Zgjedhjet lokale, prova e zjarrtë për LSI-në
Lëvizja Socialiste për Integrim duket se do jetë vendimtare në luftën e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për marrjen e bashkive kryesore të vendit. Ky konkluzion del nga mbledhja matematikore e votave të dala nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të vitit 2009 brenda vijës së verdhë të Bashkive kryesore. LSI-ja duket se do të jetë ndihmë e madhe për fitoren e demokratëve në zgjedhjet lokale të vitit 2010, në rast se qëndrimet e shqiptarëve nuk do të ndryshojnë nga ato që kanë qenë në verën e vitit të kaluar.
Në qytetin e Tiranës, koalicioni i shpallur mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, bën që dy koalicionet të shkojnë pothuajse me vota të barabarta, vetëm me një diferencë prej 250 votash në favor të koalicionit të Partisë Socialiste. Ndërsa në Bashkinë e Durrësit, bashkimi i votave të PD-së me LSI-në tejkalon mundësitë e PS-së për të arritur numrin e votave të duhura. Interesante paraqitet situata në Berat, qytet i cili prej vitesh është cilësuar si një bastion i PS-së. Mbledhja matematikore e votave të PD-së dhe LSI-së, nisur nga rezultatet e 2009-s, sjell 10500 vota për koalicionin e djathtë, vetëm 1000 vota më pak se koalicioni i majtë. Për sa i përket qytetit të Elbasanit, rreth 2000 votat e LSI-së e zhbalancojnë diferencën e paktë të votave që ka PD dhe PS në këtë bashki si koalicione.
Por pak më e ndryshme shfaqet gjendja në bashkitë e Fierit dhe të Vlorës, ku votat e LSI-së nuk “lëkundin” pozitat e koalicionit të PS-së, nisur nga diferenca e madhe e votave që ekziston mes koalicionit të PS-së dhe atij të PD-së. Sakaq, pozitat e PS-së, si pasojë e koalicionit PD-LSI, duket se nuk lëvizin edhe në Korçë, kjo jo për shkak të diferencës së madhe mes dy partive kryesore, por si shkak i votave minimale që LSI ka marrë në këtë bashki gjatë zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Në Bashkinë e Shkodrës, Partia Demokratike duket se ia ka pak nevojën aleatit të saj të ri, LSI-së. Kjo sepse, koalicioni i PS-së në këtë zonë të quajtur si bastion i PD-së, merr minimalen e votave që ky koalicion mund të marrë. Por ndonëse LSI me rezultatet e vitit 2009 i jep mundësinë PD-së të jetë afër fitores në bashki të rëndësishme që sot administrohen nga socialistët, si Durrësi dhe Elbasani, situata në këto dy vite mund të ndryshojë ndjeshëm.
Kjo për shkakun se LSI është evidentuar gjithmonë si një parti e majtë dhe i tillë ka qenë edhe elektorati i cili e ka mbështetur këtë parti në zgjedhjet e vitit 2009. Nuk dihet ende nëse kalimi i LSI-së në një koalicion të djathtë të drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha në zgjedhjet e ardhshme lokale do të ndikojë në reduktimin e votave të kësaj partie. Ndonëse referuar drejtuesve të lartë të LSI-së elektorati i kësaj partie nuk do të zvogëlohet në zgjedhjet e ardhshme, madje do të shtohet, zgjedhjet e vitit tjetër do të jenë testi real për të ardhmen e kësaj partie parlamentare.
#