E Diel, 1 Nëntor 2026

Shiko kush u kthye! Blair në krye të fushatës së laburistëve

Autori i Lajmit: A.D

Londër - Ish-kryeministri britanik, Toni Bler, bëri një rikthim dramatik në skenën qendrore të politikës britanike ditën e djeshme, duke sulmuar konservatorët për inkoherencë dhe mbështeti Gordon Braunin si një politikan guximtar dhe vendimtar. Ish-kryeministri i Britanisë iu bashkua fushatës zgjedhore në Britani, që tu bëjë thirrje votuesve, të cilët pritet që të mos votojnë për Partinë Laburiste, pas 13 viteve të saj në pushtet. Që nga viti 1997, Bleri ka drejtuar laburistët, të cilët mposhtën konservatorët tri herë me radhë në zgjedhje. Por pas një dekade në funksionin e kryeministrit, Bleri dha dorëheqjen nga funksioni i tij në vitin 2007, duke i hapur rrugën kryeministrit aktual. Braun synon të drejtojë laburistët drejt fitores së katërt radhazi, në zgjedhjet që do të zhvillohen sipas të gjitha gjasave më 6 maj. Megjithatë, mbështetja e laburistëve me ndihmën e Blerit është një strategji mjaft e rrezikshme. Bleri konsiderohet si një orator tejet i aftë, por shumë votues ende janë të zhgënjyer për shkak të vendimit të tij për tiu bashkuar luftës në Irak. Në sondazhet e opinionit publik, laburistët renditen prapa konservatorëve në opozitë, por që nga janari, epërsia e konservatorëve ka filluar të zbehet. Anketat gjithashtu dëshmojnë se asnjëra parti nuk do ta sigurojë shumicën absolute, gjë që do ti mundësonte Braunit që të mbetet në funksionin e kryeministrit. Bleri e lavdëroi punën e Braunit për menaxhimin e krizës ekonomike, duke theksuar se kriza ka kërkuar vendosmëri dhe se Braun e ka ofruar atë. Bler tha se kryeministri aktual jo vetëm që e kishte nxjerrë vendin nga kriza, por këmbënguli se “lidershipi i tij i sigurt” është i duhuri për vendin në këto kohë të vështira. “Do të jetë një sukses i madh sigurimi i një mandati të katërt për laburistët”, - tha Bler, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të mos votojnë David Kamerun dhe konservatorët e tij. Dukshëm me një lëkurë të nxirë ai u foli anëtarëve të partisë nga salla tradicionale e Trimdon Labour Club, ku ai dha dhe dorëheqjen në vitin 2007. Me një siguri që për nga gatishmëria i ngjasonte një fushate presidenciale, Blair u fut në ndërtesë përmes një mjegulle të dendur ndërsa përjashta protestonin disa aktivistë kundër luftës. Por me tu futur brenda, atij iu rezervua një pritje shumë e zjarrtë, ndërsa nuk i mungoi humori përpara se të mbante fjalimin e tij të parë gjatë kësaj fushate. “Në një moment rreziku bota reagoi, Britania reagoi. Por ky vendim për të vepruar kërkonte përvojë, gjykim dhe guxim”, - shtoi Bleri. “Një vendim i tillë kërkonte udhëheqje dhe Gordon Braun arriti ta jepte. Ndërsa për konservatorët Bleri tha: “Ata duket sikur nuk e kanë vendosur pozicionin e tyre, kështu që qytetarët britanikë e kanë gjithashtu të vështirë të vendosin ku ata janë. Në kohë të pasigurta, ka shumë për të thënë për një lidership të tillë”. Lideri i konservatorëve, David Kamerun, tha se ai nuk ishte i shqetësuar për këtë ndërhyrje të laburistit Bler në këtë fushatë zgjedhore. Duke iu referuar miliona njerëzve që iu drejtua ish-kryeministri, që kur u largua nga zyra, Kamerun tha: “Është mirë ta shohësh atë të mbajë një fjalim që askush nuk e paguan”.

Ky lajm është publikuar: 31/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›