E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austriakët: Dardha, potencial për kompleks skish

Altin B. Kodra

Dy specialistë austriakë vizitojnë fshatin turistik. Parashikohet të ndërtohet dhe një teleferik për këtë qëllim

Dy specialistë austriakë për ndërtimin e pistave të skive dhe të teleferikëve, kanë vlerësuar si mjaft të përshtatshëm fshatin turistik të Dardhës, për ndërtimin e një piste dimërore të skive, një projekt ky që parashikohet të realizohet vitin e ardhshëm, me financim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS). Niko Balli, kryetar i Shoqatës së Agroturizmit për Rajonin e Korcës dhe një nga drejtuesit e shoqatës së fshatit Dardhë, tha dje për ATSH-në se "këtë fillimjave, fshatin turistik malor e vizituan dy specialistë austriakë, në kuadrin e zbatimit të një projekti për ndërtimin e një piste skish dhe të një teleferiku". Sipas tij, një specialist austriak për ndërtimin e pistave të skive dhe një tjetër për ndërtimin e teleferikëve, u njohën nga afër me terrenin e fshatit Dardhë dhe konkluduan si mjaft të përshtatshme ndërtimin e një piste skish për ushtrimin e sporteve dimërore dhe, njëkohësisht, për nxitjen e turizmit, sic parashikon dhe investimi i MTKRS-së. Kjo pistë e skive parashikohet të ndërtohet me një gjatësi prej 1.4 kilometrash, duke filluar nga pika më e lartë e malit të Suareve, në Dardhë, dhe me një gjerësi prej 40 metrash. Për të lehtësuar lëvizjen e sportistëve dhe të pushuesve në këtë ski pistë, është parashikuar të ngrihet dhe një teleferik për këtë qëllim. Specialistët austriakë studiuan në Dardhë edhe klimën malore, temperaturat, si dhe trashësinë e dëborës dhe kohëzgjatjen e saj në periudhën e dimrit dhe u shprehën pozitivisht për ndërtimin e një piste skish në fshatin turistik. Ndërkaq, komuniteti i fshatit Dardhë, si dhe pushteti lokal po bëjnë përpjekje për të përfunduar dhe asfaltimin e 3 kilometrave rrugë, nga 14 gjithsej që lidhin Korcën me Dardhën, si dhe për të siguruar një furnizim sa më normal me energji elektrike, e domosdoshme kjo për periudhën e dimrit dhe funksionimin e teleferikut. Pas përpunimit të të dhënave që kanë grumbulluar dy specialistët austriakë në fshatin Dardhë, pritet miratimi përfundimtar për ndërtimin e pistës së skive dhe të teleferikut, një projekt ky që parashikohet të realizohet vitin e ardhëshëm dhe që do të zhvillojë më tej turizmin në këtë fshat malor. Në fakt, Federata Shqiptare e Sporteve Dimërore ka zhvilluar dimrin e shkuar në këtë fash një kampionat kombëtar të skive, që gjithsesi ishte një përpjekje modeste, duke patur parasysh mangësitë e mëdha në infrastrukturë dhe logjistikë, që paraqet mjedisi në Dardhë. Gjithsesi, kjo nismë e shtetit shqiptar mund të cilësohet si mjaft e vlefshme, pasi do të ndikojë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e sportit të skive në vend.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›