E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aurela dhe ‘Origjinale’ në Festivalin Ballkanik

Hiti veror do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e dytë të këtij Festivali

Padyshim ky është viti i këngëtares Aurela Gaçe… Kënga ‘Origjinale’ i ka sjellë suksese të njëpasnjëshme asaj. Bashkëpunimi me kompozitorin Flori Mumajesi, tekstshkruesin e këngëtarin Dr.Flori dhe djaloshin e ri Marsel, përveçse është shpallur kënga më e klikuar shqiptare (mbi 4 milionë klikime) në rrjetin e njohur youtube, tashmë do të marrë pjesë edhe në një kompeticion të rëndësishëm. Pikërisht në edicionin e dytë të Festivalit Ballkanik, që do të mbahet në fillim të muajit qershor në Sofje, Shqipëria do të përfaqësohet me këngën “Origjinale”. Aurela Gaçe kështu, pas pjesëmarrjes së saj në festivalin europian, do të përgatitet për një tjetër konkurrim, një tjetër garë po kaq emocionuese dhe të fortë. Përzgjedhja e këngës “Origjinale” është bërë përmes votimit të hapur në Internet, ku në konkurrim kanë qenë këngët “Mamani Nejen” (Elvana Gjata Ft Fuga”), “Making of” (Flori ft Fuga), “Get this”, Greta Koçi, etj…

Festivali

Fituesit e edicionit të 2-të të Festivalit Ballkanik janë zgjedhur përmes votimit online, që është bërë në faqen e Internetit www.balkanmusicawards.com, nga data 28 Mars deri më 8 prill. Në këtë event ballkanik konkurrojnë 11 këngë (përkatësisht nga 11 shtete) në kategori si: “Best Male Performer”, “Best Female performer”, “Best Balkan Duet/Group”, “Best Balkan Video” dhe “Balkan Project”. Eventi do të mbahet në datë 4 qershor në Sofje dhe përveç konkurrentëve, në skenën e Sofies do të interpretojë dhe këngëtarja e suksesshme nga Rumania, Inna, të cilës do t’i jepet nga ky Festival Çmimi Special.

Këngëtarja

Këngëtarja Gaçe tashmë duhet të përgatitet edhe për këtë garë, ndërsa aktualisht vëmendja e saj, sikurse edhe e të gjithë shqiptarëve, është përqendruar te Festivali Eurovizion. Në kuadër të promovimit të këngës shqiptare, “Feel the passion”, Gaçe pak ditë më parë ka qenë në Hollandë, ku ka shënuar jo pak sukses. Deri më tani, komentet për këngën shqiptare janë më entuziaste nga të huajt, sesa vetë shqiptarët. Gjithsesi, Aurela ka pohuar se për të e rëndësishme është përfaqësimi sa më i denjë në këtë Festival, pasi votimi mbetet për t’u diskutuar, për shkak të ndikimeve politike. Deri më tani, Gaçe ka udhëtuar për të promovuar këngën e saj në Turqi, Greqi, Kosovë dhe Hollandë. Në ditët në vazhdim pritet që këngëtarja të shkojë dhe në Azejbaxhan, vend që konkurron në të njëjtën natë me Shqipërinë, në datën 10 Maj në Dusseldorf.

“Feel the Passion”

“Feel the Passion” është versioni anglisht i këngës “Kënga ime”, ftuese e edicionit të 49-të të Festivalit në RTSh. Këngë kjo e realizuar nga kompozitori, Shpëtim Saraçi dhe tekstshkruesi Sokol Marsi. Kënga anglisht u inçizua në një prej studiove më të njohura të muzikës në Los Angelos “Village Studio” (studio ku kanë regjistruar këngë emrat e mëdhenj të muzikës botërore, që nga Rey Charls, Michael Jackson e deri te këngëtaret e sotme Lady GaGa). Për paraqitjen në Eurovizion, këngë shoqërohen edhe nga një klip i realizuar nga regjisori Albert Malltezi, ku klipi ka si synim promovimin e turizmit shqiptar. Këngëtarja Gaçe, në këtë klip është e veshur me një fustan të superkomentuar, dizenjuar nga stilistja e njohur Mirela Nurçe, e cila i ka veshur shqiponjën në trup këngëtares. Në datën 29 prill, Gaçe dhe stafi nga Shqipëria do të nisen drejt Dusseldorfit, në pritje të kompeticionit më të madh muzikor në Europë, Eurovizion!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›