Austria e mbështet integrimin e Shqipërisë
Austria vlerëson përpjekjet e Shqipërisë në drejtim të integrimit europian. Në një takim pune të zhvilluar dje në Vjenë, mes ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe homologut të tij austriak, Michael Spindelegger, është nënvizuar me tone pozitive dorëzimi në kohë të shpejtë i pyetësorit të vizave nga ana e Tiranës zyrtare. Meta vlerësoi mbështetjen që ministri Spindelegger, në bashkëpunim me homologët grekë dhe sllovenë i kanë dhënë në përgjithësi integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Lidhur me situatën rajonale, të dy ministrat kanë theksuar rolin e pritshëm të Samitit të Sarajevës, i cili shihet si një mundësi e re për integrimin e brendshëm të vendeve të Ballkanit. Pavarësia e Kosovës në këtë plan është një element stabiliteti që shërben si urë e bashkëpunimit ndëretnik që përbën një tipar civilizues për vendet që aspirojnë aderimin në BE. Takimi i Metës në Vjenë i paraprin vizitës së parashikuar në Estoni me rastin e takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s. Ndërkaq, axhenda diplomatike në Tiranë është përqendruar në vizitën e Sekretares së Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Marokut, Latifa Akharbach. E mbërritur në Tiranë me ftesë të zv.ministres së Jashtme, Edith Harxhi, diplomatja marokene është pritur në Ministrinë e Jashtme, ku është diskutuar për zhvillimin e konsultimeve të përbashkëta për nisma dypalëshe dhe shumëpalëshe. Harxhi i ka kërkuar Akharbach, njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke i përcjellë ndërkohë edhe ftesën e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, për një vizitë në Tiranë të ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Marokut, Taïb Fassi-Fihri. Sa i përket pavarësisë së Kosovës, një kërkesë e tillë i është bërë sekretares marokene edhe në takimin e saj me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Maroku, një vend që është shumë pranë Europës, që gëzon statusin e vendit aspirant për BE, është pjesë e Unionit Mesdhetar, ashtu si dhe Shqipëria. Për këtë arsye, por edhe për shkak të interesave dypalëshe, është parashikuar hapja e shpejtë e ambasadës së këtij vendi në Tiranë.
#