Berisha-Hyseni: Duhet hekurudha Shqipëri-Kosovë
Kryediplomati kosovar, Skënder Hyseni, në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, vijoi takimet me krerët më të lartë të vendit, si Kryeministrin Sali Berisha, Presidentin Bamir Topi dhe Kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Gjatë takimit me Kryeministrin, Hyseni gjeti rastin të shprehë vlerësimin e tij për dorëzimin e pyetësorit të Komisionit Europian në Bruksel nga ana e Shqipërisë. Ai e cilësoi këtë si një ngjarje historike e madhore për Shqipërinë, por edhe për mbarë kombin shqiptar, një akt që të gjithë i bën krenarë. Ministri Hyseni e informoi Kryeministrin Berisha për fillimin e punimeve për pjesën e rrugës së kombit që kalon në Kosovë dhe e falënderoi edhe një herë për kontributin e tij për realizimin e veprës madhore të kombit, rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Nga ana e tij, Berisha vlerësoi se Kosova është shndërruar tashmë dhe po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një faktor thelbësor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. Berisha përshëndeti në mënyrë të veçantë zgjedhjet e fundit në Kosovës, të cilat sipas tij dëshmuan një pjekuri të madhe të Kosovës së pavarur. Kryeministri vlerësoi se është e rëndësishme që të dyja vendet të ndërmarrin hapat për studimin e fizibilitetit për një projekt të dytë madhor që do të zgjeronte lidhjet midis tyre, por edhe mbarë rajonin, ndërtimin e linjës hekurudhore midis dy vendeve. Në takimin me Presidentin Topi, Hyseni shprehu vlerësimin për ndihmesën dhe përkrahjen e mbarë shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij, që ia kanë lehtësuar shumë punën Kosovës në kapërcimin e sfidave, me të cilat i është dashur të përballet. Nga ana e tij, Presidenti Topi vlerësoi maturinë e klasës politike dhe udhëheqjes kosovare në kapërcimin e sfidave të ndryshme, konsolidimin e institucioneve të pavarura demokratike, si dhe arritjet e deritanishme të diplomacisë së re kosovare. Topi mbështeti edhe vazhdimin e projektit për ndërtimin e rrugës së kombit në pjesën e Kosovës. Po dje, kryediplomati kosovar zhvilloi një takim me Kryeparlamentaren Jozefina Topalli, me të cilën bisedoi për koordinimin e lobimit diplomatik e parlamentar për përshpejtim të njohjes së Kosovës edhe në ato vende të cilat nuk e njohin pavarësinë e saj.
#