E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shqipëria mori nga Kina 18 miliardë dollarë arsenal ushtarak"

Në pjesën e parë të këtij shkrimi, të botuar në numrin e djeshëm të kësaj rubrike, nëpërmjet dëshmive të kolonelit në pension, 83-vjeçarit Edip Ohri, ish-komandant i Përgjithshëm i Aviacionit Luftarak për 20 vjet me radhë dhe deputet i Kuvendit Popullor në disa legjislatura, u njohëm me vizitën e delegacionit të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes që kryesohej nga Beqir Balluku, në Republikën Popullore të Kinës në vitin 1972. Sipas rrëfimeve të Ohrit, qëllimi i asaj vizite bëhej vetëm pak kohë pasi Presidenti amerikan, Riçard Nikson, kishte qenë në Kinë dhe udhëheqja e lartë komuniste e Shqipërisë jo vetëm që nuk e kishte pritur mirë vajtjen e tij në Kinë, por po përgatitej që të prishte përfundimisht marrëdhëniet dhe miqësinë e ngushtë që kishte ekzistuar në mes dy vendeve. Dhe para se të shkëpuste marrëdhëniet me Kinën, Enver Hoxha dhe Kryeministri Mehmet Shehu kishin autorizuar Beqir Ballukun që t‘ju kërkonte kinezëve sasira të mëdha arsenali ushtarak. Mirëpo kërkesat e delegacionit shqiptar habitën pa masë palën kineze dhe Kryeministrin Çu En Lai, i cili jo vetëm refuzoi t‘ju jepte të gjithë sasinë e armatimeve dhe teknologjisë ushtarake që kërkonte qeveria shqiptare prej tyre, por u sugjeroi atyre që të lidhnin një aleancë: Bukuresht-Beograd-Tiranë, me qëllim që t‘i bënin ballë ndonjë sulmi eventual ushtarak të Bashkimit Sovjetik. Edhe pse kinezët u refuzuan palës shqiptare mjaft prej kërkesave të tyre, ata vazhduan që ta furnizonin Shqipërinë komuniste me arsenal dhe teknologji ushtarake, gjë e cila vazhdoi deri në mesin e viteve ‘70, kur dhe filluan krisjet e para në marrëdhëniet mes dy vendeve. Në pjesën e dytë të këtij shkrimi që po botojmë më poshtë, z. Ohri na njeh me përfundimin e bisedimeve me palën kineze, si dhe fatin tragjik që pjesëtarët e atij delegacioni patën pas vitit 1974, kur filloi goditja ndaj të ashtuquajturit grupi puçist i Beqir Ballukut.

Zoti Edip, pas aludimeve për Kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, çfarë tha më pas Çu En Lai?

Pas aludimit që bëri për Mehmet Shehun, Çu En Lai na tha: "Me ju këtu është dhe shoku Kiço Ngjela (ish-ministri i Tregtisë në atë kohë), i cili ka një muaj që pret të takohet me mua, por unë po e pres bashkë me ju. Ai ka ardhur për të kërkuar grurë, pasi në Shqipëri ka pasur fatkeqësi natyrore, por edhe te ne ndodhi e njëjta gjë. Prandaj ne u detyruam që t‘i kërkonim grurë Australisë dhe Kanadasë, sepse nuk bëhet shaka me bukën e popullit, por ata nuk na dhanë. Pas kësaj, ne u detyruam dhe u kërkuam francezëve, të cilët shpallën publikisht se do të merrnin grurë në SHBA për të na e dhënë neve. Kur ne protestuam te Franca për atë punë, ajo na tha: Ǒkeni ju se ku e blejmë ne grurin, a doni grurë apo jo? Prandaj, shokë shqiptarë, duam, s‘duam, edhe ju edhe ne do të hamë grurë nga Amerika". Ne u habitëm shumë nga fjalët që na tha Kryeministri Çu En Lai dhe në një farë mënyre ajo ishte një përgjigje që ai po na jepte për letrën që i kishte bërë Enver Hoxha dhe PPSH-ja kinezëve, se përse ata ishin lidhur me amerikanët. Më pas, Kryeministri kinez bëri një ekspoze për politikën e re që po ndiqte Republika Popullore e Kinës pas Revolucionit Kulturor, duke dënuar dëmet që kishte sjellë Lin Biao me politikën e tij. Ai na tha se me politikën e hapjes me botën e jashtme që po ndiqte Kina, ajo kishte hyrë në një fazë të re zhvillimi. Në fjalën e tij, Çu-ja përdorte shpesh këtë shprehje: "Hapja me botën e jashtme, është një rrugë e shkurtër". Fjalët e tij ishin një reflektim i vizitës së Presidentit amerikan, Niksonit, në Kinë dhe me këtë gjë ai indirekt godiste politikën e izolimit me botën që po ndiqte Enver Hoxha me vendin e tij. Pra, me pak fjalë, nënteksti i gjithë fjalës së Çu En Lait ishte ky: "Ne po hapemi me botën, hapuni edhe ju".

