E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjaku, spitalet në prag krize

Rezervat po mba-rojnë dhe vendi është në prag krize për gjak. Alarmi ngrihet nga vetë strukturat e shëndetësisë. 

zirina llambro

Sipas tyre, në stinën e verës numri i dhurimeve ulet me tre herë. Kjo pasojë e reduktimit të operacioneve të planifikuara, ku sipas urdhrit në fuqi japin gjak familjarët e pacientëve. Një tjetër arsye që çon në rëndimin e situatës është edhe shtimi i aksidenteve automobilistike në këtë sezon. Për të ndërgjegjësuar qytetarët Qendra Kombëtare e Transfuzionit, ISHP-ja dhe Ministria e Shëndetësisë bënë dje apel për rritjen e dhuruesve vullnetarë. Ndërkaq për të plotësuar nevojat për të sëmurët kronikë dhe për urgjencat në vit duhen mesatarisht 35 mijë dhurime. Por në bankat e gjakut numri i tyre nuk e kapërcen 20-mijëshin. "Vera është një periudhë gjatë së cilës dhurimet e gjakut bien për shkak të ndërprerjes së kirurgjisë së planifikuar, nga e cila sigurohet një sasi e konsiderueshme stoku për bankat e gjakut në spitale, si edhe për shkak të uljes së dhurimeve vullnetare. Vetëm në një muaj normalisht kemi rreth 700 dhurime gjaku, numër i cili reduktohet deri në 250 në pikun e verës", tha drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Irena Qendro. Ajo shtoi se, shtimi i aksidenteve gjatë verës si dhe vazhdimi normal i kërkesave për gjak nga pacientët me anemi kronike, i ndjekur edhe nga ulja e dhurimeve, bën që pamjaftueshmëria në gjak të bëhet akoma më e ndjeshme. Por për t'i bërë ballë krizës së mundshme gjatë muajve në vijim Ministria e Shëndetësisë po bën tratativa edhe për të importuar nga jashtë. "Deri tani me rezervat që kemi arrijmë të menaxhojmë nevojat, por edhe sikur të gjendemi në vështirësi gjatë periudhës së verës, pasi mund të mos sigurojmë dot dhurime, atëherë Ministria e Shëndetësisë do të importojë gjak", pohoi specialistja e gjakut në Ministrinë e Shëndetësisë, Vjollca Duro. Sipas saj, ministria është në tentativë për të arritur në një marrëveshje për çështjen në fjalë. Nga sa bën me dije ky dikaster gjatë dy viteve të fundit është rritur me 30 % sasia e gjakut të dhuruar, gjë që dëshmon rritje të ndërgjegjes dhe përgjegjësisë qytetare për njerëzit në nevojë. Por në fakt kjo rritje është deri diku artificiale. Kjo, pasi me anë të një urdhri të posaçëm të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, për çdo operacion të planifikuar, familjarët e pacientit detyrohen të japin gjak. Çka do të thotë se numri i personave që shkojnë me dëshirë për të dhënë lëngun jetik në bankat e gjakut është ende në nivele tepër të ulëta.  "Metoda e vetme për garantimin e sasisë së nevojshme të gjakut është dhurimi nga qytetarët, ndaj apelojmë të bëheni pjesë e këtij procesi, të ndihmoni në shpëtimin e jetës së fëmijëve, prindërve dhe të afërmve tuaj në nevojë", apelon Ministria e Shëndetësisë. Aktualisht nevojat janë 40 dhurime vullnetarë gjaku për 1.000 banorë, por ne nuk i kapërcejmë 20 dhurime për 1000 banorë.

Statistikat

    700 dhurime gjaku ka çdo muaj     200 dhurime gjaku në muaj, reduktohet numri në verë     35 mijë dhurues në vit duhen për të plotësuar nevojat     20 mijë dhurues në vit ka në vendin tonë     40 dhurime gjaku për 1000 banorë janë nevojat aktuale     20 dhurime për 1000 banorë kemi aktualisht sot     500 fëmijë talasemikë bëjnë çdo muaj transfuzion gjaku

Ku mund të dhuroni gjak

Dhurimi i gjakut mund të kryhet pranë çdo banke gjaku në spitalet e QSUT, Spitalit Ushtarak, maternitete apo pranë QKTGJ në Laprakë, si edhe çdo të premte tek parku "Rinia". Në këtë thirrje publike, për të dhuruar gjak përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë kanë saktësuar se, nuk është nevoja për të përhapur panik. "Kjo është një thirrje sensibilizuese, për të gjitha ata persona të shëndetshëm, të cilët duhet të bëjnë këtë veprim humanitar për ata njerëz të sëmurë që kanë nevojë për gjak", janë shprehur specialistët. Sipas ministrisë, në 2010 është parashikuar edhe në strategjinë e dhurimit të gjakut të sigurt, ndërprerja e plotë e dhurimit me pagesë të tij. Por teksa krerët e shëndetësisë shpresojnë të arrijnë këtë objektiv, realiteti flet ndryshe. Ende shitësit e gjakut mbeten kategoria kryesore që plotëson nevojat për gjak në rang vendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›