“Bojkoti i zgjedhjeve nga PS, ogur i keq për opozitën”
Astrit Patozi, kreu i grupit parlamentar të PD-së
Mazhoranca ka reaguar një dite pas deklaratës së bërë nga kreu i Partisë Socialiste Edi Rama në “Zërin i Amerikës” lidhur me mospjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet lokale të vitit 2011. Në një qëndrim zyrtar, numri dy i selisë blu Astrit Patozi, e cilësoi aksionin politik të kryesocialistit ogurzi dhe mbi të gjitha një lajm të keq për vendin dhe opozitën shqiptare.
“Rama prodhoi dy lajme të këqija për shqiptarët, së pari konfirmoi që PS mund të bojkotojë zgjedhjet lokale. Aksionet politike të Ramës dhe përpjekjet e dështuara të tij, rropatjet lart e poshtë, brenda dhe jashtë vendit, mund të lexohen në funksion të këtij qëllimi ogurzi. PS pavarësisht disfatave të disata në zgjedhje, duhet të përballet me elektoratin për të korrigjuar gabimet dhe rezultatin. Lajmi i dytë i keq ishte për vendin, pasi PS po degradon”, u shpreh Patozi.
Në intervistën për “Zërin e Amerikës”, Rama e trajtoi këtë televizion ashtu si ka bërë edhe me mediat në Shqipëri, duke i quajtur pyetjet e gazetares, si ato të kafeneve të Tiranës.
E duke komentuar këtë sjellje të Ramës, Patozi tha se kryetari i opozitës mbetet i vetmi politikan në botë që me cinizmin dhe arrogancën e tij, kërkon deri dhe ekskluzivitetin e përgjigjeve duke fyer njerëzit e fjalës së lirë.
“Cinizmi arrogant i Ramës ndaj shtypit të lirë tregon mentalitet jo demokratik ndaj fjalës së lirë. Ai kërkon jo vetëm ekskluzivitetin e pyetjeve por dhe atë të përgjigjeve”, deklaroi më tej, Patozi.