Identiteti i ri kushton vetëm 1.100 lekë
Ministri i Brendshëm flet për procesin dhe përfitimet
Mbaja e kartës do të jetë detyrim, çdo shërbim do të kryhet me të
Janari i vitit 2009 do të gjejë shqiptarët me karta identiteti, të cilat duhet të mbahen me detyrim nga ana e tyre, të cilat do të kushtojnë më lirë se kudo tjetër. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka qenë ditën e djeshme në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, nga ku ka raportuar edhe për ecurinë e këtij procesi. Nishani ka folur edhe mbi përgjegjësitë qytetare për t’u pajisur me kartën e identitetit, e cila do të kushtojë 1.100 lekë të reja. Sipas ministrit Nishani, mbajtja e kartës do të jetë e detyruar, pasi çdo shërbim publik apo privat do të kryhet në bazë të të dhënave që ka karta. “Çdo shtetas do të ketë një numër identifikimi personal në kartën e identitetit, i cili do të shërbejë për çdo shërbim, si marrja e pagave, pensioneve e shumë shërbime të tjera. Çmimi që do të paguhet për të nuk do të kalojë 9 euro ose 1.100 lekë të reja”, - tha Nishani. Nga ana e tyre, deputetët kanë kërkuar shpjegime në lidhje me procesin në fjalë. Ata kërkuan të dinë se kur do të përfundojë regjistrimi i popullsisë, pajisja me kartë identiteti, pasaportë biometrike, si dhe çfarë do të ndodhë me emigrantët shqiptarë jashtë vendit. Ministri ka shpjeguar se “në shtator do të kemi gati regjistrin elektronik të shtetasve shqiptarë, ndërkohë që në fundin e muajin qershor do të jetë gati hedhja e të gjitha të dhënave në sistemin e elektronik, i cili do të pasojë me plotësimin e të gjithë sistemit dixhital”. Nishani vazhdoi më tej duke thënë se “procedura e pajisjes me kartë identiteti do të jetë e njëjtë edhe për emigrantët. Ata mund të aplikojnë dhe mund të përfitojnë kartën identifikuese”. Sipas tij, karta do të plotësojë shumë mangësi që kanë shqiptarët sot. Ajo do të ofrojë një shërbim identifikimi për çdo person në mënyrë të pagabueshme. Çdo qytetar që e posedon kartën e identitetit, njëkohësisht do të ketë një siguri të lartë për identifikimin e personit të tij. “Do të jetë i vetmi dokument me të cilin qytetarët do të plotësojnë nevojat e tyre”, - siguroi ministri.
Pasaportat
Në këtë proces është e lidhur edhe pasaporta biometrike, ose dixhitale, e cila do të ruajë një informacion për çdo shtetas shqiptar, që do të jetë lehtësisht i krahasueshëm me standardet që kërkon çdo shtet i përparuar në botë. Sipas ministrit, çdo qytetar që kërkon të udhëtojë jashtë do ta ketë më tepër siguri, falë kësaj pasaporte, ndërkohë që për brenda vendit, karta e identitetit do të jetë e mjaftueshme. “Për pasaportën biometrike parashikohet një çmim prej 5000 lekësh”, - tha ministri për koston e pasaportës së re. Nga ana tjetër, ai kërkoi bashkëpunim me të gjithë faktorët institucionalë dhe politikë për këtë proces. “Për realizimin me sukses të këtij projekti nevojitet mbështetja e të gjithë faktorëve, si nga politika, ashtu dhe nga shoqëria civile, pasi ky projekt i madh kombëtar i shërben konsolidimit të institucioneve në vend”, - tha Nishani.
Të dhënat
Faktorët politikë por edhe institucionet ndërkombëtare kanë kërkuar që të dhënat të ruhen nga shteti si pronë e tij dhe në asnjë mënyrë kompanitë private, të cilat do të bëjnë karta identiteti apo pasaporta, të mund t’i përdorin ato. Të dhënat do të ruhen me kode, të cilat i di vetëm personi, i cili mund të zbuloj identitetin e tij. Kuptohet që çdo institucion përdor vetëm të dhënat e përgjithshme dhe pa hyrë në detaje mbi identitetin apo të shkuarën e qytetarëve dhe të dhënat personale do të merren vetëm me pëlqimin e vetë individit.
Nishani
Procedura e pajisjes se kartë identiteti do të jetë e njëjtë edhe për emigrantët. Ata mund të aplikojnë dhe mund të përfitojnë kartën identifikuese.
Në Shqipëri jetojnë më shumë se 3.2 milionë shqiptarë
Në vendin tonë jetojnë më shumë shqiptarë seç është raportuar nga organizatat e ndryshme joqeveritare. Ministri i Brendshëm, Nishani, tha ditën e djeshme se deri tani janë hedhur të dhënat në mënyrë elektronike për 3.2 milionë shtetas, ndërkohë që ky proces mbaron në fund të muajit qershor, çka nënkupton se ka të tjerë që priten të regjistrohen. Sipas tij, në muajin shtator do të ketë edhe bazën e plotë të të dhënave për regjistrin elektronik të shtetasve. “Besoj plotësisht se sistemi i ri elektronik, përbën sigurinë më të lartë për lista zgjedhore të sakta e korrekte, duke korrigjuar dhe fshirë përsëritjet. Deri tani ka përfunduar hedhja e gjeneraliteteve për 3.2 milionë shtetas shqiptarë. Për këtë projekt po bashkëpunohet ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile të Austrisë, modeli i së cilës do të adoptohet edhe nga ne”, - u shpreh Nishani.
Nis procedura për heqjen e imunitetit të deputetit republikan, Hajrulla Paturi
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, mblodhi ditën e djeshme Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, nga ku informoi anëtarët e tij me kërkesën e ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit republikan, Hajrulla Paturi. Në përmbushje të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, kryetarja e Kuvendit ka njoftuar Kuvendin mbi këtë kërkesë menjëherë në seancën plenare më të parë. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me unanimitet, vendosi që të thërrasë deputetin Hajrulla Paturi në mbledhjen e ardhshme për ta dëgjuar në lidhje me kërkesën e ardhur. Sipas nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, pritet që brenda katër javëve të shkojë një raport për votim në Kuvend, ku argumentohen në rast se duhet t’i hiqet imuniteti ose jo deputetit në fjalë. Parlamenti vendos me shumicë të thjeshtë me votim të fshehtë për heqjen ose jo të imunitetit.