Çfarë kujtoni tjetër nga fjala e Çu En Lait në atë takim?

Në vijim të fjalës së tij, Çu En Lai na tha: "Bashkimi Sovjetik është shndërruar në një shtet militarist, që po zhvillon në mënyrë intensive teknologjinë ushtarake, por këto i bën duke shtrënguar popullin e vet dhe në dëm të mirëqenies së tij. Por tymin do t‘ia shihni më vonë kësaj politike që po ndjekin sovjetikët. Edhe Amerika është një shtet militarist, por ajo e bën këtë gjë pa e prekur fare nivelin e jetesës së popullit. Është për t‘u çuditur se ju e konsideroni Bashkimin Sovjetik një shtet revizionist dhe nga ana tjetër ecni në rrugën e tij, duke militarizuar vendin tuaj". Aluzioni që bënte Kryeministri kinez ishte më se i qartë. Me pak fjalë ai na thoshte ne: "Përse kërkoni 18 uzina ushtarake dhe nuk zhvilloni bujqësinë". Pas kësaj, në një moment ai pyeti ministrin e Tregtisë, Kiço Ngjelën, duke i thënë se sa dollarë ishin të ardhurat për frymë në Shqipëri, por Kiço nuk e dinte dhe ai u detyrua e pyeti njërin nga ndihmësit e tij (në atë takim Çu-ja kishte marrë 40 ekspertë me vete) dhe kur ai i tha se Shqipëria i kishte të ardhurat për frymë më shumë se Kina, Çu En Lai na tha: "Po ç‘doni nga ne"? Në mbyllje të fjalës së tij, Kryeministri kinez bëri konkluzionet e takimit, ku midis të tjerash u shpreh: "Udhëheqja juaj nuk po zbaton porositë e sinqerta e vëllazërore që u kemi dhënë ne për zhvillimin e ekonomisë shqiptare". Kjo gjë ne na ra si bombë dhe mua m‘u kujtuan fjalët që na kishte thënë Hrushovi gjatë një mbledhjeje në Moskë, në vitin 1961, në lidhje me politikën që po ndiqte Enver Hoxha.

Çfarë ju kishte thënë Hrushovi?

Ajo mbledhje zhvillohej në kuadrin e Traktatit të Varshavës dhe aty unë ndodhesha së bashku me disa nga ushtarakët më të lartë të shtatmadhorisë shqiptare. Sipas marrëveshjeve që kishte nënshkruar Shqipëria në kuadër të atij traktati, protokolli e kërkonte që aty të ishin prezent dhe Enveri me Mehmetin, por ata nuk kishin ardhur. Kur e mori fjalën Hrushovi, ai u shpreh: "Ku janë Enveri me Mehmetin? Pse nuk kanë ardhur këtu, pale na hiqen edhe si shqiponja. Shqiponja si ata ne kemi sa të duash në Kaukaz, që bëjnë glasa gjithë ditën". Më pas, Hrushovi vazhdoi fjalimin e tij, duke na bërë thirrje indirekt ne ushtarakëve të lartë shqiptarë që të mos e lejonim aventurën e rrezikshme që po ndiqte Enver Hoxha me politikën e tij dhe nënteksti i fjalës së tij ishte që ne duhet ta rrëzonim Enver Hoxhën. Këto fjalë të Hrushovit m‘u kujtuan në atë çast që po na fliste Çu En Lai dhe ato ndryshonin vetëm në një gjë fare të vogël: në rast se Hrushovi i ra drejt e drejt, "me sëpatën e dardharit", Çu En Lai i ra pak larg e larg. Ndërsa ndryshimi tjetër më i madh ishte se në vitin 1961, kur foli Hrushovi, ne ushtarakët e lartë e braktisëm të gjithë sallën, ndërsa aty me Çu En Lain, nuk foli dhe nuk lëvizi asnjë nga ne.

