E Diel, 1 Nëntor 2026

Austri, gazetari belg zbulon nipin e Hitlerit

Autori i Lajmit: Redaksia
Londër – Identifikohet një nga pasardhësit më të ngushtë të linjës së gjakut të Adolf Hitlerit. Ai jeton në një fshat të Austrisë dhe quhet Gerhard Koppensteiner. 45-vjeçari, që është një rritës lopësh, i ngjan Fyhrerit (Prijësit), pasi gjyshi i tij ishte kushëriri i parë i diktatorit. “Kjo lidhje gjaku na ka përndjekur kudo, mua dhe familjen time. Është një peshë e tmerrshme. Jam rritur duke e ditur që isha i lidhur me të. Si mund të bashkëjetosh me këtë gjë?”, - thotë 45-vjeçari për tabloidin britanik “The Sun”. Bujku austriak është babai i dy fëmijëve dhe shprehet se dëshiron që ata të mos rriten në hijen ish-kreut nazist. “Ne në shtëpi nuk flasim asnjëherë për këtë gjë”, - shton ai. Babai i Gerhard thirrej nga njerëzit me emrin Adolf dhe ishte vetëm 6 vjeç kur Hitleri vdiq në bunkerin e tij në Berlin në vitin 1945. “Ky mallkim e ndoqi për gjithë jetën”,- shprehet 45-vjeçari që është një nga të afërmit më të ngushtë të Fyhrerit, pasi ai nuk la fëmijë. Interesi për familjen e Hitlerit u rrit pasi një gazetar investigativ belg përdori gjurmët e ADN-së për të gjetur një të afërm të tij. Ndërkohë, gruaja e Gerhardit, 46-vjeçarja Renata, thotë se tashmë kjo është një histori e harruar. Koppensteiner e bëri testin e ADN-së në fillim të këtij viti dhe rezultatet treguan se ai kishte gjenet e njërit prej vrasësve më të përgjakshëm të historisë së njerëzimit. “Do të dëshiroja të mos i isha nënshtruar testit të ADN-së në këto momente. Unë mendoj se gjatë gjithë jetës sime nuk do ta mësoja prejardhjen time. Unë nuk kisha lindur ende kur ai vdiq dhe nuk dija asgjë për të. Por më pas u përfshiva në të gjithë këtë histori pasi disa gazetarë erdhën të më takonin këtu dhe më kërkuan testin e ADN-së. Ferma e zotit Koppensteiner ndodhet në afërsi të Hoheneich, jo shumë larg kufirit me Republikën Çeke. Ai u gjet nga një gazetar belg, Jean-Paul Mulders, i cili kishte gjetur më parë ADN-në e Hitlerit në Amerikë. Jean arriti ta siguronte ADN-në e Fyhrerit fshehtazi, pasi kishte marrë një mësallë të hedhur nga njëri nga trashëgimtarët e Hitlerit, i cili jeton në Long Island, të Nju-Jorkut. Njëri prej tyre, Aleksandër Stuart-Houston, 61 vjeç, një stërnip i Hitlerit, u ruajt për një javë nga gazetari deri sa ai hodhi plehrat. Nga ana tjetër Koppensteiner tha se ai nuk do tua tregojë kurrë sekretin e tij dy djemve të tij. “Çfarë tmerri do të ishte për ta kur të shkonin në shkollë, nëse fëmijët e tjerë do ta merrnin vesh. Unë nuk kam kohë për Hitlerin dhe politikat e tij. Unë dhe gruaja ime jemi njerëz të thjeshtë. Duam vetëm të na lënë të qetë. Zoti Mulders tha se ekzistojnë dhe 39 familjarë të tjerë që kanë lidhje me Hitlerin dhe jetojnë në rajonin e Valdviertel nga dhe ka origjinën Koppensteiner. Pas Luftës së Dytë Botërore emri Hitler pothuajse u zhduk dhe njerëzit e tij të afërt ndryshuan mbiemrat. Shumë familje që kanë bërë diçka të tillë sot përdorin si mbiemra Hiedler ose Huettler.

Ky lajm është publikuar: 31/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›