E Diel, 1 Nëntor 2026

Austria jep 25 milionë euro kredi të buta

Zyrtarët e qeverisë austriake kanë vendosur t'i japin Shqipërisë kredi me terma të butë. 

Kreu i Ministrisë së Financave, Ridvan Bode, ka nënshkruar dje dy marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë e Republikës së Austrisë. Bëhet fjalë për marrëveshjen e bashkëpunimit për procesin e përafrimit të Shqipërisë në BE dhe për marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik dhe financiar me Ministrinë Federale të Financave të Austrisë. Sipas kësaj marrëveshje, Shqipërisë i jepet një kredi me terma të butë deri në një shumë prej 25 milionë euro, për një periudhë dyvjeçare nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje. "Marrëveshjet hapin rrugën e zgjerimit të bashkëpunimit të mëtejshëm mes qeverisë së Austrisë dhe qeverisë shqiptare", ka thënë ministri Bode. Sipas tij, ndihma e kredisë do të negociohet për fushat se ku do të aplikohet. "Ne synojmë që të rrisim prezencën e mëtejshme të biznesit austriak në Shqipëri dhe të rrisim bilancin tregtar mes dy vendeve", tha ambasadori Klaus Derkowitsch. Deri më tani shteti austriak ka financuar 50 projekte në Shqipëri me një portofol prej 28 milionë euro, kryesisht në fushën e ujësjellësve dhe turizmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›