E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat në BE, shqiptarët më të refuzuarit

Edhe pas marrëveshjes për liberalizim, s’ka viza

Sondazhi: Shqiptarët, më pak viza nga vendet e Ballkanit

Shqipëria është një ndër vendet më të diskriminuara për dhënien e vizave nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Edhe pse që nga janari i 2008-s ka filluar procesi i liberalizimit të marrjes së vizave, qytetarët shqiptarë hasin vështirësi të mëdha për të marrë një vizë “Shengen” drejt vendeve të BE-së. Ky është përfundimi i një monitorimi të Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, e drejtuar nga Ditmir Bushati, në bashkëpunim me disa organizata joqeveritare nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe “European Citizen Action Service”, me qendër në Bruksel. Procesi synon të kuptohet se sa realisht është lehtësuar lëvizja e shqiptarëve drejt BE-së dhe të nxitet më tej procesi i liberalizimit të vizave. Në bazë të këtij monitorimi del se Shqipëria mbetet një nga vendet e rajonit me shkallën më të lartë të refuzimit të vizave, me një mesatare rreth 23 % të totalit të aplikimeve, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 17%. Nisur nga kjo, këto organizata marrin përsipër të vazhdojë monitorimin, duke kryer sondazhe në konsullatat e shteteve “Shengen”, si dhe kanë vënë një numër në dispozicion, ku çdo qytetar mund të telefonojë duke treguar historinë personale për marrjen e vizës, si dhe mund të konsultohet.

Të dhënat

Të dhënat e këtij monitorimi janë vërtet shqetësuese. Qytetarëve shqiptarë vazhdon t’u refuzohet marrja e vizave, edhe pse ka hyrë në fuqi procesi i liberalizimit të tyre. Numrin më të madh të refuzimit të vizave e ka Greqia me 37%, ndërsa më shumë viza qytetarët shqiptarë që kanë aplikuar kanë marrë nga ambasada dhe konsullatat italiane, me 11% refuzim. Edhe Gjermania ka një shifër të lartë të refuzimit të vizave me 24%, e ndjekur nga Franca dhe Austria, me 22%. Këto rezultate kanë ardhur si pasojë e një sondazhi nga një grup të intervistuarish dhe plotësimin e një formulari të detajuar, standard, nga aplikantët shqiptarë në konsullatat e Greqisë, Italisë, Gjermanisë, Francës dhe Austrisë. Nga vëzhgimet e kryera nga “Lëvizja Evropiane në Shqipëri” nëpër konsullatat e ndryshme, rezulton se shqiptarët ende nuk kanë shpëtuar nga lista e gjatë e dokumenteve që duhet të paraqesin dyerve të ambasadave. Koha e pajisjes me viza vazhdon të mbetet një problem dhe në disa raste tejkalon edhe periudhën për të cilën kërkohet viza. Monitorimi është i ndarë në dy etapa. Fillimisht do të jetë funksionale një linjë komunikimi, ku aplikantët e vizave “Shengen” mund të konsultohen. Linja telefonike 04-2253184 dhe adresa e e-mail-it info@em-al.org do t’u shërbejë jo vetëm individëve, studentëve apo akademikëve, por edhe organizatave të tilla si agjenci udhëtimi, klube sportive, shoqata artistike apo komunitetit të biznesit. Etapa e dytë parashikon kryerjen e një sondazhi në konsullatat e shteteve të “Shengen”-it në Tiranë.

