Topi dhe Berisha i japin lamtumirën Kokossis
Kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti Bamir Topi kanë takuar dje ambasadorin e Greqisë në Tiranë, z. Constantinos Kokossis, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri, bëri të ditur Zyra e Shtypit e Qeverisë. Në takim me kreun e qeverisë, ambasadori Kokossis shprehu falënderimet për përkrahjen që ka pasur nga Kryeministri dhe autoritetet e tjera të vendit tonë në realizimin e misionit të tij. Ai vuri në dukje ndryshimet e mëdha pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri dhe në veçanti, theksoi se gjatë misionit të tij marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve u konkretizuan me rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe investimet e biznesit grek në Shqipëri. Berisha falënderoi ambasadorin Kokossis për kontributin e tij në përkrahjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe në ftesën për anëtarësimin në NATO. Ndërsa, kreu i shtetit shqiptar, pasi falënderoi ambasadorin grek për kontributin e tij të çmuar në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve e popujve tanë, i shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave të tërmetit, që goditi dje Greqinë.