E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një histori spiunazhi nga Rusia

Me rrjedhën e viteve, investitorët e huaj, që zgjedhin Rusinë për të krijuar biznese, po mësohen gjithnjë e më shumë me të papriturat. Shpesh, në çastin kur gjërat duket se janë shtruar e shkojnë ashtu siç duhet, janë të detyruar të zbulojnë se bomba e radhës plas pas qoshes të rrugës. Vetëm kështu mund të përshkruhet lajmi i bujshëm i arrestimit të një menaxheri të lartë të "TNK-BP" (ndërmarrja e përbashkët ruse e gjigandes britanike të tregtisë së naftës, "British Petroleum") dhe vëllait të tij, nën akuzën e spiunazhit.

Arrestimet ndodhën më pak se tri javë pas zgjedhjes së Presidentit të ri të Rusisë, Dimitri Medvedev, i cili në pamje të parë dukej se kërkonte të lëshonte një mesazh liberalizmi dhe stabiliteti. Për t‘u shënuar është se arrestimet u kryen vetëm një ditë përpara se Parlamenti rus të miratonte rregulla të reja, më të ashpra, kundrejt investimeve të huaja, sidomos në ato raste kur bëhet fjalë për sektorë strategjikë, siç janë mineralet dhe energjia.

Më 19 mars, agjentë me veshje civile të policisë ruse - me shumë gjasa oficerë të Shërbimit Federal Rus të Sigurisë (FSB) - mësynë zyrat e kompanisë ruse, "TNK-BP", dhe asaj britanike, "British Petroleum", duke bllokuar dokumentacionin dhe duke ndalur dy menaxherët, nën justifikimin e marrjes në pyetje. Akuzat zyrtare u lëshuan ditën që pasoi.

Spekulime dhe konfuzion

Sipas një deklarate zyrtare të lëshuar nga FSB, dy të arrestuarit janë vëllezër, Ilia dhe Aleksandër Zaslavski, që të dy rusë me pasaporta amerikane. Sipas shërbimeve të fshehta ruse, akuzohen për zotërimin e informacioneve të klasifikuara si të një rëndësie shumë të madhe, që do t‘u shërbenin kompanive të huaja të naftës e gazit. Ilia punon për kompaninë britanike "British Petroleum".

Si për t‘i përkeqësuar edhe më tej gjërat, i vëllai, Aleksandri, është kreu i shoqatës "Moscow Alumni Club", degë kulturore e qeverisë britanike dhe njëherësh edhe shkak i një debati të nxehtë diplomatik mes Britanisë e Rusisë. Në janar, Rusia detyroi britanikët të mbyllnin zyrat e shoqatës, pasi disa agjentë policie kishin arrestuar një pjesëtar të stafit të saj mbi çështje të caktuara.

Edhe përpara mësimit të arrestimit të dy vëllezërve, mediat ruse kishin spekuluar mbi arsyet e mësymjes së policisë mbi zyrat e kompanive "TNK-BP" dhe "British Petroleum". Sipas Ministrisë së Brendshme ruse, kishin lidhje me një hetim në "Sidanco", një ish-kompani ruse për nxjerrjen dhe tregtimin e naftës, e cila u mbyll me shkrirjen brenda "TNK-BP" në vitin 2003. Për disa vite me radhë, "Sidanco" ka qenë subjekt investigimesh financiare që ngjiten në periudhën përpara se "British Petroleum" të investonte në Rusi. E megjithatë, në një rrëmujë të çuditshme informacioni, departamente të tjera të kësaj ministrie mohojnë që investigimi aktual mbi "TNK-BP" të ketë të bëjë me llogaritë e dikurshme të kompanisë "Sidanco".

Për më tepër, arrestimi i vëllezërve Zaslavski nuk ka asnjë lidhje të dukshme me rastin "Sidanco". Një përfundim i tillë ngre dyshimin shqetësues, por njëherësh shumë të besueshëm, se Ministra e Brendshme ruse, ajo degë e qeverisë përgjegjëse për shkeljet financiare, as që e ka idenë se çfarë interesi ka në këtë çështje FSB-ja. Një tjetër mundësi po kaq alarmuese është ajo që "TNK-BP" është njëherësh subjekt i dy apo më shumë hetimesh të palidhur me njëri-tjetrin, duke shënuar një sulm nga të gjitha krahët i qeverisë mbi investimin më të rëndësishëm të huaj që është bërë deri më sot në Rusi.