Kume: Referendumi, KQZ vendim konform ligjit

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, e konsideron të vlefshëm dhe të drejtë vendimin e këtij institucioni pak ditë më parë, lidhur me kërkesën për referendum të Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës. Ai e vlerësoi vendimin e KQZ-së të bazuar, duke konsideruar se kërkesa e KMK kishte për fillesë të saj një referendum kushtetues, për të cilat KQZ nuk ka kompetencë të fillojë procedurat për fillimin e tij. “Kërkesa për referendum është një rast që tejkalon kompetencat e KQZ-së. Referendumet kushtetuese trajtohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese”, - tha Kume. Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Socialiste për Integrim e konsideroi si të pavlefshëm vendimin e KQZ-së, duke deklaruar se 50 mijë qytetarë kanë të drejtë që të kërkojnë zhvillimin e një referendumi. Komisionit Qendror i Zgjedhjeve mori pak ditë më parë në shqyrtim kërkesën e KMK-së për referendum kundër ndryshimeve kushtetuese, të bëra më 21 prill. Bazuar në nenin 123 të Kodit Zgjedhor, KQZ u shpreh se kjo kërkesë është jashtë kompetencave të saj dhe fillimi i procedurave të këtij referendumi është nga Kuvendi dhe jo nga KQZ. KQZ vlerësoi se një kërkesë e tillë është jashtë kompetencave të saj. Duke iu referuar nenit 123 të Kodit Zgjedhor, procedurat nisin nga Kuvendi. Nismëtarët e referendumit dorëzojnë në Kuvend një kërkesë të shoqëruar me 28 firma deputetësh. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit i dorëzon një kërkesë Gjykatës Kushtetuese, e cila merr në shqyrtim kërkesën, duke vendosur nëse kërkesa është konform ligjit ose jo. Nëse Kushtetuesja e pranon kërkesën, bën me dije Presidentin dhe ky i fundit KQZ-në, e cila ka për detyrë organizimin teknik të referendumit.

Koçi: PS ka humbur elektorat

Lëvizja për Politikë Institucionale deklaron se shkatërrimi i institucioneve të partisë i ka sjellë humbje militantësh dhe elektorati në Partinë Socialiste. Kjo lëvizje zhvilloi takimin e radhës në njësinë nr. 10 të Bashkisë së Tiranës. Merrnin pjesë anëtarë dhe kryetarë organizatash të PS-së të kësaj njësie. Në takim u theksua me shqetësim shkatërrimi i institucioneve të partisë dhe privatizimi i administrimit organizativ në të gjitha strukturat. Kjo, sipas tyre, ka sjellë largime militantësh dhe po kthehet në braktisje elektorale ndaj PS-së. Kryetari dhe sekretarët e Lëvizjes për njësinë 10 kërkuan forcimin organizativ të mendimit ndryshe në parti. Petro Koçi vuri në dukje nevojën e shndërrimit të PS-së në një shtëpi të lirive politike dhe demokratike. “Një parti me anëtarësi memece ndaj problemeve të brendshme nuk vjen dot në pushtet, kultivimi i nënshtrimit ndaj udhëheqjes së partisë e ka çuar në minimum vetëveprimin dhe iniciativën politike opozitare të PS-së”, - tha ai. Sipas tij, referendumi për mbrojtjen e Kushtetutës është rruga e bashkimit të së majtës. “Ndarja e grupit parlamentar nga të gjitha partitë e majta për t’u bashkuar me Sali Berishën në lidhje me Kushtetutën përbën atentat, jo vetëm ndaj vlerave demokratike të demokracisë, por edhe ndaj kohezionit të së majtës. Një PS përtej së majtës shkon tek e djathta”, - vijoi Koçi. Takimet do të vijojnë edhe në njësitë e tjera të Bashkisë së Tiranës.

Çamët

Partia për Drejtësi dhe Integrim reagoi dje pas intervistës së fundit të ambasadorit grek në Shqipëri, z. Konstantinos Kokossis, ku ai shprehet se çështja çame helmon marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. “PDI dëshiron të theksojë se z. Kokossis sapo u emërua në Shqipëri, u shfaq me deklaratën e rij absurde, sipas së cilës, çamët paskan ardhur me dëshirën e tyre në Shqipëri në vitet 1944–1945, ndaj besojmë se ky zotëri do të mbahet mend në Shqipëri si ambasadori grek me arkaik dhe ngatërrimtar në pozicionet e marra publikisht ndaj çështjes çame”, - thuhet në një njoftim për shtyp të kësaj partie. Partia për Drejtësi dhe Integrim nënvizoi “se ky zotëri nuk denjon të përmendë masakrat e kryera ndaj popullsisë çame gjatë atyre viteve, të cilat së bashku me dhunën çnjerëzore të ushtruar nga forcat rezerviste të famëkeqit Zerva, detyruan me forcë popullsinë çame të lërë trojet dhe shtëpitë e tyre të pasura, fakte këto të njohura ndërkombëtarisht”.

