E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH, ja katër firmat që duan të privatizojnë shpërndarjen

Hapet gara për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Katër kompani të huaja kanë shfaqur interesin e tyre për të marrë pjesë në tenderin ndërkombëtar për privatizimin e OSSH-së. 

Fabiola Çela

Kompanitë që janë futur në garë janë ENEL, EVN, CEZ dhe Energy Steiermark AG. Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali, tha dje se gjatë ditëve në vijim komisioni do të verifikojë dokumentet e dorëzuara nga kompanitë. Sipas tij, kompanitë që do të plotësojnë kriteret, do të parakualifikohen për të marrë pjesë në tender. Ndërsa kompanitë që nuk përzgjidhen kanë të drejtë që brenda pesë ditëve të bëjnë ankimin pranë ministrit të METE-s, i cili brenda 10 ditëve duhet të kthejë përgjigje. "Shpallja e të parakualifikuarve do të bëhet më 9 qershor. Ndërsa më 16 qershor atyre do t'u dërgohet ftesa, së bashku me draft-kontratën e shitjes", tha Alibali.
Privatizimi
Privatizimi i OSSH-së është kërkuar me ngulm nga përfaqësuesit e Bankës Botërore si dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Vetëm pak kohë më parë qeveria miratoi kriteret për kompanitë që duan të marrin pjesë në tenderin për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Sipas kritereve të përcaktuara nga qeveria, investitorët që duan të blejnë OSSH-në duhet të kenë një eksperiencë të mirë në tregun e energjisë. Kompanitë që duan të marrin pjesë në tender duhet të kenë një biografi të pastër. Ky është një nga kushtet e vendosur nga qeveria. Sipas kritereve të miratuara nga qeveria, këta investitorë për tre vitet e fundit duhet të kenë pasur një vlerë neto jo më pak se 1 miliard euro. Gjithashtu investitorët përpara se të marrin pjesë në tender duhet të garantojnë që nuk janë në proces falimentimi apo likuidimi dhe se nuk ndiqen për mashtrime, korrupsion apo për pastrim parash. Ndërkohë të gjitha kërkesat për përzgjedhjen e kandidatëve duhet të vërtetohen nëpërmjet certifikatave zyrtare të lëshuara nga autoritetet përkatëse. Rreth 76 për qind e aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes do të shiten, ku një pjesë e të ardhurave do të shkojnë për punonjësit që preken nga reforma dhe një pjesë për punonjësit aktualë. Lidhur me pronësinë e aksioneve të OSSH-së, në projektvendim përcaktohet se ajo transferohet nga kompania KESH tek Ministria e Energjetikës.

kompanite

1- Enel është kompania më e madhe e energjisë në Itali dhe e dyta e listuar në Evropë. Ajo prodhon dhe shet gaz rreth Evropës, Amerikës Latine dhe Veriore. "Enel" tashmë është e pranishme në 21 vende me kapacitetin e 75,500 (vlerësuar deri më 31 dhjetor 2007) dhe u shërben më shumë se 50 milion klientëve me energji dhe gaz.

2- EVN, "Energie-Versorgung Niederösterreich" fillimisht ka shpërndarë energji në rajonin austriak Niederösterreich pranë kryeqytetit, Vjenë. U privatizua në 1989 dhe u bë aktori kryesor në energji, duke përfituar nga konkurrenca dhe partneriteti me grupin e interesit ekonomik "Energie Allianz Austria".

3- CEZ është grupi më i madh i prodhimit të energjisë në Evropën Juglindore dhe Qendrore. Në vitin 2005 grupi u zhvillua më tej në nivelin ndërkombëtar, duke forcuar pozicionin e tij në treg.

4- Energy Steiermark AG është sipërmarrësi i katërt i energjisë në Austri me biznes thelbësor në fushën e energjisë, gazit natyral, ngrohjes dhe riciklimit në distancë të gjatë. Aksioneri më i madh i "Energie Steiermark" është shteti federal Steiermark.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›