E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austria, mbështetje të plotë për liberalizimin e vizave

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha takon homologen e tij austriake, Maria Fekter

“Jam e bindur se Shqipëria do të marrë në vjeshtë atë që pret nga Komisioni Europian, vendimin final për liberalizimin e vizave”.
Kështu u shpreh dje ministrja e Brendshme e Austrisë, Maria Fekter, gjatë një takimi ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Basha e informoi ministren Fekter mbi arritjet e deritanishme në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme, në fushën e sigurisë së kufijve dhe në fushën e dokumenteve të identitetit.
Ministri Basha shprehu falënderimin për qeverinë austriake për bashkëpunimin e deritanishëm dhe ndihmën bujare, veçanërisht nga Ministria e Brendshme austriake për sektorët e sigurisë, rendit, gjendjes civile dhe decentralizimit të pushtetit lokal në Shqipëri.
Një tregues tjetër i bashkëpunimit mes të dy vendeve në fushën e rendit e të sigurisë është edhe adoptimi nga Shqipëria i projektit ILECU.
Duke vlerësuar se Shqipëria mund të merret si shembull i implementimit të praktikave më të mira nëpërmjet ILECU-t nga vendet e tjera të rajonit, Ministrja Fekter paraqiti gjatë takimit edhe ftesën që Shqipëria të bëhet anëtare themeluese e Akademisë Ndërkombëtare Antikorrupsion.
Ndërsa mirëpriti këtë ftesë dhe shprehu vullnetin për të marrë pjesë si anëtar themelues në këtë projekt, Ministri Basha informoi se Shqipëria mori sot një çmim nga OKB në fushën e transparencës së administratës, si vendi i parë në botë që zotëron 100 për qind prokurime elektronike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›