Kur u njoftua Enver Hoxha për ato bisedime që po zhvillonte delegacioni juaj me ministrin e Mbrojtjes dhe Kryeministrin e Kinës, Çu En Lain?

E gjithë biseda në mes delegacionit tonë dhe atij kinez të kryesuar nga Çu En Lai, e cila zgjati rreth gjashtë orë, u stenografua nga dy radistët e Ministrisë së Brendshme që kishin ardhur bashkë me ne në Pekin dhe ata ia transmetuan urgjent Enver Hoxhës në Tiranë. Pas atij takimi, të dy radistët u kthyen menjëherë për në Shqipëri dhe vetëm atëherë ne e kuptuam se përse kishin ardhur ata në Kinë në përbërje të delegacionit tonë.

Si u prit nga Beqir Balluku dhe ju ushtarakët e tjerë përgjigjja e kinezëve për mosaprovimin e kërkesave tuaja?

Normalisht që ne na ranë si bombë përgjigjet e palës kineze, pasi deri në atë kohë ne ishim mësuar që të merrnim falas nga Kina çdo gjë që kërkonim. Por ne përsëri ishim të qetë, sepse ajo gjë nuk varej nga ne.

A ndihej i mërzitur Beqir Balluku pas atyre bisedimeve dhe si ishte gjendja e tij shpirtërore ato ditë?

Çuditërisht, Beqiri nuk ishte shumë i mërzitur, si në vitin 1961, kur na kishte folur Hrushovi në Moskë. Përkundrazi, ai ishte i qetë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, duke e quajtur përgjigjen e kinezëve diçka normale. Ndoshta kjo vinte edhe nga fakti se kurrsesi ai nuk mund të ishte përgjegjës për qëndrimin që po mbante pala kineze, aq më shumë që ai e kishte bërë detyrën e tij duke ia transmetuar Tiranës përgjigjen e tyre dhe duke hequr gjithçka nga supet e veta. Më kujtohet se në një nga ato ditë, kur ne anëtarët e delegacionit takoheshim darkave për mbledhje me Beqir Ballukun, ai na tregoi ngjarjen e vitit 1947 në Beograd, kur ai ishte në funksionin e shefit të shtatmadhorisë shqiptare. Në atë kohë, marshalli Tito i kishte bërë presion Beqirit, që ai të nënshkruante për ardhjen e dy divizioneve ushtarake në Shqipëri, gjë të cilën Beqiri nuk ia kishte pranuar.

Pas takimit me Çu En Lain, a ishte në axhendën e protokollit që delegacionin tuaj ta priste edhe Mao Ce Duni?

Gjatë asaj vizite nuk ishte planifikuar që delegacioni ynë të pritej edhe nga Mao Ce Duni, ndonëse ne bëmë disa demarshe që të takoheshim me të. Ne kishim shumë dëshirë që ta na priste edhe Mao Ce Duni, ashtu siç na kishte pritur çdo herë që kishim qenë për vizita në Kinë. Kur ishim në korridore, bisedonim me zë të lartë me njëri-tjetrin, që të na dëgjonin kinezët, por përsëri ai nuk na priti.

Shumë nga ish-ushtarakët e lartë shqiptarë, apo dhe civilë, që kanë qenë në ato vite në Kinë, kanë dëshmuar se survejoheshin rregullisht nga kinezët. Po me ju ndodhte ky fenomen?

