Australian Open, asnjë problem për “Big”-ët
Rafael Nadal ka treguar dje se është rikthyer në formën më të mirë. Numri dy i botës mposhti me lehtësi në tre sete (6-2, 6-2, 6-2) sllovakun Lukash Lacko dhe në turin e radhës do të ketë përballë gjermanin Filip Kolshreiber.
Gjithçka e thjeshtë edhe për Endi Mërrej, që fitoi me rezultatin 6-1, 6-4, 6-3 ndaj Gikel. Asnjë problem për Endi Rodik. Britaniku mundi tenistin brazilian Tomas Beluçi 6-3, 6-4, 6-4, kurse kiliani Fernando Gonzalez fitoi përballë tenistit turk Marsel Ilhan me rezultatin 6-3, 6-4, 7-5. I vetmi që u detyrua të luajë pesë sete ishte fituesi i turneut të fundit vitin e kaluar, Huan Martin Del Potro, të cilit iu desh 4 orë e 17 minuta për të mundur amerikanin Xhejms Blejk me rezultatin e përgjithshëm 6-4, 6-7, 5-7, 6-3, 10-8.
Në turneun e femrave, Kim Klajsters, fituesja e turneut të fundit vitin e kaluar, vazhdon të tregojë një formë të mirë dhe dje mundi 6-3, 6-3 tajlandezen Tanasugran. Avancon edhe finalistja e vitit të kaluar në US Open, danezja Karolin Vozniacki (numri 4 në renditjen botërore). Ajo mposhti tenisten kanadeze Aleksandra Vozniak 6-4, 6-2.
Pa problem ka siguruar një vend në turin e radhës edhe Zvetlana Kuznetsova, pasi fitoi përballë Pavluçenkovas 6-2, 6-2, ndërkohë që rusja Dinara Safina kaloi me lehtësi tenisten çeke Barbora Zahlavova me rezultatin 6-3, 6-4.