E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ligjet”: Dekretet e Topit janë antiligjorë



Komisioni i Ligjeve do të hartojë një raport me dy mendime

Dekretet për gjykatësit e lartë nuk do të votohen në Kuvend

Dekretet e Presidentit Bamir Topi për emërimin e pesë emrave si anëtarë të Gjykatës së Lartë nuk do të votohen në Kuvend. Komisioni i Ligjeve ka filluar ditën e djeshme shqyrtimin e pesë dekreteve të Presidentit Topi, nga ku duhet që brenda 7 ditëve të dërgojë një raport në Kuvend. Raporti do të ketë dy qëndrime politike dhe ligjore. Mazhoranca i ka cilësuar dekretet si të jashtëligjshëm, pasi sipas deputetëve të djathë, Presidenti nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që nuk është konsultuar me Kuvendin për emrat e rinj në Gjykatën e Lartë. Qëndrimi i dytë do të jetë i deputetëve të opozitës, të cilët kërkojnë votimin e tyre direkt në Kuvend. Sipas mendimit të shumicës në raport, përderisa dekretet janë të paligjshëm, ata nuk do të votohen nga Kuvendi, duke rrëzuar kështu të pesë emrat që janë propozuar. Sipas tyre, ky është një qëndrim që ka ligji në ndërtimin dhe funksionimin e vetë institucionit në fjalë. Në rast se Kuvendi vendos me shumicë votash për qëndrimin e deputetëve të djathtë, sipas juristëve, kjo do të thotë që Presidenti Topi duhet të bëjë gati pesë emra të rinj për Gjykatën e Lartë. Nga ana tjetër, deputetët e opozitës janë shprehur se Presidenti Topi ka vepruar në kuadër të Kushtetutës, ndaj dhe Kuvendi duhet të procedojë me votimin e dekreteve.

Qëndrimet

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, pas një debati maratonë me deputetët e majtë prej dy orësh për të njëjtën çështje, u shpreh se Kuvendi është ai që do të vendosë në rast se do të ketë votim ose jo. “Dekretet e Presidentit që kanë ardhur në Parlament nuk janë në përputhje me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese, me kërkesën e ligjit, organit të organizimit të Gjykatës së Lartë. Pas kësaj, të dyja mendimet do të shkojnë në seancë dhe pastaj seanca është ajo që ka vendimmarrjen”, - tha Beja. Ai tha më tej se kompetenca e Komisionit të Ligjeve është hartimi i raportit me mendimet që paraqiten nga deputetët dhe se “seanca do të shqyrtojë dekretet”. “Ne do të çojmë raportin. Ne do të themi në raport se Presidenti nuk është konsultuar. Kjo është detyra e komisionit për të çuar raportet, për të treguar se çfarë konstaton dhe në seancë çdo deputet shpreh mendimin e tij”, - tha më tej Beja.

Debati

Opozita ka kundërshtuar ashpër mendimin e mazhorancës që i cilëson si të jashtëligjshëm dekretet, si dhe doli hapur në mbështetje të Presidentit Topi. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, u shpreh se qëndrimi i mazhorancës është politik dhe jo ligjor, apo sipas procedurës kushtetuese. “Këtu nuk është çështje emrash, por parimesh dhe marrëdhëniesh mes mazhorancës dhe gjyqësorit. Kjo është përpjekje e Kryeministrit, për të vënë nën kontroll Gjykatën e Lartë. Mazhoranca nuk e bëri këtë debat kur u emërua kryetarja e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i vendit ka guxuar të dalë jashtë gardhit të Berishës. Kjo ka ndodhur, kjo është herezia”, - tha Xhafa. Në të njëjtën linjë janë shprehur edhe deputetët e tjerë të majtë. “Përgjithësisht 5 propozimet janë të bazuara në ligj. Ajo praktikë që është ndjekur nga Kuvendi që sa herë presidentët kanë sjellë propozime për anëtarët e organeve kushtetuese, komisionet i kanë shqyrtuar dhe është vendosur me votim në seancë pëlqimi apo mospëlqimi”, - tha deputeti i LSI-së, Spartak Braho. Deputeti tjetër, Spiro Peçi, u shpreh se Parlamenti në këtë mes ka vetëm rolin e pëlqimit ose jo të emrave të dekreteve. “Po të shohësh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ai nuk pengon Parlamentin që të vazhdojë me procedurat, siç ka vazhduar deri më sot. Ju dhe ata që përmendin këtë vendim, harrojnë se aty shtohet vetëm fjala pëlqim”, - tha Peçi. Tashmë pritet që ditën e ente të javës tjetër, raporti i Komisionit të Ligjeve, me dy mendimet të shkojë në Kuvend, nga ku do të vendosë nëse do të votohet për dekretet ose ato të anulohen, duke detyruar Presidentin që të dekretojë emra të tjerë.

