E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Në KESH vidhen 2 miliardë kilovatorë

LSI organizoi dje një tryezë me specialistë të fushës së ekonomisë dhe drejtues të forumeve për çështjen e krizës së çmimeve gjithnjë në rritje. 

Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, duke folur për situatën në sektorin e energjetikës, akuzoi KESH për humbje të mëdha në energji. "Janë 2 miliardë kilovatorë që sot vidhen në KESH nga 6.5 miliardë që është konsumi vjetor. Pra vetëm nëse gjysma e këtyre abuzimeve do të eliminohej jo vetëm nuk do të kish nevojë për rritjen e çmimin e energjisë, por do të ishte e mundur dhe ulja e tij", tha Prifti. Sipas tij, shqiptarët paguajnë energjinë më të shtrenjtë. "Absolutisht ne kemi çmimin më të shtrenjtë të energjisë elektrike në gjithë Evropën Juglindore për konsumatorët familjarë. Më vjen keq që disa pseudo-ekspertë detyrohen të justifikojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike", tha Prifti. Nënkryetari i LSI-së tha se: "Çmimet e energjisë elektrike janë rritur mjaft nga viti në vit. Ka pasur një rritje graduale të çmimit pothuajse çdo vit, por me një rritje shumë të madhe vitin e fundit që ka arritur në masën 18 %. Por nëse do të analizojmë tipa të ndryshme konsumatorësh vëmë re se rritja e çmimit të energjisë është e madhe". Duke folur për procesin e privatizimit të sektorit të shpërndarjes së KESH, Prifti tha se, kjo nuk do të sjellë ndonjë ndryshim në situatën energjetike në vend. "Pasi nëse sot me ligj shpërndarja e energjisë elektrike është monopol i shtetit me privatizimin e këtij sektori do të kalojë ky monopol nga shtetëror në privat", tha Prifti.   a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›