Kinezët e kishin shumë të theksuar survejimin, jo vetëm ndaj nesh, por ndaj të gjithë të huajve që vizitonin Kinën. Që kur mbërritëm në Kinë, eprorët tanë na dhanë porosi të veçanta që në mënyrë kategorike nëpër dhoma të mos bënim asnjë bisedë pune. Kështu që ne ishim të detyruar që të gjitha bisedat t‘i bënim nëpër korridore, oborre dhe lulishte.

Pas takimit me Çu En Lain edhe sa kohë qëndruat ju në Kinë?

Pas takimit me Kryeministrin kinez ne qëndruam në Kinë edhe për dy javë të tjera dhe kinezët na dërguan për të parë e vizituar reparte dhe uzina ushtarake të llojeve të ndryshme të armëve. Beqir Ballukun, shefin e kimisë, Dhori Gjonin dhe mua, kinezët na dërguan për të parë edhe një minierë uraniumi.

Kur u kthyet në Shqipëri dhe në çfarë itinerari udhëtuat për në Tiranë?

Ne u kthyem për në Shqipëri disa ditë para Vitit të Ri dhe para nisjes delegacioni ynë u nda në tri pjesë, duke udhëtuar veç e veç. Në grupin e parë ishin Beqir Balluku, Rrahman Parllaku, Hito Çako dhe Abdi Mati me shoqëruesit e tyre, në grupin e dytë bënin pjesë të gjithë drejtorët e drejtorive dhe komandantët përkatës të të gjitha llojeve të armëve, ndërsa në grupin e tretë të gjithë ekspertët. Nga Shangai ne erdhëm në Paris, ku u shokuam dhe u mahnitëm me bukuritë e tij, ndonëse ne na kishin rekomanduar që të vizitonim vetëm Pigalin. Në Romë ne u bashkuam me Beqir Ballukun dhe të tjerët, e së bashku u kthyem për në Tiranë. Desha të them se edhe në Francë, edhe në Itali, i gjithë delegacioni ynë ishte nën masa të rrepta sigurie nga policia vendase, në mënyrë që të evitohej çdo incident i mundshëm me ndonjë nga emigrantët politikë shqiptarë të arratisur prej kohësh dhe që jetonin në ato shtete.

Pas kthimit tuaj në Shqipëri, a dërguan kinezët armatime nga ato që kërkuat ju gjatë vizitës suaj?

Kinezët vazhduan që të dërgonin armatime të ndryshme në Shqipëri nga ato që na kishin premtuar dhe kishim lidhur marrëveshje dypalëshe. Madje po ju them se kinezët na jepnin edhe armatime të cilat ne nuk ua kishim kërkuar, duke na thënë se ne kishim shumë nevojë për to. Kinezët kanë qenë shumë korrektë me ne shqiptarët gjatë gjithë periudhës së miqësisë së përbashkët midis dy vendeve tona. Edhe pse në vitet e fundit marrëdhëniet në mes dy vendeve ishin ftohur, ata vazhduan që të dërgonin falas armatime të ndryshme në Shqipëri, deri në 1977, kur ne u prishëm përfundimisht me ta.

A dihet ndonjë shifër e saktë për ndihmën ushtarake që na kanë dhënë kinezët deri në 1977, kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me ta?

Në vitin 1977, kur ne i prishëm marrëdhëniet me Kinën, kinezët na thanë se ndihma në fushën ushtarake që ata na kishin dhënë falas arrinte shifrën 13 miliardë juan (gati e barabartë me 13 miliardë dollarë) dhe kjo është më se e besueshme, sepse kinezët për çdo gjë që na dërgonin, na nisnin edhe faturën nga pas.

Po pse e bënin këtë gjë, kur ato ndihma ishin falas?

Këtë pyetje ja ka bërë edhe Enver Hoxha Kryeministrit kinez, Çu En Lait, në vitin 1965 në Tiranë, duke i thënë: "Ne jemi gati një ushtri, ju përse na dërgoni edhe faturën kur na sillni vaporët me ndihma falas"? Dhe Çu En Lai iu përgjigj: "Në mënyrë që brezat që do vinë, ta dinë se sa miqësi kemi pasur ne dy popujt".

