E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austria do të mbështesë Shqipërinë për liberalizimin e vizave

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua ditën e djeshme me kryetarin e grupit parlamentar të miqësisë Austri-Shqipëri, Volfgang Grossruck. Gjatë këtij takimi, Grossruck u shpreh se Austria do të mbështesë Shqipërinë në të gjitha etapat për perspektivën evropiane të Shqipërisë, duke filluar nga liberalizimi sa më i shpejtë i vizave. “Austria mbështet fort Shqipërinë në perspektivën e saj evropiane dhe do të jetë krah saj përgjatë rrugës drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ne mbështesim liberalizimin e vizave dhe e konsiderojmë Shqipërinë një vend fqinj, pavarësisht kufijve gjeografikë”, - u shpreh në fjalën e tij parlamentari austriak, Volfgang Grossruck. Nga ana e saj Topalli informoi mikun austriak se Shqipëria ka bërë hapa para në reforma. “Shqipëria, vijoi zonja Topalli, ka një rritje ekonomike solide prej 6 për qind. Falë reformave fiskale sot Shqipëria është vendi me taksat më të ulëta në Evropë, ndërsa ka nisur të aplikohet taksa e sheshtë prej 10 për qind. Kjo klimë ka bërë që investitorët e huaj të rrisin shumë interesin e tyre, kryesisht në infrastrukturë, energji e turizëm. Pak kohë më parë ne miratuam me një konsensus të gjerë, një paketë ndryshimesh kushtetuese. Prioriteti ynë tashmë është reforma në sistemin gjyqësor, si pjesë e rëndësishme e luftës sonë kundër korrupsionit”, - u shpreh kryetarja e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›