"Shtëpitë me rrota" vizitojnë Sarandën
Një grup turistësh të një lloji të veçantë, anëtarë të shoqatës së kamperistëve italianë, për herë të parë sivjet kanë përfshirë në itineraret e tyre udhëtuese nëpër botë Shqipërinë dhe Sarandën. Të udhëhequr nga dy të rinj shqiptarë, bashkëpunëtorë të tyre, kamperistët italianë kanë bërë familjarisht xhiron e Evropës dhe të botës, duke u ndalur edhe në Sarandë me 17 automjetet, që janë si shtëpi lëvizëse. Xhanfranko Ferrari, udhëheqës i tyre, tha për "Shqip" se Shqipëria i mungonte deri tani listës së vendeve të vizituara. Udhëtimi i tyre, që është një version i turizmit kulturor në vendin tonë, ka nisur nga brigjet e detit për t‘u futur në thellësi. Udhëtimi i tyre në vendin tonë ka nisur nga Liqeni i Shkodrës për të dalë në jug. Me 17 automjete që mbartnin 17 familje të turizmit të udhëtimeve dhe atij kulturor kanë hyrë në jugun shqiptar përmes Himarës e Borshit. Kanë shëtitur në vendet më piktoreske të Sarandës e Delvinës, duke mos u mjaftuar me Butrintin, por duke shkuar edhe në Syrin e Kaltër, në Finiq, Ksamil e Rusan, deri në afërsi me Konispolin. Vullneti i kamperistëve për të vizituar vende të reja u ka dhënë mundësi atyre për të njohur edhe kulturat e vendeve që vizitojnë. Mbrëmjeve, kanë shëtitur apo janë ulur stolave të shëtitores së Sarandës, si banorë të hershëm të qytetit. Në bisedë e sipër ata thanë se vinin në vendin tonë nga Siria dhe Jordania e me t‘u kthyer që andej, falë bashkëpunimit me dy të rinj shqiptarë, bënë xhiro prej 17 ditësh nëpër gjithë Shqipërinë. Kështu si ata, në shoqatën e kamperistëve italianë numërohen 200 mijë vetë, ndërkohë që Gjermania dhe Franca numërojnë nga 300 mijë të tillë. Kamperistët e duan dhe e përdorin turizmin kulturor si mënyrë për shkëmbime mes popujve, për njohjen me traditat e kostumet e vendeve e deri tek ushqimet. Kamperistët italianë u shprehën entuziastë që në xhiron e tyre nëpër vendin tonë i ka shoqëruar simpatia e madhe e shqiptarëve. Në Sarandë thanë se kanë parë shumë gjëra të bukura, por edhe vrasjen e kësaj bukurie. "Kemi parë gjëra shumë të bukura, por edhe më pak të bukura - na thotë më i moshuari i grupit, 82-vjeçari Paolo. - Shqetësuese janë ndërtimet e egra, që tentojnë të mbulojnë bukuritë e natyrës, të cilat Shqipëria dhe Saranda i ka. Ky është një mëkat. Automjetet e tyre, përveç udhëtimeve, mundësojnë edhe akomodimin dhe plotësimin e të gjitha nevojave jetike të njeriut, gatimin, ngrënien etj., që i bën ato shtëpi të vërteta me rrota. Ata kanë vërejtur se pikërisht këtij lloji Saranda i lë shumë elemente mangët. "Në Shqipëri nuk është menduar mirë për këtë lloj turizmi me kamperistë", shprehet një grua e re, që i është bashkuar grupit të kamperistëve për herë të parë. Konstatimi i saj ishte se nuk ka instalime vendesh të posaçme me ujë, me banja etj., ku të mund të ndalen kamperistët. "Kjo nuk kërkon shpenzime, ndërkohë që jep shumë fitim", shpjegoi ajo, duke thënë se atyre u krijohen mundësi të shfrytëzojnë ujin dhe për të shkarkuar kasetat e ujërave të zeza. Ata thanë se shërbime të tilla shkojnë 8 euro për person, ndërkohë që ruhet ambienti nga ndotja.