Në vitin 1974-‘75, kur ndodhi goditja ndaj ushtarakëve të lartë dhe ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, u akuzua për teorinë e rrëshqitjes, e cila pak a shumë ishte ajo gjë që u kishte sugjeruar Kryeministri kinez Çu En Lai, ju dhe anëtarët e tjerë të atij delegacioni që ishit prezentë në ato bisedime, a patët probleme?

Kjo është një gjë tepër interesante, sepse të gjithë ne pjesëtarët e atij delegacioni, që ishim në atë kohë në Kinë, u goditëm. Përveç Beqir Ballukut e Hito Çakos, që u pushkatuan, të tjerët ose përfunduan në burgje, ose u internuan. Një ose dy vetë shpëtuan, duke pasur konsekuenca më të lehta, si shkarkime nga detyra apo përjashtim nga partia. Thashë se është interesante goditja që pësuam ne ish-pjesëtarët e atij delegacioni, sepse një ndër akuzat kryesore që na është bërë të gjithëve në atë kohë, ishte ajo se përse ne nuk kishim raportuar në Tiranë për ato që na kishte thënë Kryeministri kinez Çu En Lai. Kjo akuzë ishte krejt absurde, sepse nuk na takonte ne të informonim Tiranën, aq më shumë kur atë gjë e kishte bërë vetë Beqir Balluku, i cili e kishte detyrë funksionale të informonte udhëheqjen e lartë në Tiranë mbi bisedimet që u bënë atje.

Si filloi goditja ndaj jush dhe kur u arrestuat?

Goditja ndaj meje filloi që në vitin 1975, kur mua më nxorën në lirim në moshën 49-vjeçare, duke më dhënë pension pleqërie dhe ajo gjë vazhdoi deri në vitin 1978, kur nuk më zgjodhën më deputet të Kuvendit Popullor, në të cilin unë isha prej disa legjislaturash. Ndërsa arrestimi im ndodhi më 16 tetor të vitit 1980 dhe bashkë me mua u arrestuan edhe një grup ku bënin pjesë: Shyqëri Këllezi, pensionist, ish-anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së; Ali Kubati, drejtor i Tregtisë për Tiranën (ish-nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës); vëllai i tij, Ibrahim Kubati, inxhinier pyjesh; Dhimitër (Lola) Mano, zv/kryetar i Shoqatës së Gjuetarëve të Shqipërisë dhe Sabri Pilkati, ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës.

Çfarë lidhje kishit ju me njëri-tjetrin dhe për çfarë ju akuzonin?

Ne nuk kishim asnjë lloj lidhje pune apo veprimtarie me njëri-tjetrin. E vetmja lidhje ishte se unë kisha dhe kam për grua motrën e Ali Kubatit, ndërsa Lola Mano, kishte për grua motrën e Lym Ketës, shokut tonë. Në atë kohë, Sabri Pilkati ishte i internuar familjarisht në Buz të Tepelenës. Por ne na quajtën grup, pasi po të ishte grupazh, në bazë të Kodit Penal të asaj kohe dënoheshe më shumë. Ndër akuzat që na bëheshin ne si grup armiqësor, ishte ajo se gjoja kishim dashur të përmbysnim me dhunë pushtetin popullor, si dhe për agjitacion e propagandë. Arrestimi ynë në atë kohë bëri bujë të madhe në Tiranë dhe shumë kuadro i kapi paniku, duke pritur se kush e kishte radhën për t‘u arrestuar.

Ju personalisht, për çfarë ju akuzuan?

Akuza e parë ishte ajo që thashë më lart, se përse nuk kisha informuar rreth bisedës që kishim bërë me Çu En Lain në vitin 1971, duke më quajtur pjesëtar të grupit puçist të Beqir Ballukut; që kisha pasur si detyrë të bombardoja bllokun e udhëheqjes në Tiranë, e absurditete të tjera të kësaj natyre. Po kështu më akuzonin edhe për agjitacion e propagandë. Por me që akuza e parë që na bëhej për terrorizëm e përmbysje me dhunë të pushtetit popullor ra, ne na ndanë në dy grupe. Në njërin bëja pjesë unë me Shyqëriun e Ali Kubatin, kurse në tjetrin, Lola Mano, Sabri Pilkati dhe Ibrahim Kubati.

