Kushtetutës, thotë se në këtë pikë ligji themelor është i qartë, kur parashikon rastet e ndërprerjes së mandatit. Neni 71 i Kushtetutës, pikat 2a dhe 2d të tij citojnë se deputeti humbet mandatin kur nuk bën betimin apo pas një mungese 6-mujore në Kuvend. Këtu Beja shpjegon arsyet e mosveprimit menjëherë të Kuvendit në rastin e pikës 2a të nenit 71.
Këtu futet në veprim pika 2d e nenit 71, që thotë se deputetit i ndërpritet mandati në rast se mungon pa arsye për 6 muaj në Kuvend. Por a jemi në rastin e një mungese pa arsye të deputetëve socialistë? Logjika e ligjit themelor dhe e Kodit Elektoral ngarkon Kuvendin me detyrimin që brenda një periudhe 30-ditore prej përfundimit të afatit kushtetues për vlefshmërinë e mandatit të njoftojë KQZ-në. “Respektimi i Kushtetutës dhe Kodit, - u shpreh z. Beja,- do të çonte në zëvendësimin e mandateve, duke zbritur në listën proporcionale të subjektit politik. Por këtu kodi përcakton një tjetër afat për deputetët që sapo kanë përfituar një mandat. Duket se gjithë këtë procedurë ligjore dhe kushtetuese nuk e pengon apo shtyn në kohë qoftë dhe ankimimi në Gjykatë Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›