“G99”, letër Topit për votën e emigrantëve

“G99” i dërgoi dje një letër zyrtare Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, për t’i kërkuar të gjithë mbështetjen e tij politike dhe institucionale në promovimin e iniciativës, për të garantuar mundësinë e votimit në zgjedhjet e përgjithshme legjislative dhe referendumet kombëtare për shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit. “G99” i ka bërë thirrje Presidentit Topi në kapacitetin e tij, si simbol i unitetit të kombit dhe garantues i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që të bëhet një faktor në këtë sfidë, e cila më shumë se çdo gjë kërkon vullnet politik. Kjo letër e “G99” vjen në kontekstin e nismës së përgjithshme për të garantuar të drejtën e votës për emigrantët të prezantuar fillimisht në tryezën e mbajtur javën e kaluar, ku morën pjesë dhe ish-presidentët e Republikës, Meidani dhe Moisiu.

Meta: LRI, forca e vetme e të rinjve

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, vlerësoi dje që nga qyteti i Lushnjen LRI-në, si një forcë e vetme që merret me problemet e të rinjve shqiptarë. Gjatë një takimi me të rinj të këtij qyteti, Meta vuri në dukje se nuk ka tribunë më të sigurt për rininë shqiptare, por edhe për atë lushnjare sesa LSI-ja, për të afirmuar idetë e saj, aspiratat e saj dhe për të rritur personalitetin e vet. Nuk ka mundësi më të mirë për ju, - tha Meta, - sesa angazhimi juaj në LRI për të arritur qëllimet tuaja, jo vetëm sot në shkollë, por edhe nesër në punë, edhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt në vendin tonë. "Vetëm LRI-ja është ai forum që në mënyrë të programuar jo vetëm i ngre, por edhe i ndjek problemet më kryesore të rinisë. Ishte kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, e cila shpall iniciativën më të re të LRI-së për të monitoruar provimet e Maturës Shtetërore, të cilat kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme të kërcënuara nga korrupsioni dhe përfshirja nga veprimet jotransparente të përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit", - theksoi Meta. Duke u ndalur tek forca e të rinjve, Meta tha se “unë personalisht kam pasur një besim të jashtëzakonshëm të forca dhe tek vitaliteti i të rinjve, dhe jam i bindur se nuk ka forcë më të madhe sesa forca e të rinjve”.

PS prezanton Enciklikën VI për Shëndetësinë

Partia Socialiste prezantoi dje Enciklikën VI të Shëndetësisë. Në të theksohet se ndryshimet politike, shoqërore dhe ekonomike që kanë ndodhur në Shqipëri 17 vitet e fundit kanë ndikuar në ndryshimin e mënyrës së jetesës dhe ekspozimin ndaj faktorëve apo shkaktarëve të ndryshëm të rrezikshëm për shëndetin e popullatës. Njëkohësisht vihet në dukje se dyndjet e emigracionit të brendshëm apo të jashtëm kanë qenë një faktorë mbizotërues social-ekonomik dhe po në të njëjtën kohë edhe sistemi shëndetësor ka pësuar ndryshime në drejtim të organizimit, drejtimit dhe financimit, pa marrë parasysh ndryshimet e mësipërme duke prekur kështu nivelin e shërbimeve shpërndarjen e drejtë dhe të barabartë të tyre dhe mundësinë për t’i pasur ato. “Për pasojë gjendja e përgjithshme shëndetësore e popullsisë shqiptare e identifikuar më parë si paradoksi shqiptar për shkak të disa indikatorëve të rëndësishëm të krahasueshëm me vende të zhvilluara po zbret nën mesataren e vendeve të rajonit apo shumicës së vendeve me të ardhura mesatare të ulëta”, - thotë Enciklika. Të gjitha rezultatet e këtij dokumenti janë përpiluar pas turit “Dialog me Shqipërinë” të kreut të PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›