E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjata: Si i dogjëm kutitë nga frika e zgjedhjeve të parakohshme, kur u zgjodh Topi President

 

BLEDAR HOTI

Ish-kreu i KQZ-së, Çlirim Gjata, në intervistën e tij shprehet se opozita nuk e gëzon të drejtën të bllokojë procesin e djegies së fletëve të votimit, pasi një gjë të tillë e vendos vetëm Parlamenti me anë të ndryshimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor. Ai thekson se kur e gjithë vëmendja e opinionit publik ishte të përqendrohej te zgjedhja e kreut të ri të shtetit, në korrik të 2007, KQZ-ja mori vendimin për djegien e fletëve të votimit, zbrazjen e kutive, pasi vendi rrezikonte të shkonte në zgjedhje të parakohshme.
Z. Gjata, kohët e fundit politika është përfshirë në debatin për djegien e fletëve të votimit. Si e konsideroni ju debatin. A ka të drejtë KQZ-së të ndërmarrë një veprim të tillë?
Ka ardhur një moment që edhe politika dhe opinioni publik duhet ta kuptojnë se një gjë që është e zgjidhur me ligj dhe që ka në dorë një institucion shtetëror për ta zgjidhur, s’ka nevojë për debat. Duhet t’ju them se kjo procedurë ka qenë e parashikuar në të gjitha kodet zgjedhore. Politika nuk ka pse bën shumë zhurmë për asgjë, madje kjo procedurë ka eksituar edhe para viteve ’90. Këtë e ka ligji, këtë nuk e vendos njëri krah i politikës apo krahu tjetër. Madje kjo nuk është diçka që thuhet, që ligji është arritur me konsensus, opozita ka dhënë vulën e saj në ligj, nuk është e nevojshme t’i hyhet këtyre debateve. Në të gjitha kohërat kjo ka ndodhur.
Si është proceduar me djegiet e fletëve të votimit ndër vite?
Mund t’ju shpjegoj një specifikë, në vitin 2005. Kur unë isha anëtar i KQZ-së, u ngrit një komision hetimor parlamentar, që nuk mori asnjë masë për hapjen e kutive të votimit, rinumërimin apo hetimin e tyre. Ne si KQZ e shtymë vendimin për asgjësimin e fletëve të votimit, derisa të mbaronte punën ky komision hetimor. Ndërsa në vitin 2007, kemi shpallur një specifikë të veçantë në lidhje me fletët. Rezultati i fletëve të votimit të zgjedhjeve vendore u shpall më 8 qershor, ndërsa në fillim të korrikut filluan procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Kaluan dy-tre raunde pa u zgjedhur presidenti dhe atëherë u fol se mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme, pas dështimit të këtyre raundeve dhe ne si KQZ u angazhuam për të marrë vendimin për asgjësimin e kutive të votimit, pasi zgjedhjet e parakohshme realizohen brenda 45 ditëve. Dhe gjithë KQZ u ngrit në alarm, sepse po të shkonim në zgjedhjet e parakohshme, ne nuk kishim asnjë kuti gati. U sigurua fondi, u ngrit komisioni i posaçëm, KQZ-ja me një të punë të jashtëzakonshme brenda 10 ditëve arriti që të asgjësonte fletët e votimit. Por zgjedhjet e parakohshme nuk u bënë, falë konsensusit që u arrit për zgjedhjen e Presidentit.
Në atë kohë, ju kishit ndonjë kërkesë nga qeveria për të bërë gati bazën materiale?
Absolutisht jo, kurrë s’kemi pasur, s’di të ketë pasur një kërkesë të tillë. Gjithmonë KQZ-ja e ka çmuar vetë situatën. Kemi parë një situatë të tillë, kemi marrë masa. Shikoni nëse KQZ-ja, jo vetëm për këtë rast, por gjithmonë kur ka zgjedhje nuk merr masat e veta përpara se të dalë data e zgjedhjeve, atëherë nuk do të realizohen kurrë zgjedhjet. Sidomos në votimet lokale të 2007-ës, po të mos merrnim masa ne si KQZ që në vitin 2006, atëherë nuk do të realizoheshin kurrë zgjedhjet për tre javë më pas.
