Vdes 64-vjeçari nga Durrësi, viktima e 12 e AH1N1
TIRANE - Një 64-vjeçar nga Durrësi ndërron jetë pasi rezultoi i prekur nga virusi i gripit të derrit. Viktima e djeshme shënon rastin e 12 të personave që humbën jetën nga A/H1N1. Vetëm tre ditë më parë, një grua 55 vjeçe ndërroi jetë në spitalin e Korçës, për t'u pasuar nga rasti tjetër, këtë herë në Durrës. Mësohet se viktima e djeshme kishte rreth një muaj i shtruar në reanimacionin e Sanatoriumit të Tiranës. Gjatë kësaj kohe mësohet se është trajtuar dhe me tamiflu, por trupi i tij nuk ka rezultuar me imunitet përballë këtij virusi. Nga burime spitalore është bërë e ditur se ai vuante dhe nga probleme të hipertensionit. Megjithëse ka qenë nën një trajtim intensiv mjekësor nga stafi i mjekëve të Sanatoriumit, asgjë nuk ka mundur ta shpëtojë 64-vjeçarin nga fati tragjik. Ai shënon numrin e 12 të viktimave në Shqipëri brenda disa muajve. Vetëm pak ditë më parë u regjistrua vdekja e mësueses nga Korça, pas 4 ditësh qëndrimi në spital. Ndërsa në fund të dhjetor të njëjtin fat pati dhe një grua e re, shtatzënë me binjakë. Në të gjitha rastet, mjekët kanë pohuar se të prekur nga virusi i gripit të derrit kanë pasur dhe probleme të tjera shëndetësore. Këta persona dhe shtatzënat klasifikohen në kategorinë e më të rrezikuarve për jetën nga AH1N1.