Turizmi në Elbasan, peng i rrugëve të shkatërruara
Viti 2008 mund të konsiderohet si vit i mbarë për interesin që kanë nisur të tregojnë të huajt për qytetin e Elbasanit me rrethina. Afro 200 turistë të huaj nga Italia, Gjermania, Zvicra e Greqia kanë vizituar për disa ditë rresht qytetin e Elbasanit këtë muaj duke treguar interes të veçantë për historinë dhe kulturën. "Çdo grup që ka ardhur, vizitën e parë e ka bërë në muze dhe në pjesën e mozaikut të hapur", ka pohuar Kreshnik Belegu, drejtor i muzeut etnografik të rrethit të Elbasanit. Sipas tij, në bashkëpunim edhe me grupin "Elbafolk" është duke u përgatitur i pari panair me kostumet popullore të të gjitha zonave etnografike të Elbasanit, gjë për të cilat të huajt kanë dhënë vlerësime. Të gjithë turistët e huaj, por dhe vizitorë nga trevat shqiptare të Maqedonisë, Malit të Zi dhe nga Republika e Kosovës kanë dhënë përshtypjet e tyre pas vizitave në "Kala", në kompleksin "Skampini" brenda Kalasë, rrapin e Bezistanit si monument kulture në Llixha e pika të tjera brenda qytetit. Por, ndërsa kanë parë në hartën turistike vende piktoreske jashtë qytetit janë stepur të shkojnë, kur kanë mësuar se mungojnë rrugët. Drejt pikës turistike të Gjinarit, kurrsesi nuk mund të shkohet më, pasi aksi rrugor është bërë më keq se ç‘ka qenë. Po ashtu edhe në pikën turistike të Byshekut, vetëm 7 kilometra larg qytetit, në Ujin e Ftohtë në Mirakë, në urën "Egnatia" mbi Shkumbin e të tjera vende dhe pika turistike mungojnë krejtësisht rrugët, pasi kanë munguar në këto 17 vjet investimet për përmirësimin e trasesë së tyre.
Të gjitha rrugët në fjalë dhe të tjera akse komunikimi, mbeten në juridiksionin e Drejtorisë së Rrugëve Rurale, investimet e së cilës kanë qenë më së shumti shtrime me zhavorr apo çakëll të përzier me dhera. Kreu i Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve në Elbasan, Mehmet Ashiku, tha disa ditë më parë se tani janë çelur fondet për riparimin e përgjithshëm të këtyre rrugëve. Por ky investim mund të përfundojë vetëm kur të ketë mbaruar sezoni turistik. Kësisoj, turistët e huaj janë "zgjuar" për të ardhur në qytetin e Elbasanit, por pikat turistike mbeten shumë larg për t‘u vizituar, pasi mungojnë rrugët.