E Diel, 1 Nëntor 2026

Carol Bouquet, ikona e ekranit francez

Carol Bouquet është një nga aktoret që ka luajtur në filmat e James Bond dhe një modele e famshme e "Chanel". Mbi të gjitha, jeta e saj ka qenë dhe vazhdon të mbetet burim mrekullimi dhe çudie në vendin e saj të lindjes, Francë. Ka qenë e dashura e Gerard Depardieu, telefoni i saj përgjohej nga Presidenti i atëhershëm francez, Miteran dhe më së fundmi u përfol se kishte pasur relata edhe me Presidentin aktual francez, Sarkozi. Në rrëfimin e mëposhtëm, aktorja flet për drogën, meshkujt e fuqishëm dhe dëshirën e re për aktivitet politik

Tashmë në moshën 50-vjeçare, Bouquet është një nga ikonat e pakundërshtueshme të Francës. Ajo i është mirënjohëse shumë vendit të saj për rregullat e rrepta në lidhje me jetën private, pasi në të kundërt ajo dhe shumë të tjera do të ishin shndërruar në persona të shkatërruar. Në hotelin "Ritz" në Paris ka një tryezë që qëndron gjithmonë në dispozicionin e saj. Shpesh ajo drekon apo darkon aty e vetme, apo nën shoqërinë e ndonjë mikeshe, e veshur gjithmonë në mënyrë shumë elegante dhe kryesisht me "Chanel". Dikur, për shumë kohë ishte ikona zyrtare e markës së famshme. Carol është mësuar me njerëzit që e vështrojnë ngado, sidomos me burrat. Ishte 13 vjeçe kur e kuptoi se vështrimet që të tjerët i hidhnin vazhdimisht kishin të bënin me pamjen e saj të jashtme, e cila kishte evoluar shumë, jashtë vullnetit të saj. "Në atë moshë isha shumë e ndrojtur. Njerëzit më konsideronin shumë të bukur dhe unë nga ana ime e ndjeja që duhet të sillesha në mënyrë të veçantë. E ndjeja që njerëzit prisnin më shumë nga unë", thotë Carol. Ish-studentja e filozofisë në Sorbonë debutoi për herë të parë në ekran në një film të Luis Bunuel, "Objekti i errët i dëshirës", por kjo para se të shndërrohej në aktoren e preferuar të gjeniut të kinemasë franceze, Bertrand Blier, i cili njëkohësisht ishte edhe mentori i aktorit të famshëm francez, Gérard Depardieu, që më vonë u shndërrua në dashurinë e madhe të Carol. "Kur unë punoja me Gerard, ai ishte i martuar dhe kurrë nuk kam dashur që të kem lidhje me të për shkak të statusit të tij", rrëfen Carol. Për sa i përket kinematografisë, ajo është disi e zhgënjyer që rolet e saj më të rëndësishme, si ai i heroinës Lucie Aubrac, në filmin e Claude Berrisë, në vitin 1997, nuk kanë pasur vëmendjen e duhur nga spektatori amerikan dhe ai britanik, ndryshe nga sa ka ndodhur në Francë, apo në vende të tjera të Evropës, ku suksesi ka qenë i madh. Në vendet anglisht-folëse, aktorja, që në Francë është një ikonë, mund të mbahet mend vetëm për dy shfaqje thuajse kalimtare. Një rol në një film të Fraancis Ford Copolas dhe tjetri në filmin "Vetëm për sytë e tu", i serisë së James Bond. Por këto janë shumë pak për një aktore të kalibrit të madh. Megjithatë, ky është fati i aktorëve evropianë, që shkëlqejnë në vendet e tyre, por shumë rrallë pranohen në ambientet e Hollivudit, prodhimet e të cilit përhapen në të gjithë botën. Veç kinemasë, aktorja prej vitesh është një aktiviste e të drejtave të njeriut dhe po prej vitesh ka edhe fondacionin e saj të bamirësisë. Kjo ka bërë që herë pas here të bjerë ndesh me politikat e shtetit francez dhe si pasojë është mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm. Gjatë periudhës presidenciale të Miteranit, telefoni i saj është përgjuar për një vit rresht. Sipas disa zërash, ky përgjim nuk ishte aspak i natyrës investigative për punën e saj