Australi, nisma ambientale: Sidnei, 1 orë pa drita
Janë zhytur në errësirë për çështjen jetike të ndryshimeve klimatike. Ndërtesat më të mëdha të qytetit australian të Sidneit, Opera dhe Ura, u shndërruan dje në godina të errëta, duke fikur të gjitha dritat me rastin e fushatës botërore "Ora e Tokës", qëllimi i së cilës është ndërgjegjësimi botëror për ccështjen e mjedisit. Dritat e qytetit u shuan në pikat kryesore të tij, sidomos në ndërtesat që konsiderohen si atraksione turistike. Ngjarja e rrallë në qytetin që shquhet për një ndriçim të fortë edhe gjatë orëve të natës, sipas ministrit të Ambientit është një simbol i jashtëzakonshëm i ndërgjegjësimit që duhet të karakterizojë veprimet e politikanëve. Ngjarja, e cila ka zgjatur vetëm një orë, e zhyti Sidnein në errësirë, edhe pse nuk bëhej fjalë për një shuarje të plotë të dritave të qytetit. Zona më e errët ishte ajo e biznesit në qendër të qytetit. Rreth 25-300 godina dhe rreth 100 kompani iu bashkuan në këtë zonë nismës së rëndësishme. Organizatorët shpresojnë që numri i pjesëmarrësve të jetë më i madh se ai i një viti më parë, kur për të njëjtën veprimtari morën pjesë 2.2 milionë persona dhe mbi 2000 biznese. Sipas llogarive, vetëm gjatë asaj ore, emetimi i gazit tw karbonit u ul në qytet me 10.2%. Ndërkohë organizatori i kësaj nisme globale ka vënë si objektiv arritjen e një pjesëmarrjeje prej 100 milionë personazh. Një vit më parë morën pjesë në këtë nismë 26 qytete të mëdha në botë, ndërkohë që për këtë vit lista e qyteteve, fshatrave e zonave që marrin pjesë është rreth 300. Synimi i veprimtarisë është inkurajimi i botës për të kursyer energji dhe për të punuar me mjete industriale, të cilat e shmangin ose e pakësojnë emetimin e gazeve të dëmshëm për ambientin. Për sa i përket australianëve, ata janë gjithmonë në vijën e parë kur është fjala për përqafimin e nismave ambientaliste. Edhe Kryeministri i ri i vendit i ka dhënë një prioritet shumë të madh ambientit, duke premtuar nënshkrimin e afërt të Protokollit të Kiotos.