Pjesë nga debati

Fatos Beja

Dekretet e Presidentit që kanë ardhur në Parlament nuk janë në përputhje me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese, me kërkesën e ligjit, organit të organizimit të Gjykatës së Lartë. Pas kësaj, të dyja mendimet do të shkojnë në seancë dhe pastaj seanca është ajo që ka vendimmarrjen. Tani kjo është një çështje për ta diskutuar në seancë. Ne sot kishim diskutimin në komision, do të bëjmë raportin, si është situata, dhe pastaj në seancë do të gjykohet.

Fatmir Xhafaj

Jemi për mbrojtje të institucioneve, jo për mbrojtje të individëve të veçantë, nuk jemi për të mbrojtur Jozefina Topallin këtu, por për të mbrojtur misionin e Kuvendit. Duhet të ndërpresim diskutimin për procedurën, se është gjëja më pak e rëndësishme, është kjo procedurë e shkatërruar që është përdorur në këtë rast. Duhet të gjykojmë për thelbin që Gjykata e lartë është e bllokuar dhe është nën presionin e Kryeministrit.

Spiro Peçi

Mua më duket diskutim objektiv. Po të shohësh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ai nuk pengon Parlamentin që të vazhdojë me procedurat, siç ka vazhduar deri më sot. Ju dhe ata që përmendin këtë vendim, harrojnë se aty shtohet vetëm fjala pëlqim.

Aldo Bumçi

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar të gjithë procedurën që duhet të ndiqej. Në janar të vitit 2005, ish-Presidenti Alfred Moisiu i kërkoi një interpretim Gjykatës Kushtetuese për të njëjtën çështje dhe gjykata vendosi se duhet të ketë konsultime me Kuvendi, gjë që nuk është bërë.

Spartak Braho

Është krijuar vakum dhe shqetësim në organet kushtetuese të drejtësisë. Janë të pajustifikueshme argumentet e kryetares. I gjej me vend presionet e ndërkombëtareve që detyruan kryetaren e Kuvendit të fusë në rendin e ditës shqyrtimin e këtyre dekreteve. Përgjithësisht 5 propozimet janë të bazuara në ligj. Ajo praktikë që është ndjekur nga Kuvendi, që sa herë presidentët kanë sjellë propozime për anëtarët e organeve kushtetuese, komisionet i kanë shqyrtuar dhe është vendosur me votim në seancë pëlqimi apo mospëlqimi.

Topalli: Dekretet janë duke u shqyrtuar

Kryetarja e Kuvendit, gjatë një vizite ditën e djeshme në Shkodër, u shpreh se dekretet e Presidentit Topi për pesë emrat e rinj në Gjykatën e Lartë, janë duke u shqyrtuar nga Komisioni i Ligjeve. “Dekretet janë duke u shqyrtuar nga Komisioni i Ligjeve. Kuvendi do të ndjekë hapat që ka vendosur Gjykata Kushtetuese”, - tha Topalli, e cila shtoi se në seancë do të shihen edhe qëndrimet e palëve. Qëllimi i vizitës së kryetares Topalli në Shkodër ka qenë njohja e këtij qyteti nga ana e kryetarit të grupit parlamentar të miqësisë, Austri-Shqipëri, Wolfgang Grossruck. Gjatë takimit të zhvilluar në Bashkinë e Shkodrës, kryebashkiaku Lorenc Luka vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë austriake në një sërë investimesh. Ai përmendi në këtë kuadër investimin prej 7 milionë eurosh, që ka zgjidhur problemin e furnizimit me ujë të pijshëm në këtë qytet, investimin në sistemin e kanalizimit të ujërave të bardha dhe të zeza. Gorssruck, i cili pak ditë më parë u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Shkodrës, u shpreh se Austria dhe Shkodra po i rikthehen një tradite të hershme. “Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Evropës”, - tha ai. Në takim me qytetarët dhe intelektualët e Shkodrës foli edhe Jozefina Topalli, e cila shprehu kënaqësinë se qeveria austriake po i rikthehet një bashkëpunimi të tillë të mirëfilltë me qytetin e Shkodrës. Ajo përmendi mbështetjen që austriakët i kanë dhënë Shkodrës në fusha të ndryshme, si në atë të ujit të pijshëm, kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, sistemin universitar përfshirë dhe hapjen e shkollës së mesme profesionale të informatikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›