Opozita kërkon që të hapen kutitë dhe të rinumërohen fletët e votimit. Si e konsideroni ju këtë dhe sa ligjore është një gjë e tillë?
E kam dëgjuar kërkesën për hapjen e kutive për disa qarqe. Institucionet, kanë dalë apo jo nga politika, kanë përbërje politike ose jo, janë institucione. Detyrimi i tyre primar është të zbatojnë ligj. Ky është raporti bazë, ligji. Ai e ka në ligj që të asgjësojë fletët e votimit. Ndërsa kërkesa e opozitës, e dhënë nëpërmjet medias, nuk përbën kurrfarë obligimi për institucionin. Prandaj e vetmja zgjidhje është që të ndryshojë, ligji, Kodi Zgjedhor. E para, duhet të ketë kujdes kur të ndryshojë kjo dispozitë, nëse ajo ka një fuqi prapavepruese. E dyta, duhet të vendoset me një nen të posaçëm, apo me një dispozitë kalimtare derisa të realizohet një gjë e tillë. Pra Parlamenti e zgjidh me dispozitë prapavepruese ose kalimtare që ta pezullojë këtë veprim të KQZ-së, derisa politika të zgjidhë problemet e veta. Të njëjtën kërkesë mund të bëjë edhe qeveria për hapjen e kutive në qark të caktuar. Absolutisht institucioni, KQZ-ja nuk ka asnjë detyrim që ta pranojë një kërkesë e tillë. I vetmi propozim, zgjidhje vjen nga Parlamenti.
Ndërsa kjo kërkesë e opozitës vjen në një kohë kur është mbyllur procesi i 28 qershorit, kur kanë kaluar të gjitha hallkat dhe nuk ka pasur kontestime. A mund të ketë ndonjë parti politike që të dalë mbi vendimet e gjykatave në Shqipëri?
Unë mendoj se jo. Prandaj dhe them absolutisht jo. Në Shqipëri kemi pasur shumë precedentë të kundër, po themi ka ardhur nga politika në këto 18 vite të pluralizmit. Shpesh politika nuk ka pyetur edhe për vendimet e Gjykata ka marrë vendime të veta, por të paktën nëpërmjet Parlamentit. Diku kam dëgjuar se mund të shpallë edhe luftë, se kujt mund t’i shpallë unë nuk e di. Këtu çështja është se procesi zgjedhor ka kaluar një procedurë ligjore sipas Kodit Zgjedhor. Po marrim ankimet, nga KQZ-ja ato kanë kaluar në Kolegj Zgjedhor. E ka shqyrtuar KQZ-ja e ka rrëzuar, por kështu ka vepruar edhe Kolegji, këtu çështja mbyllet. Ligji thotë se vendimi i Kolegjit është përfundimtar dhe i formës së prerë. Vetëm dy vendime janë të këtij lloji, i Kolegjit dhe Gjykatës Kushtetuese. Pra s’ka më ankim, nuk e pret dot njeri atë vendim. Ka vendosur drejt apo gabim Kolegji, askush nuk ka të drejtë të gjykojë sot drejtësinë e vendimit të gjykatës. Pasi vendos Gjykata, të gjithë duhet të heshtin. Kështu që nuk ka më asnjë shkak ligjor sot, për të vendosur apo për të vepruar në kundërshtim me atë që vendosi Gjykata. E thënë më shqip, sot nuk mund të hapen kutitë e të rinumërohen fletët e votimit për ato qarqe, kjo qoftë edhe për një fletë të kontestuar, pas një vendimi që ka dhënë Gjykata. Se çfarë bën politika, që mund ta bëjë me Parlament, me apo protesta, këtu pastaj s’ka më ligj, s’ka institucione. Nëse vendosim një gjë të tillë, në të kundërt është antiligjore, pastaj duhet të themi se a kemi apo nuk kemi Kushtetutë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›