Austriakët braktisin hidrocentralin e Banjës
Duket se është shuar edhe shpresa e fundit për ndërtimin e hidrocentralit të Banjës. Vepra hidroenergjetike e projektuar që në vitet ‘80 ishte parashikuar të ngrihej rreth 30 kilometra larg qytetit të Elbasanit, mbi lumin Devoll. Një firmë austriake, që ishte e interesuar për përfundimin e plotë të punimeve të saj, është larguar në heshtje pas "zhurmës" që u bë për afrimin e saj. Ndërsa fillimi i punimeve për ngritjen e tij filluan rreth 20 vjet më parë, pas rrëzimit të sistemit socialist në vend, ai u shndërrua në rezervuar pa ujë, ndërsa pajisjet e makineritë e rënda u kaluan në konservim të plotë. Në vitin 2001, në Banjë u ndërtua edhe kompleksi i vilave për specialistët francezë, të cilët pas verifikimit të veprës ikën pa lidhur asnjë kontratë, ndërsa rezidenca e tyre u shndërrua në magazinë bari për fermerët e fshatit Shushicë. Së fundi, u mësua se një firmë serioze austriake kishte dhënë pëlqimin e saj për ta ndërtuar këtë vepër sa për vaditje aq dhe për energji elektrike. Sipas burimeve nga Prefektura e Elbasanit, mësohet se pak ditë para se të ndërrohej dhe kreu i këtij institucioni, austriakët kishin ikur pa lënë asnjë shpjegim. Kësisoj, Banja, vepra e trumbetuar se do të vadiste gjithë pllajën e Dumresë, fushën ndërmjet Elbasanit dhe Cërrikut, si dhe do të prodhonte energji elektrike në një kapacitet të konsiderueshëm, ka mbetur vetëm me rezervuarin bosh, pa ujë dhe makineritë drejt shkatërrimit të plotë të tyre. Sipas burimeve jozyrtare, mësohet se specialistët austriakë kanë dhënë si shkak të largimit të tyre koston tej parashikimeve të përfundimit të kësaj vepre hidroenergjetike. Hidrocentrali i Banjës ishte një ndër veprat e planifikuara në planet e famshme pesëvjeçare të qeverive të Partisë së Punës, por që "vdiq" bashkë me pushtetin e PPSH-së. Që nga viti 1990 në Shqipëri nuk është ndërtuar asnjë vepër e rëndësishme hidroenergjetike. Në 17 vjet qeveritë shqiptare kanë arritur t‘i japin udhë vetëm ndërtimit të një hidrocentrali mbi lumin Vjosë, por ritmi i punimeve aty ka qenë shumë i ngadaltë dhe ende nuk është e sigurt nëse hidrocentrali i projektuar do të bëhet realitet.