E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austria mbron Pavarësinë: Sipas të drejtës ndërkombëtare

 

Serbia dhe Kosova kaluan dje ditën e tretë të garës juridike për vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi shpalljen e Pavarësisë. Vendet që raportuan dje ishin Austria, Azerbajxhani dhe Bjellorusia, ku këto dy të fundit u shprehën në favor të Serbisë. Por Austria e ka mbështetur fort Pavarësinë e Kosovës, duke i mohuar të gjitha pretendimet se, ajo mund të ketë shkelur ligjet ndërkombëtare. Deri tani, përveç vetë vendeve të interesuara, kanë raportuar katër vende në favor të Kosovës (Shqipëria, Gjermania, Arabia Saudite dhe Austria) dhe tri në favor të Serbisë (Argjentina, Azerbajxhani e Bjellorusia). Secili prej dy vendeve, Kosovës e Serbisë, pretendon se kanë më shumë mbështetës se tjetri nga raportuesit në Hagë. Të dyja palët pranojnë se procesi është shumë i vështirë dhe janë optimiste se Gjykata do të mbështesë pretendimet e tyre, Kosova për mbështetjen e Pavarësisë dhe Serbia për njohjen e ilegalitetit të saj. Por vendimi i Gjykatës së Hagës nuk mund të ndikojë në anulimin apo njohjen e detyrueshme të Pavarësisë së Kosovës nga vendet që nuk kanë marrë ende një vendim për këtë. Por besohet se vendimi do të ndikojë, nëse është pozitiv, në një valë të re njohjesh për Republikën e re nga vendet e tjera të Kombeve të Bashkuara. Dje nga tre vende që u shprehën për Kosovën, Austria e mbështeti atë. Përfaqësuesi austriak, Helmut Tiki, ka thënë se “shpallja e Pavarësisë së Kosovës është konform me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”. Ai shtoi se “E drejta ndërkombëtare nuk përmban dispozita që ndalojnë shpalljen e Pavarësisë dhe shpallja e pavarësisë është bërë nga të zgjedhurit në rrugë diplomatike të Kosovës dhe jo nga institucionet e përkohshme”. Sipas tij, nuk ka kontradikta ndërmjet integritetit territorial dhe shpalljes së Pavarësisë. “Që nga fillimi i viteve ’90, deklarata të Pavarësisë kanë bërë edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia dhe kjo nuk ka paraqitur shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, sqaroi. Austria ka ftuar GJND-në të konstatojë se “shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare”. Ndërsa Ambasadori i Azerbajxhanit, Agshin Mehdijev, tha se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare do të ketë ndikim të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare. Edhe përfaqësuesja e Bjellorusisë, vend ky që s’e ka njohur ende Kosovën e pavarur, është munduar të argumentojë se Kosova nuk e ka pasur të drejtën për vendvendosje.

Papulias: Pavarësia, e përshpejtuar
Presidenti grek, Karolos Papulias ka deklaruar në një intervistë për një gazetë çeke se, Pavarësia e Kosovës ka qenë e parakohshme dhe se shtetet që nuk e njohin shtetin e ri, në thelb mbrojnë interesat e tyre kombëtare. “Është e vështirë t’i kërkohet Serbisë që të pranojë shpalljen e Pavarësisë së Kosovës pa asnjë pengese. Shpallja e Pavarësisë ka qenë shumë e përshpejtuar”, theksoi Papulias.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›