E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, asistencë greke për të zhvilluar turizmin

Bashkëpunimi Shqipëri-Greqi ishte në qendër të konferencës rajonale ndërkufitare me temë "Porta e hapur e bashkëpunimit", organizuar dje me mbështetjen e USAID dhe Këshillit Shqiptaro-Amerikan në qytetin e Libohovës, rreth 20 kilometra larg Gjirokastrës. Në këtë konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit vendor që ushtrojnë detyrën në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek, si dhe përfaqësues të biznesit të Rajonit të Janinës, të shoqërisë civile etj. Jeta Sinoimeri, përfaqësuesja e projektit "Porta e hapur e bashkëpunimit", tha dje se "Qarku i Gjirokastrës ofron resurse të shkëlqyera bashkëpunimi dhe zhvillimi. Vlerat natyrore, historike dhe monumentale në këtë rajon janë të shumta, por mungesa e eksperiencës ka ngadalësuar disi procesin e promovimit". "Kushtet për zhvillimin e turizmit dhe nxjerrjen në dritë të resurseve që fatmirësisht ekzistojnë në rajonin tonë, patjetër që kërkojnë përfshirjen e të gjithë faktorëve, duke filluar nga institucionet rajonale deri te shoqëria civile", theksoi Sinoimeri. Ajo nënvizoi se bashkëpunimi ndërkufitar do të shërbejë si një ndihmë konkrete për rajonin, për të sjellë një zhvillim të qëndrueshëm në të mirë të të gjithëve. Ajo shtoi se bukuria natyrore, burimet e bollshme, vendndodhja e favorshme gjeografike, të ndjekura nga përpjekjet ambicioze të njerëzve, qartësojnë mundësitë për zhvillimin e turizmit në të gjitha fushat.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›