E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, nis reforma në institucionet e Sigurisë



Ndërrohet kreu i Shërbimit Informativ Ushtarak

Kryeministri shkarkon Gjergjin, emëron Zylën

Tragjedia e Gërdecit ndëshkon rëndë drejtuesit e institucioneve të Sigurisë Kombëtare. Kryeministri Sali Berisha nisi dje reformën në këto institucione, si përgjegjëse për tragjedinë e 15 marsit. I pari që është prekur nga kjo reformë ka qenë kreu i Shërbimit Informativ Ushtarak (SHIU), një nga institucionet më të kritikuara për mungesë informacioni mbi fabrikën e Gërdecit. Hysen Gjergji u zëvendësua me ushtarakun Ylli Zyla. Kryeministri Berisha mbështetur në pikën 3 të nenit 102, të Kushtetutës dhe në pikën 1, të nenit 7 të ligjit nr. 9074, “Për Shërbimin Informativ Ushtarak”, me propozim të ministrit të Mbrojtjes urdhëroi dje emërimin e Major Ylli Zylës drejtor të Shërbimit Informativ Ushtarak. SHIU është dhe institucioni përgjegjës për informimin sekret që ka të bëjë kryesisht me ushtrinë. Në rastin konkret ky shërbim nuk kishte raportuar për rrezikshmërinë që paraqiste fabrika e çmontimit të armëve shumë pak kilometra larg kryeqytetit. Para pak ditësh, Kryeministri Berisha mblodhi Komitetin e Sigurisë Kombëtare, ku në prani të krerëve të institucioneve të sigurisë kritikoi punën e tyre, ndërsa e vlerësoi dështim të sigurisë në vend tragjedinë që ndodhi në Gërdec më 15 mars. Para anëtarëve të komitetit, Berisha kërkoi rishqyrtim të institucioneve të Sigurisë, ndërsa apeloi për një koncept të ri në funksionimin e këtyre institucioneve. Berisha insistoi për bashkërendim të punës së institucioneve që përgjigjen për sigurinë në vend. Shefi i qeverisë lajmëroi ngritjen e një departamenti për agjencitë e Sigurimit pranë Këshillit të Ministrave, që ky departament të koordinojë punën e agjentëve. Këtu përfshihen SHISH, Garda e Republikës, Policia, tatimet, doganat, Shërbimi i Ushtrisë, Policia Ushtarake dhe inspektorate të tjera. Modeli i një strukture të tillë ekziston në shumë vende të tjera dhe mund të marrë atributet e një kolegjiumi, që të shqyrtojë periodikisht problemet e sigurisë në vend. Edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi, në një takim të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka kritikuar ashpër punën e këtyre institucioneve, ndërsa ka nxjerrë në pah përgjegjësitë që ata kishin në tragjedinë e Gërdecit. Z. Topi kërkoi reformë të thellë në institucionet e sigurisë kombëtare, gjë të cilën e konkretizoi dje Kryeministri Sali Berisha, duke emëruar drejtorin e ri të Shërbimit Informativ Shtetëror, z. Ylli Zyla.

Topi, Kondit: Ikën një profesionist nga Gjykata e Lartë

Është dashur fundi i mandatit të tij 5-vjeçar në krye të Gjykatës së Lartë, që kreu i shtetit, Bamir Topi, të nxjerrë në pah punën e mirë të Thimio Kondit në krye të këtij institucioni. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti në zyrën e tij paraditen e djeshme kryetarin e Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, i cili përfundoi mandatin e tij pranë kësaj gjykate. Zyra e shtypit pranë kryetarit të shtetit bëri të ditur se Presidenti Topi vlerësoi punën disavjeçare të z. Kondi në krye të Gjykatës së Lartë, por edhe eksperiencën e tij si profesionist i fushës. Nisur nga kjo eksperiencë e gjatë profesionale, Presidenti i Republikës ka shprehur besimin se bashkëpunimi me z. Kondi do të vijojë edhe në të ardhmen. Nga ana e tij, z. Kondi falënderoi Presidentin Topi, për pritjen e mbështetjen dhe e ka siguruar për gatishmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin me kreun e shtetit. Përfundimi i mandatit të z. Kondi vjen në një moment delikat për politikën në vend dhe vetë institucionit të Presidencës dhe Gjykatës së Lartë, dhe bëhet fjalë pikërisht për 5 dekretet e z. Topi për anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë. Mazhoranca vazhdon të kundërshtojë mënyrën e zgjedhjes së kandidaturave nga z. Topi, duke u justifikuar me faktin se u shmang Kuvendi nga procesi i konsultimeve për emrat. Por tashmë institucioni i Gjykatës së Lartë do të përballet dhe me përfundimin e mandatit të kryetarit Thimio Kondi, i cili pritet të zëvendësohet nga një tjetër gjyqtar.

Berisha-Alabdulkarim: Më shumë investitorë arabë në Shqipëri

Investitorët e Arabisë Saudite janë të mirëpritur në Shqipëri, dhe se qeveria “Berisha” po bën çdo përpjekje për krijimin e një klime sa më miqësore dhe mbështetëse për investimet në vend. Kryeministri Berisha priti dje ambasadorin e ri të Mbretërisë së Arabisë Saudite, në Tiranë, Abdullah Abdulaziz Alabdulkarim. Berisha i uroi ambasadorit mirëseardhjen dhe suksese në misionin e tij diplomatik në Shqipëri, duke shprehur besimin se gjatë mandatit të tij, ai do të japë një kontribut të ri në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite. Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite, në Tiranë, Alabdulkarim, i shprehu Kryeministrit Berisha angazhimin dhe vullnetin e vendit të tij për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh, veçanërisht për të nxitur bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Të dy personalitetet diskutuan në takim edhe për Kosovën dhe zhvillimet e tjera në rajon. Kryeministri Berisha i kërkoi ambasadorit mbështetjen e qeverisë së vendit të tij, për njohjen e shtetit të ri të Kosovës, duke theksuar se pavarësia e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›