E Shtunë, 31 Tetor 2026

Australian Open hyn ne fazen e nxehte te sfidave

“Australian Open” 2012 ka hyrë në fazën e nxehtë dhe emrat e mëdhenj, të paktën në tenisin për meshkuj nuk zhgënjejnë. Roxher Federer dhe Rafael Nadal janë kualifikuar në gjysmëfinale, ku do të zhvillojnë sfidën e radhës për trofeun e “Grand Slam”-it.
Federer ishte protagonist i një paraqitjeje të shkëlqyer, duke thyer me lehtësi argjentinasin Del Potro në tre sete (6-4 6-3 6-2). Në këtë mënyrë, në ndeshjen numër 1.000 në karrierë, zvicerani u hakmorr për disfatën në finalen e vitit 2009 në Flushing Meadoës.
Ai bëhet tenisti i shtatë në histori që arrin kuotën e njëmijë sfidave, duke u radhitur përkrah legjendave, Xhimi Konors, Ivan Lendl, Guilermo Vilas, Andre Agasi, Stefan Edberg dhe Xhon MekEnro.
Ndeshja u luajt me intensitet të lartë, mbi të gjitha në setin e parë, por “Mbreti” Roxher tregoi të gjithë forcën e tij, duke mos i dhënë asnjë shans rivalit. Në fakt, ai është i vetmi në këtë edicion në Melburn, duke përfshirë këtu edhe turneun për femra, që nuk i ka lënë kundërshtarët të fitojnë qoftë edhe një set të vetëm.
Triumfon edhe Rafael Nadal, i cili u shfaq në formë mjaft të mirë edhe pse çeku Tomas Berdish e vuri në vështirësi me lojën potente dhe fitoi 7-6 setin e parë me “tie-break”. Berdish vazhdoi lojën me goditje potente edhe në setin e dytë, duke i krijuar probleme Nadalit, megjtihatë këtë herë në “tie-break” fitues doli spanjolli.
Me klasin e tij të lartë dhe prej faktit se Berdish pësoi një rënie fizike, Nadal fitoi edhe setin e tretë dhe të katërt me rezultatet 6-4, 6-3, duke u kualifikuar në gjysmëfinale, ku e pret sfida me rivalin e tij të madh, Roxher Federer. Numri 2 në botë do të tentojë të thyejë zviceranin, për të synuar kurorën e 11-të në “Gran Slam”.
Ndërkohë, “Australian Open” ka humbur një tjetër emër të njohur. Për femra, Karolin Vozniacki u mposht nga kampionia në fuqi e këtij turneu, Kim Klajsters, në dy sete, 6-3, 7-6. Kjo disfatë i kushton shtrenjtë danezes, që bie nga froni si numri 1 i botës, ku qëndronte prej 67 javëve edhe pse nuk ka fituar asnjëherë një “Grand Slam” në karrierë.
Në vendin e saj, në krye të klasifikimit për femra do të ngjitet njëra ndërmjet Petra Kvitovas, Viktoria Azarenkas ose Maria Shaparovas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›