në fondacionin e bamirësisë, por thjesht pasojë e një fiksimi që Presidenti kishte me aktoren e bukur. Carol Bouquet vjen nga një familje e shtresës së mesme parisiane. Kur ishte tre vjeçe, prindërit iu ndanë. E ëma u rikthye në fshatin nga vinte dhe Carol, së bashku me të motrën, u rritën nga i ati, një inxhinier avionësh. Vajzat e takonin të ëmën vetëm gjatë pushimeve. "Kur rritesh nga një burrë, jeta jote ndryshon. Je gjithmonë ndryshe nga vajzat që kanë pasur pranë nënat e tyre. Shpesh e pyesja veten në fëmijëri se përse na la mamaja, përse nuk donte të qëndronte me ne. Më vonë mësova se babai këmbënguli që ajo të mos na takonte dhe ajo, e pafuqishme, nuk mundi ta kundërshtonte vullnetin", thotë Carol. Në adoleshencë u dërgua nga i ati në një shkollë murgeshash, por nuk kaloi shumë dhe e përjashtuan. Kjo gjë ndodhi 4 herë rresht dhe sipas Carol, gjithçka ndodhi ngaqë ajo rebelohej ndaj një ambienti shumë të mbyllur dhe kufizues. Më pas u regjistrua në Sorbonë, në kursin e filozofisë, të cilin e la për të studiuar arte. Ishte ende studente kur e ndaluan rastësish në rrugë për t‘i dhënë rolin e saj të parë. "Personazhi im i parë ishte shumë interesant, por njëherazi i komplikuar dhe obskur. Në disa pika më ngjante dhe kur ma dhanë nisa të dyshoja se mos i kisha aq të dukshme anët e mia të errëta të karakterit, atë që nuk doja t‘ia rrëfeja as vetes time. Dikur kam pasur varësi ndaj çdo gjëje. Sot nuk pi më as cigare e as alkool. Mund të dukem si një njeri më në fund racional, por në fakt nuk jam. Kjo është vetëm një dukje". Përdorimin e drogës Carol e nisi pas vdekjes së të atit nga kanceri, kur ajo ishte vetëm 20 vjeçe. "Droga më ndihmonte që të ngrihesha nga shtrati në mëngjes dhe ta ndihmoja babain në momentet e tij më të këqija të sëmundjes, kur ishte thuajse i shpërfytyruar". Pas një periudhe të shkurtër pune në Paris, ajo provoi edhe Amerikën, por pa shumë sukses, ndaj iu rikthye shpejt vendlindjes. Me të ardhur, takoi personin që do të ishte dashuria e saj e parë e madhe, producentin e filmave, Jean-Pierre Rassam. "Më bëri të qesh që në takimin e parë dhe gjithë sa doja prej tij ishte të rrija e ta dëgjoja ndërsa fliste. Kjo më bëri që të pranoja ftesën për të ngrënë darkë dhe të filloja një nga lidhjet më të bukura të jetës sime", rrëfen Carol. I dashuri i saj ndërroi jetë në vitin 1985 nga një overdozë, në moshën 43-vjeçare. Ai kishte një stil jetese jashtëzakonisht të vështirë e të mbrapshtë, por për Carol ishte sipas vetë fjalëve të saj, "dashuria e jetës". "Edhe pse njeriu që doja ishte shumë i vështirë, vitet që kalova pranë tij janë më të bukurat e jetës sime. Ai ishte për mua gjithçka. Ishte njeriu që më ndryshoi jetën dhe kujtimet tona janë ndër thesaret më të çmuara që ruaj në zemër", thotë Carol. Aktorja iu ndodh njeriut të dashur në momentet më të vështira të jetës, kur përdorimi i drogës po ia shkatërronte karrierën dhe vetë shëndetin. Me të ka edhe një djalë, Dimitri, i cili aktualisht ka një shtëpi produksioni të vetën dhe vazhdon të ndjekë gjurmët profesionale të të atit. Për sa i takon Rassamit, ai i ishte rrëfyer një ditë një mikut të tij në lidhje me Carol, se për të ajo ishte engjëlli mbrojtës, se ishte një shenjtore e vërtetë, që Zoti ia kishte sjellë për të përballuar vitet më të vështira të jetës. Pas vdekjes së Rassam, Carol ndërsa rriste të birin dhe përparonte në karrierë, bashkëjetoi për disa kohë me një fotograf 18 vjet më të ri, i cili është