E Diel, 1 Nëntor 2026

Australiania mbron shqiptarin përdhunues

15/03/2005  Servet Demiri u gjet fajtor në dy akuzat nga prokurorët e çështjes

Disa javë përpara martesës përdhunoi 21-vjeçaren e dehur

Nga Londra

Megjithëse e tradhtoi disa javë përpara se të vendosnin unazat e martesës, duke përdhunuar një vajzë 21-vjeçare, bashkëshortja australiane e një shqiptari e ka kapërdirë të gjithë ngjarjen, sikur të mos kishte ndodhur asgjë shqetësuese. Ajo nuk ka ngurruar aspak t’ia falë shqiptarit këtë veprim, madje ka shkuar më tutje, duke dëshmuar në gjykatën australiane të krimeve në favor të bashkëshortit përdhunues. Por, bashkëkombasit e saj në përbërje të jurisë, gjatë procesit gjyqësor kanë menduar ndryshe, duke e gjetur bashkëshortin e saj, Servet Demiri, fajtor në dy akuzat për përdhunim.

Përdhunimi

Servet Demirit i kishin mbetur vetëm disa javë për të shijuar nga beqaria, pasi do të martohej me australianen Alison. Duke e parë që ditët e të qenurit vetëm po vinin drejt fundit, nuk ka dashur që t'i shpëtojë rasti, kur ka parë një australiane të dehur, e cila do të përdhunohej më pas nga ai. Shqiptari 28-vjeçar do të takohej me 21-vjeçaren vetëm disa minuta nga mbyllja e barit me emër “Brass Monkey” në “Fountain Gate Shopping Centre”, marsin e 2003-shit. Për Demirin nuk ka vonuar shumë që nga kontakti i parë me bukuroshen australiane, e cila kishte humbur toruan nga konsumimi i alkoolit, për ta çuar pas lokalit, ku gjendeshin disa pemë dhe ta përdhunonte. E gjithë kronologjia e ngjarjes u është treguar jurisë nga prokurori i çështjes, i cili sqaroi për ta se “njerëzit që merreshin me sigurimin e lokalit, të cilët panë aktin e përdhunimit, u kishin siguruar nga shqiptari se ajo ishte e dashura e tij. Viktima ishte e pirë, njëkohësisht e pavetëdijshme pas përdhunimit. Ajo ishte veçuar për një moment nga shoqet e saj kur u takua me Servetin”, deklaroi prokurori Michael Hennessy, i cili shtoi: “i akuzuari Demiri nuk tregoi aspak mëshirë. Të përdhunuarit dy herë të viktimës u kryen nga ai me gjakftohtësi, llogaritur mirë dhe aspak spontanisht".

Mohimi

Servet Demiri gjatë dëshmisë së tij në polici dhe më pas gjatë procesit gjyqësor i mohoi akuzat për përdhunim. “Marrëdhënia ime seksuale me vajzën ishte në mënyrë konsensuale”, u shpreh ai. Avokati mbrojtës i shqiptarit u shpreh se, “klienti i tij ishte nën ndikimin e alkoolit të konsumuar në bar, ai nuk është një njeri violent. Ai vjen nga një familje e mirë shqiptare”. Juria e ka gjetur fajtor shqiptarin 28-vjeçar në të dyja akuzat për përdhunim, ndërsa gjykatësi i çështjes, Tim Ë---ood, do të japë masën e dënimit në ditët në vazhdim.

Bashkëshortja

Australiania e quajtur Alison, me të cilën Servet Demiri kishte vendosur të ndante fatet e jetës, megjithëse i kishte të gjitha arsyet për t'u zemëruar me bashkëshortin që e kishte tradhtuar disa javë para martesës, ka bërë të kundërtën. Ka marrë guximin të dëshmojë në gjykatë në favor të burrit të saj, i akuzuar si përdhunues. Ajo i tregoi gjykatës, gjatë dhënies së dëshmisë, rreth tronditjes që përjetoi kur njeriu që do të bëhej bashkëshorti i saj, i rrëfeu për “mëkatin” e bërë vetëm pak javë para martesës. Pavarësisht nga kjo, Alison nuk e braktisi shqiptarin, duke thënë se, “kjo sjellje e tij ishte tërësisht jashtë karakterit", duke vijuar me dëshminë në gjykatë se, “ai gjatë kësaj kohe është sjellë si një bashkëshort shembullor".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›