Elvana: Në garë hyhet për të fituar
Fakti se ajo merr pjesë për herë të parë në Festivalin Top Fest ka ngjallur kërshëri te fansat e saj, te kolegët dhe gjithë njerëzit që e duan muzikën. Elvana Gjata, që nuk rresht së bëri për vete publikun me këngët e saj, përsëri na ka surprizuar. Kënga e saj në Top Fest menjëherë ka marrë vëmendjen e të gjithëve dhe është bërë një nga më të preferuarat e këtij Festivali. Të gjitha këto janë shoqëruar paralel edhe me komente që e konsiderojnë Elvanën si fituese të këtij edicioni të tetë. Nga ana tjetër edhe vetë këngëtarja me zërin e mrekullueshëm dhe performancat brilante nuk e mohon se e josh ky çmim, edhe pse mbi të gjitha i rëndësishëm është vlerësimi i publikut…
Elvana, për herë të parë merrni pjesë në Festivalin “Top Fest”. Cili është opinioni juaj për këtë festival? Çdo të thotë për ju të jeni pjesë e tij?
Top Fest është një nga festivalet më të mira moderne shqiptare. Doja të thoja se ndihem vërtet mirë që jam pjesë e tij këtë vit. Sigurisht fakti që është sërish LIVE më ka bërë edhe më shumë për vete.
Kënga juaj është një baladë. Baladat janë të preferuarat e tua?
Po, e kam shprehur dhe gjithmonë që baladat i kam pikë të dobët (të fortë në këtë rast). Ndihem mirë në këtë këngë.
Është komentuar se kjo këngë i dedikohet një këngëtareje të re që ndërroi jetë në mënyrë tragjike, Emmy. Është e vërtetë dhe mund të na thoni se që në fillim kur është konceptuar kënga ka pasur si lajtmotiv një homazh për të?
Në fakt ato ditë që ndodhi fatkeqësia unë dhe Flori po punonim me këngën e Top Festit.. Ishte e pamundur të vazhdonim punën, pasi largimi tragjik nga jeta i Emmyt na shokoi dhe na bëri të përjetojmë një dhimbje të madhe... Mbas disa ditësh rikthehemi në studio dhe duke qenë se lajtmotivi i atyre ditëve ishte ikja e Emmyt, lindi natyrshëm për t’i bërë homazh...
Përgjithësisht, ju në festivale zgjidhni të këndoni balada dhe përsa u takon klipeve, janë këngë ritmike dhe që u përkasin rrymave moderne muzikore. Është një strategji e juaja kjo, apo kështu ka rastisur?
Jo, nuk është rastësi, kjo është një zgjedhje e imja. E shikoj veten edhe më të realizuar kur marr pjesë në festival me baladë, pasi festivalet kryesisht kanë shikueshmëri nga një moshë më e madhe e targetit që unë përfaqësoj.
Jeni komentuar si fituese e këtij festivali. Duke parë këngët e tjera, si do ta vlerësonit konkurrencën?
Nuk është hera e parë që bëhen komente të tilla para festivaleve. Mendoj që në rastin tim ka ndodhur meqë është hera e parë që marr pjesë në Top Fest. Konkurrenca është e fortë dhe ka këngë vërtetë shumë të mira. Natyrisht që në një garë hyhet për të fituar. E megjithatë, për mua vazhdon të mbetet çmimi më i madh, publiku.
Sa ju ka munguar një çmim i parë në karrierën tuaj?
Nëse po flasim për çmimin e parë të një festivali, mendoj që ka ende kohë. Sa për karrierën time, sukseset e arrira deri më sot janë të barasvlershme me disa çmime të para (qesh).
Bashkëpunimi juaj me Fugën është konkurrent mes këngëve të tjera shqiptare për të marrë pjesë në Festivalin Ballkanik. Si e vlerësoni përzgjedhjen në këtë Festival?
Është eventi më i madh ballkanik. Me kënaqësi do merrja pjesë. Vitin e kaluar Shqipëria u rendit në vendin e dytë me Florin. Pse mos të vazhdojmë t’i bëjmë shqiptarët krenarë?!
Elvana, këngët e tua dhe gjithë karriera juaj, le të themi është mbështetur te një shtyllë e fortë, siç është kantautori Flori Mumajesi. Si do ta komentoje gjithë këtë bashkëpunim me Florin?
Bashkëpunimi ynë ka themele të forta, ku asnjë "tërmet" i deritanishëm nuk e lëkundi dot. Suksesi është fryt i një pune të jashtëzakonshme dhe i një miqësie të fortë. Absolutisht që i jam mirënjohëse!
Keni menduar që të realizoni edhe këngë me të tjerë kompozitorë? Apo keni frikë nga ndryshimet?
Po sigurisht që do ketë. Unë edhe pse kam punuar vetëm me Florin, gjithmonë kam ardhur ndryshe.
Nëse do të zgjidhnit një kompozitor tjetër, kush do të ishte ai?
Mund të ishte kushdo, më mjafton që materiali muzikor të ishte i niveleve të këngëve që kam realizuar ose më lart (qesh)!
Përsa i përket natës finale të Top Fest keni menduar çfarë do të vishni, apo është ende herët?
Është ende herët, kemi gjysmë finalen përpara (qesh:). Megjithatë për lookun kujdesem maksimalisht në çdo detaj.
Dhe për këtë verë që po duket në sfond e ka përgatitur një këngë ritmike Elvana?
Meqë ra fjala, sapo të mbarojmë intervistën bashkë, do shkoj në studio të vazhdoj punën për hitin veror të 2011-s. (qesh)