edhe babai i djalit të saj të dytë, Luis, që erdhi në jetë në vitin 1988. Në vitin 1992 ajo u martua me mjekun Jackues Liebowitch, me të cilin u divorcua 4 vjet më vonë. Menjëherë pas divorcit nisi edhe lidhjen e dytë të rëndësishme të jetës së saj, atë me aktorin e famshëm, Gerard Depardieu. Më në fund, pas shumë vitesh, ia kishte dalë të harronte kujtimin e dashurisë së saj të parë dhe të fortë. Por edhe dashuria e saj e re kishte shumë probleme me drogën dhe me sjelljen. Depardieu bënte në atë kohë veprime shumë të pakontrolluara. "Mendoj se sjellja e tij vinte nga fakti që kishte zbuluar se e kishte realizuar tashmë ëndrrën e tij dhe se një gjë e tillë nuk i mjaftonte. Kishte diçka të rëndësishme që mungonte ende…". Kjo ishte një marrëdhënie që zgjati plot tetë vjet, me ulje-ngritje e momente tensioni, por që sipas Carol i riktheu asaj besimin se njeriu mund të dashurojë sërish me të njëjtën forcë që ka dashuruar dikur, pavarësisht se përvoja e parë mund t‘i ketë krijuar bindjen se forca e dashurisë është e parikthyeshme. "Kam jetuar me njerëz që kanë pasur një dell çmendurie në veten e tyre dhe një bindje të brendshme se do të ishin të paprekshëm nga Zoti e se do të binin gjithmonë me këmbë në tokë. Duket se kjo ka qenë shija ime për meshkujt. Unë i adhuroj njerëzit që kanë një forcë jetësore, që nuk tërhiqen, që provojnë e provojnë në maksimum çdo gjë, duke e konsideruar këtë si të vetmen mënyrë për t‘u ndjerë gjallë. Për sa i përket Gerard, duke i parë fytyrën mund të kuptosh disa aspekte të karakterit të tij. Ai, si edhe i dashuri im i parë, janë njerëz me një oreks për gjithçka, një oreks që nuk kënaqet kurrë. Edhe vetë jeta nuk i ngop, madje as ajo në ekstrem. Në momentin që triumfojnë, vetë triumfi e humbet kuptimin dhe një person i tillë vihet në kërkim të kënaqësive të tjera, të rreziqeve të tjera".

Në fund të marrëdhënies së tyre të gjatë, Depardieu pati një lidhje me një tjetër aktore të famshme franceze, Fanny Ardant. Fillimisht ai tha se lidhja me të ishte thjesht miqësore dhe se dashuria e jetës së tij ishte Carol, por kjo nuk ishte e vërtetë. Ndarja mes Carol dhe Gerard erdhi menjëherë më pas. Që nga ajo kohë, jeta e saj është shumë më e qetë. Tashmë ka lidhje me një italian, një njeri më në fund jashtë botës së filmave. Kur nuk punon, Carol shkon në Sicili, ku ka një vilë dhe disa hektarë vreshta. Aty merret me prodhimin e verës. Për Italinë ka dashuri të veçantë dhe e quan strehëzën e saj të qetë e të sigurt, vendin që i sjell vetëm buzëqeshje. Çështja tani është nëse kjo qetësi do të zgjasë shumë, apo do të ndërpritet nga ndonjë tjetër njohje e vrullshme? Vetë Carol pranon se vazhdon të jetë e mrekulluar nga njerëzit që kanë pasur dikur pushtet shumë të madh e më pas e kanë humbur atë. "Njerëz të tillë janë shumë imponues, sepse kur njerëzit janë në përpjekjet e luftën e tyre për të arritur suksesin, ndodhen në momentet e shpërthimit të narcizmit dhe kjo nuk i bën aspak tërheqës, sepse ti e di që herët a vonë gjithçka do të shpërthejë". Më pas ajo shton: "Mendoj se kujtimet janë si muskujt: duhet të vihen në punë, duhen ushtruar, për t‘i pasur në formë. Mua më pëlqen shumë të kujtoj të shkuarën, sepse vetëm kështu nuk do të shkëputem kurrë prej energjisë pozitive të ditëve të mia të bukura, njëherazi duke gjykuar gjithë gjërat që nuk kanë qenë të mira, por që në largësinë që ndodhen nuk më bëjnë dot më keq".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›