Si shpëtuat nga ajo akuzë?

Në atë kohë që ne ishim të arrestuar, gjatë një takimi Enver Hoxha i tha Feçor Shehut: "Populli e do udhëheqjen, sepse ne nuk na ka ndodhur gjë me anëtarët e Byrosë Politike që janë vazhdimisht në kontakte dhe në mes të popullit. Edhe ndaj meje si Sekretar i Parë nuk ka pasur asnjë rast problematik". Kështu, pas kësaj bisede, akuza që bëhej ndaj nesh për terrorizëm nuk mund të qëndronte më. Siç thashë dhe më lart, arrestimi ynë në atë kohë bëri bujë të madhe në Tiranë dhe shumë kuadro i kapi paniku, duke pritur se kush e kishte radhën për t‘u arrestuar. Këtë gjë e kuptoi edhe udhëheqja e lartë dhe ne shpëtuam nga ajo akuzë e rëndë.

Për çfarë ju pyesnin gjatë hetuesisë?

Çuditërisht, gjatë hetuesisë, apo më saktë aty nga janari i vitit 1981, mua më pyesnin për Mehmet Shehun, i cili ishte ende në funksionin e Kryeministrit të Shqipërisë. Kjo gjë ishte krejt e pazakontë, pasi atëherë hetuesia kishte një ligj të pashkruar, që në mënyrë kategorike nuk mund të pyeste për tre figurat kryesore të shtetit: Enverin, Mehmetin dhe Hysni Kapon. Por në rastin tim, kjo gjë u shkel dhe ata donin të dinin mendimin tim për shumë gjëra në lidhje me Mehmetin, për tezat e Këshillit të Mbrojtjes që kishte hartuar ai që në vitin 1969-‘70. Po kështu ata më pyesnin edhe se çfarë mendimi kishin ushtarakët e tjerë të lartë të ushtrisë në lidhje me tezat e Këshillit të Mbrojtjes që kishte hartuar e raportuar Mehmet Shehu në byronë politike. Të gjitha ato pyetje ishin shumë ngacmuese dhe tepër provokuese.

Si përgjigjeshit ju në lidhje me pyetjet që ju bëheshin?

Kuptohet se unë dhashë konsiderata pozitive për Mehmetin, pasi do ishte vetëvrasje për mua po të flisja ndryshe për Kryeministrin e vendit, që ishte ende në detyrë. Por sa për kuriozitet, po ju them një gjë, që më ka ngelur ende në mendje edhe sot e kësaj dite nga ajo periudhë e hetuesisë. Kur mbaroja hetuesinë dhe kthehesha në qeli, i tregoja shokut të qelisë për atë që më kishin pyetur. Ai person, të cilin në atë kohë unë nuk e njihja fare, ishte një provokator dhe i burgosur i vjetër ordiner, që ma kishin futur mua apostafat në qeli. Kur unë i shpjegova, duke i thënë se më kishin pyetur për Mehmetin, ai më tha: "Kam parë një ëndërr, sikur kishte vdekur një nga udhëheqja e lartë dhe mua ëndrrat më dalin gjithmonë". Unë e kundërshtova, duke i thënë se Enveri e Mehmeti ishin si kokrra e mollës (sepse këtë gjë ma kishte thënë Llambi Peçini para se të arrestohesha) dhe ia ktheva duke i thënë: "Ndoshta Haxhi Lleshi". Por ai më thoshte: "Jo Haxhi Lleshi, një person më i lartë dhe i rëndësishëm se ai", dhe e shtynte bisedën që unë të përmendja Mehmetin. Kjo bisedë që bëra me të, m‘u kujtua në burgun e Burrelit, në 18 dhjetor të vitit 1981, kur u komunikua vetëvrasja e Mehmet Shehut dhe as sot e kësaj dite nuk i kam kuptuar fjalët e provokatorit që më kishin futur në qeli.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›