Njësoj si "Yukos" dhe "Sakhalin II"

Siç ndodh me thuajse të gjitha incidentet e këtij lloji, ka spekulime nga të gjitha anët se arrestimet janë të motivuara nga qarqe politike apo biznesi dhe jo në emër të ligjit. Dhe sigurisht nuk do të ishte hera e parë. Mësymja u kujton të gjithëve hetimin e stërzgjatur për evazion fiskal kundër kompanisë së naftës "Yukos", e cila përfundoi me mbylljen dhe rishtetëzimin e saj.

Në emër të shkeljes së ligjeve mbi taksat u vepra edhe për rishtetëzimin e një pjese të mirë të fushës naftëmbajtëse "Sakhalin II", e cila menaxhohet nga një shoqëri e përbashkët e kryesuar nga "Shell". Tamam kështu ndodhi edhe me pronën e zotëruar nga "Kovykta", një fushë gazmbajtëse gjigande në Siberi, të cilën britanikja "British Petroleum" pranoi t‘ia shiste vitin që shkoi kompanisë shtetërore ruse, "Gazprom".

Dorë e hekurt dhe paranojë

Ishin jo të paktë ata që dyshonin se TNK-BP do të ishte kompania e radhës në listë, duke qenë se Kremlini sistematikisht po vë nën kontroll të shtetit të gjithë sektorin energjetik në vend. E krijuar në vitin 2003, me një investim disa miliarda dollarësh nga ana e "British Petroleum", TNK-BP gjendet nën pronësinë (50 për qind me 50 për qind) e përbashkët të BP dhe të një grupi investitorësh rusë, ku përfshihen miliarderët e njohur Mikhail Fridman dhe Viktor Vekselberg.

Tani mund të marrë domethënie fakti që nën termat e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2003, aksionerët rusë të shoqërisë së përbashkët zotoheshin të mos i shisnin buqetat e veta përpara fundit të vitit 2007. Tani që kjo periudhë ka përfunduar, askush nuk do të çuditej sikur partnerët rusë t‘i shisnin shtetit pjesën e tyre të aseteve. Prej kohësh është thënë nën zë se "Gazprom" ishte shumë e interesuar në blerjen e tyre. Po t‘u referohemi përvojave të shkuara me kompani të tilla, do arrinim në përfundimin se veprimet e ashpra kundër aksionerëve të "TNK-BP" janë vetëm një mënyrë për të shtyrë aksionerët të shesin buqetat që zotërojnë, ose t‘i ulin nën çmimin që pretendojnë.

Përfshirja e lidershipit rus

Më alarmues për "British Petroleum" janë zërat që gjigandi energjik britanik është shënjestra kryesore - dhe jo partnerët e tij rusë - e këtyre qarqeve që kërkojnë të shtien në dorë sektorin energjetik rus. Më 20 mars, revista ruse e specializuar për biznes, "RBK Daily", citonte një burim anonim "shumë afër ‘TNK-BP‘", sipas të cilit synimi i hetimit në fjalë ishte nxjerrja e "British Petroleum" "jashtë biznesit të naftës në Rusi".

Ndërkaq, lajmi i dhënë nga shërbimet sekrete për hetime mbi dy qytetarë më pasaportë amerikane, të lidhur ngushtë me Britaninë, që kryenin aktivitet spiunazhi në truallin rus, bën të mendohet se FSB-ja, më shumë se me këdo tjetër, e ka me të huajt dhe jo me partnerët lokalë. Vetë "British Petroleum" nuk pranoi të jepte asnjë lloj komenti lidhur me këtë çështje pas arrestimeve.

Sigurisht që pyetja e madhe është se cili segment i politikës ruse fshihet pas gjithë kësaj fasade spiunazhi. Skandali agjenturor shpërtheu vetëm pak javë pas zgjedhjes së Medevdevit në postin e Presidentit të Rusisë, i cili vlerësohet relativisht si figurë progresiste dhe properëndimore. Është e kotë të nënvizohet se mësymja mbi "TNK-BP", një prej investimeve më të mëdha të huaja në vend, nuk është tamam sinjali që investuesit prisnin nga Presidenti i ri, i cili e merr zyrtarisht detyrën në fillim të majit.

