E Shtunë, 31 Tetor 2026

Supermashtruesi sms biznesmenit

 KORçE/ GEZIM ASHIMIMashtruesi i biznesmenëve korçarë është bërë “i gjallë” dje duke ngushëlluar me një mesazh njërin prej viktimave të tij. “Do të të kthej paratë, por mos më denonco”. Ky është mesazhi në celular që ka marrë dje pronari i një prej hoteleve më luksoze në Korçë, menjëherë pas publikimit të supermashtruesit në media. I riu rreth të 30-tave, i paraqitur me emrin Eduart Dibra, mbërriti në qytetin e Korçës më 1 janar dhe pasi mashtroi katër biznesmenë, duke i’u marrë më shumë se 30 mijë euro në formë borxhi, ai u zhduk nga ky qytet. Mashtrimi u konfirmua pas datës 5 janar, kur nisën nga puna bankat dhe u verifikua se llogaria e Dibrës ishte bosh e madje dyshohet se emri i tij është i rremë. I riu ka mundur të depërtojë te këta sipërmarrës, duke u paraqitur tek ta si një biznesmen dhe arkitekt i njohur që kishte lidhje të forta me mjaft politikanë. Një prej biznesmenëve korçarë që ka arritur të komunikojë me këtë person u shpreh se “kam marrë prej tij me anë të telefonit premtimin se do të më kthehet shuma e parave të marra në formë borxhi. Për këtë shkak, nuk kam depozituar denoncim në policinë e Korçës”. Burime nga policia bënë të ditur se ende nuk kanë nisur hetimet për këtë çështje, pasi nuk ka një kallëzim nga të dëmtuarit, por nga ana tjetër mësohet se agjentë të policisë kanë nisur të marrin në pyetje paraprakisht biznesmenët e mashtruar. Nuk dihet nëse kanë nisur hetimet kryesisht, pasi kjo nuk konfirmohet zyrtarisht nga policia. Ndërkaq, edhe dega e BKT-së në Korçë, për katër çeqet e firmosura me identitetin Eduart Dibra, për të cilat janë paraqitur për të tërhequr para disa qytetarë korçarë, ka vënë në dijeni bankën qendrore në Tiranë. Burime të kësaj banke, thanë se kanë fotokopjuar çeqet e lëshuara nga personi që mban emrin Eduart Dibra dhe i kanë dërguar ato në Tiranë. Sipas specialistëve të bankës, kjo është kryer për të parandaluar veprime të mëtejshme të personit që dyshohet si mashtrues, por gjithashtu edhe për të verifikuar mënyrën se si ai ka arritur të siguroje çeqet dhe t’i përdorë ato kundrejt personave të cilëve u merrte para borxh. Ditët kur ka vepruar në qytetin e Korçës ky person, nuk u kanë lënë kohë biznesmenëve që të verifikonin në bankë çeqet. Në tre ditët e parë të muajit janar, bankat kanë qenë pushim, ndërsa çeqet e lëshuara nga Eduart Dibra, mbanin datat 8 janar dhe në vazhdim për të tërhequr paratë. Një kohë kjo e mjaftueshme për të që të arrinte të largohej nga qyteti i Korçës, pa u kryer në kohë verifikimet në bankë. Ai u largua nga Korça më 5 janar. Të vetmit biznesmen, që i nxori në shesh këtë mashtrim, ai i ka premtuar kthimin e parave të marra borxh. Eduart Dibra, sipas të dëmtuarve, kishte aftësi mjaft të mira për të bërë të besueshme artikulimet e tij. Gjithnjë në gjuhën e një biznesmeni. Ai iu premtonte sipërmarrësve korçarë se do t’i ndihmonte ata pasi kishte lidhje të forta me politikanë në Tiranë, ndërsa bënte bisedime edhe për ortakëri dhe veprime të tjera me ta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›