E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca do të rrëzojë dekretet e Topit

Nuk ka më asnjë dyshim, mazhoranca e djathtë ka vendosur t’i japë një mesazh të fortë Presidentit që zgjodhi para një viti. Të mërkurën në Komisionin e Ligjeve deputetët e PD-së kanë vendosur të deklarohen kundër dekreteve të Topit për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, duke preferuar që të mos i kalojnë ato fare seancës plenare, vota kundër e së cilës do të ishte më e rëndë për Topin. Futjen në shqyrtim e bëri publikisht të ditur dje kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke u shprehur se “dekretet do të shqyrtohen në komisione, ato do të vendosin”. Sipas saj “Kuvendi ka meritë për emërimet” Nuk dihet sa e mundur do të jetë kjo, duke pasur parasysh përbërjen e Komisionit të Ligjeve, ku PD nuk arrin gjithmonë të ketë shumicën e votave. Burime pranë anëtarëve demokratë të Komisionit të Ligjeve bënë të ditur se në seancën e së mërkurës do të kërkohet informacion i detajuar për pastërtitë e emrave të firmosur nga Topi. Informacioni do të kërkohet, sipas tyre, nga disa institucione që mund të jenë kompetente për këtë çështje, si Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive. Ky informacion do të kërkohet duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i lejon Kuvendit të shqyrtojë emrat për Gjykatën e Lartë para se të japë verdiktin e tij përfundimtar. Pasi nuk gjetën mirëkuptim nga Presidenti për mundësinë e ndryshimit të tyre, PD ka vendosur t’i rrëzojë ato në rrugë ligjore, nëpërmjet Komisionit të Ligjeve dhe nëse do të jetë nevoja në seancë plenare.

Konsultimet e Topallit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pasur ditën e djeshme disa takime me juristët dhe konstitucionalistët më të mirë të vendit në lidhje me çështjen e dekreteve që Presidenti Topi ka dërguar në Kuvend për miratimin e 5 anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë. Në takimet në fjalë, Topalli ka dëgjuar mendimin e juristëve në lidhje me mënyrën e procedimit për sa u përket dekreteve. Burime pranë kryetares së Kuvendit thanë për “standard” se bëhet fjalë për juristë, profesorë të së drejtës dhe ish-anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Ndërkohë sipas burimeve në Kuvend, dekretet e Presidentit Bamir Topi për emërimin e 5 anëtarëve të Gjykatës së Lartë, do të fillojë ditën e mërkurë në komisionin përgjegjës, atë të Ligjeve. Ndërkohë jo pak juristë i kanë dalë në mbrojtje variantit që mbështet Topalli dhe mazhoranca dhe ka të bëjë pikërisht me referimin tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Konstitucionalistja Aurela Anastasi, në një intervistë të pak ditëve më parë në BBC, u shpreh se shqyrtimi i dekreteve të Presidentit Topi, ishte i detyrueshëm pavarësisht kontestimeve. Duket se këshilla e juristëve të njohur për kryetaren Topalli ka qenë që dekretet duhet patjetër që të shqyrtohen në Kuvend, pavarësisht miratimit ose jo të tyre. Gjithashtu kontestimet, që pritet të ndodhin për emrat e disa anëtarëve të propozuar nga Topi, do të ndodhin në Komisionin parlamentar të Ligjeve, i cili do të votojë në rast se dekretet do të shkojë për votën përfundimtare në Kuvend. Edhe në rast se Komisioni i Ligjeve voton për të kaluar në Kuvend emrat e rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë, është Kuvendi i cili vendos me shumicë votash prej 71 deputetësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›