Akuzat për spiunazh erdhën gjithashtu një ditë përpara se Duma ruse të miratonte një ligj të ri për rregullimin e investimeve të huaja në "sektorët strategjikë" të ekonomisë së vendit, veçanërisht në fusha kaq delikate sa ç‘janë nafta apo gazi. Sipas ligjeve të reja, të gjitha subjektet janë të detyruara të konsultohen me FSB-në lidhur me çdo investim të huaj në shkallë të gjerë, për të garantuar se nuk kërcënohen sekrete të rëndësishme shtetërore. Hetimet për spiunazh kundër krerëve të "TNK-BP" lëshojnë një mesazh drithërues për të gjithë ata që kanë ndër mend të investojnë në Rusi, të cilët tashmë duhet të përballen edhe me rregullatorë të komanduar nga shërbimet e fshehta.

Sjellja e agjencive ruse të sigurisë shpesh u afrohet kufijve të paranojës. Kreu i FSB-së, Nikolai Patrushev, paralajmëron papushim se të huajt, të fshehur pas maskave të pafajshmërisë së organizatave joqeveritare, në fakt nuk bëjnë asgjë tjetër veçse minojnë Rusinë dhe vjedhin sekretet e saj.

Përplasjet diplomatike

Nuk është hera e parë që "TNK-BP" e ka parë veten nën syrin dhe vëmendjen e FSB-së. Gjatë vitit 2005, shumë degë të kësaj kompanie në Siberi u pezulluan me urdhër të drejtpërdrejtë të FSB-së. Në vitin 2006, agjencia e shërbimeve të fshehta ruse hapi një hetim të gjerë nën justifikimin se zyrtarë shtetërorë kishin furnizuar kompaninë "TNK-BP" me sekrete të rëndësishme shtetërore. Sipas ligjeve ruse, të dhëna të sakta mbi rezervat ruse të naftës e të gazit nuk mund të jepen, pasi konsiderohen sekrete shtetërore. Gjë që ka krijuar prej kohësh dhimbje koke për krerët e "TNK-BP", e treta për nga madhësia mes kompanive të naftës në Rusi.

Por koha kur u bënë akuzat e reja, kaq shpejt pas zgjedhjes së Presidentit të ri, sigurisht që nuk mund të mos lerë dyshime. Ndoshta krerët e Kremlinit po kërkojnë t‘i bëjnë të qartë gjithë botës se zëvendësimi i Vladimir Putinit nga Medvedevi nuk do të pasohet nga asnjë lloj zbutjeje për sa u përket çështjeve të mprehta. Përplasjet diplomatike mes Rusisë dhe Britanisë nisën me vrasjen e emigrantit rus, Alexander Litvenenko, në vitin 2006, dhe me refuzimin e Rusisë për të ekstraduar njeriun, që nga policia britanike vlerësohet si përgjegjës i krimit.

Por ka të ngjarë që Medvedevi vërtet të mos ketë dijeni mbi gjithë çfarë po ndodh. Shumë mendojnë se do të jetë veç President kukull dhe se pushteti i vërtetë do të shtrihet mes elementëve që mbajnë vendet kyçe të shërbimeve të fshehta ruse, që përcaktojnë edhe vijat e ashpra që duhen ndjekur me Perëndimin. Me shumë gjasa nuk do kalojë shumë kohë përpara se ata që mbështesin teoritë e konspiracioneve (dhe në Rusi kjo do të thotë gjithkush), të spekulojnë se sulmi ndaj "TNK-BP" në fakt është pjesë e një lufte mes fraksioneve rivale brenda mureve të Kremlinit.

Sigurisht, në rast se fraksionet e ashpra me Perëndimin, të lidhura me FSB-në, kanë vendosur të provokojnë një skandal të sikletshëm ndërkombëtar me fillimin e presidencës së Medvedevit, nuk ka dyshim se do dinë ta bëjnë më së miri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›