E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet Nikolin Jaka, përfundoi dënimin

Nikolin Jaka dhe Skënder Bokçiu janë dy të dënuarit e parë të grupit të ish-zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve, që fitojnë lirinë pasi kanë kryer dënimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Dje në këtë gjykatë është shqyrtuar kërkesa e Jakës për shuarjen e masës së sigurisë, për shkak të përfundimit të periudhës së dënimit. Gjyqtari Gerd Hoxha, pasi ka shqyrtuar dokumentacionin e paraqitur, si dhe ka llogaritur kohën që nga momenti i arrestimit të Jakës, duke e krahasuar me dënimin e dhënë, ka vendosur të pranojë kërkesën e ish-zëvendësministri të Transporteve për lirimin e tij. Në vendim është marrë parasysh koha gjatë së cilës i dënuari ka qëndruar në paraburgim, që llogaritet me 1,5 e një ditë normale burgu.

Po dje, rreth orës 16:00, Nikolin Jaka ka lënë qelitë e Burgut 302 në Tiranë, ku po vuante dënimin e dhënë nga gjykata. Ai ka pritur që vendimi i gjykatës, i dhënë rreth orës 12:00, të dërgohej pranë Drejtorisë së Burgut dhe pasi ka plotësuar dokumentacionin e duhur, i është drejtuar derës së jashtme të burgut. Përtej asaj porte, familjarë dhe të afërm të tij kishin dalë për ta pritur. Mes përqafimeve të tyre ai ka hipur në një makinë tip "Benz Mercedez" me ngjyrë të zezë dhe është larguar.

I dënuari tjetër i këtij grupi, që është liruar dje nga burgu, është Skënder Bokçiu. Biznesmeni ishte arrestuar në të njëjtën ditë me Nikolin Jakën dhe kishte marrë nga gjykata të njëjtin dënim: një vit e 20 ditë heqje lirie. Edhe për të është vendosur lirimi nga burgu, për shkak të përfundimit të dënimit të dhënë nga gjykata.

Ish-zyrtarët e Ministrisë së Transporteve u arrestuan në shtator të vitit 2007, gjatë një operacioni të koduar me emrin "Duart e pastra". Pas gjykimit që zgjati pak muaj, ata u shpallën fajtorë për akuzat e "Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", "Shpërdorimit të detyrës", "Korrupsionit pasiv dhe aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike". Të gjithë të akuzuarit nuk i pranuan për asnjë moment akuzat, po prokuroria i mbështeti pretendimet e saj në një sërë përgjimesh telefonike që kishte bërë gjatë një muaji. Sipas organit të akuzës, zëvendësministri i Transporteve kishte ushtruar presion ndaj Berzanit për zhvillimin e tenderave, por, në të njëjtën kohë, Jaka kishte bërë presion edhe ndaj firmave të ndryshme, në mënyrë që ato të tërhiqeshin. Akuzat kishin qenë kryesisht për tenderin e aksit rrugor Has - Qafë-Prush, por janë përmendur edhe tenderët e rrugëve: Himarë e Vjetër-Kthesa e Kikurit, rruga paralele Tiranë-Vorë dhe supervizioni i Rrëshen-Kalimash. Në përfundim të procesit, të shtatë të akuzuarit u dënuan me një total prej rreth 8 vitesh burg. Ata përfituan uljen e 1/3 së dënimit, për shkak të aplikimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar.

Provat

Bashkim Kamberit

i shtyhet vendimi

Vendimi i lirimi i është shtyrë një tjetër ish-zyrtari të Ministrisë së Transporteve. Bashkim Kamberi, ish-drejtor i Prokurimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve kishte paraqitur një kërkesë për shuarje të masës së sigurisë, e njëjta procedurë që ndoqi edhe Nikolin Jaka. Në seancën e djeshme gjyqësore, gjyqtari Altin Abdiu ka kërkuar që kërkesa të plotësohej me prova dhe dokumente të nevojshme. Për këtë arsye gjykata ka vendosur dje të shtyjë seancën për një ditë tjetër. Kamberi u dënua nga Gjykata e Tiranës me 1 vit e 20 ditë burg. Ai ishte pjesë e grupit të ish-zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve, të cilët u dënuan për korrupsion me tenderat e disa rrugëve nacionale. Nga dënimi i dhënë, duke llogaritur kohën e paraburgimit, atij i kanë mbetur edhe pak ditë për të kryer.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›