E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevë në Fierzë, vendi drejt errësirës

120 punëtorët e sallave të makinerive të hidrocentralit të Fierzës, më i madhi në vend, kanë zhvilluar dje ditën e parë të një greve, e cila mund të përshkallëzohet në grevë të përgjithshme dhe mund të rrezikojë zhytjen në errësirë të vendit. Kërkesat e punonjësve të hidrocentralit i drejtohen KESH-it dhe kanë të bëjnë me trajtimin e tyre me paga më të mira, respektim të rregullave të Kodit të Punës, masa mbrojtëse etj. Kryetari i Komisionit të Grevës, Astrit Rexha, tha se ky vendim i punëtorëve të organizuar në sindikatë vjen pas një periudhe tepër të gjatë diskriminimi dhe nëse qeveria nuk hyn në bisedime ata do të përshkallëzojnë qëndrimet. "Hartimin e kontratës kolektive të punës, rritjen e pagës 20 për qind, rrobat e punës të munguara prej rreth dy vjetësh, një autobus për të ardhur në punë. Këto janë kërkesat tona", tha Rexha, duke shtuar se greva e së premtes ishte paralajmëruese për të kërkuar bisedime. Pas tri ditësh, nëse nuk ka bisedime greva do të vazhdojë pa afat. Me grevën e punëtorëve nuk janë pajtuar drejtuesit e lartë të veprës energjetike dhe kanë penguar hyrjen e grevistëve në ambientet e brendshme të hidrocentralit. Policia e hidrocentralit ka bllokuar hyrjen rreth 200 m larg dhe 120 punëtorë nga 140 që ka gjithsej hidrocentrali e kanë zhvilluar grevën te hyrja. Greva ka filluar në mëngjes, nga ora 08:00 dhe ka zgjatur deri në orën 17:00. Lëvizja e sindikatës duket se hë për hë nuk e ka prishur ritmin e prodhimit të energjisë për vendin. Inxhinieri Agim Hajdini, drejtues i lartë në hidrocentral, tha se lëvizja e punëtorëve ishte një çështje e tyre, por që një personel i domosdoshëm permanent ka punuar. Edhe sindikalistët thanë se rreth 20 punëtorë ishin lënë të qëndronin në frontet ku nuk është mundur të lihen vetëm, por fakti që gati të gjithë punëtorët janë bashkuar në lëvizjen për paga dhe kushte, do të thotë se nëse ata nuk do të kënaqen nga punëdhënësit, aty gjithçka mund të paralizohet, madje duke shkaktuar edhe krizë të energjisë. Një punëtor, i cili nuk dëshiron të identifikohet, tregon se një pagë prej 25 apo 35 mijë lekësh në muaj nuk u mjafton as sa për të mbajtur veten. "Ne shpenzojmë shumë, pasi ushqehemi në mensë", thotë një punëtor nga Sopoti. Punëtorët tregojnë se edhe trajtimi me uniformë ka mbetur pa u plotësuar që prej dy vitesh dhe këto janë shpenzime që i bëjnë vetë ata nga paga, ndërsa gjendja shkon drejt keqësimit me çmimet që po ngrihen çdo ditë. Për më tepër "ne nuk kemi siguri, të flak në rrugë kur t‘i dojë qejfi atij në Tiranë", tha një tjetër punëtor, duke përmendur një nga kërkesat e grevës, që ishte madje e para fare, kontrata kolektive. Ndoshta, pasiguria në masën e punëtorëve lidhet edhe me përpjekjet e qeverisë për të privatizuar shpërndarjen e energjisë... Gjendja, siç e tregojnë ata, është keqësuar veçanërisht vitet e fundit, kur një pjesë e punëtorëve e ka lidhur të ardhmen me një profesion aty, si mekanik apo mirëmbajtës e kështu me radhë. Një nga kërkesat e grevistëve është edhe ajo për autobus, pasi shumica e punëtorëve duhet të udhëtojnë të paktën 25 km për të shkuar në punë, rrugë të cilën e bëjnë me furgonë kundrejt një çmimi, që siç duket nuk e përballojnë. Linja e tyre e autobusit ka pushuar së funksionuari aty nga viti 1999. Rreth 50 për qind e të gjithë punëtorëve janë nga Bajram Curri, ndërsa pjesa tjetër nga fshatrat e rrethit të Tropojës dhe shumë pak banojnë afër, nga ku mund të udhëtohet me këmbë.

Kreu i divizionit të prodhimit në KESH sqaron pikat e negociatave

Stojku: Kërkesat janë të

zgjidhura, mbetet çështje kohe

Kërkesat e 120 punonjësve të hidrocentralit më të madh në vend janë bërë të ditura nga drejtori i divizionit të prodhimit në KESH, Muharrem Stojku. I kontaktuar nga gazeta "Shqip", Stojku ka pranuar se është negociuar në fillim me punonjësit grevistë të HEC-it të Fierzës, të cilët kanë dalë të kënaqur nga takimi. "Ua sqarova të gjitha alternativat e zgjidhjes së kushteve të punës dhe më thanë se do të vazhdojnë punën normalisht deri në një kohë për të parë nëse kërkesat do të zgjidhen apo jo. Takimi është bërë dy ditë më parë, ndërsa sot (dje) po mësoj lajmin se kanë hyrë në grevë". Drejtori përgjegjës për hidrocentralet u është përgjigjur për disa nga pretendimet që kanë punonjësit. Njëra prej tyre është rritja e pagës 20 për qind, por për këtë Stojku thotë se "rritja e pagës do të kryhet pas datës 1 korrik 2008, periudhë e cila qeveria do të vendosë indeksimin e tyre, nga ku pritet të përfitojnë dhe kategoria e punonjësve në hidrocentrale". Lidhur me pagat, punonjësit kanë shprehur rezervat e tyre për mënyrën e marrjes dhe kohën, ndërsa Stojku thotë se pagat u janë kaluar me bankë, ku nëpërmjet bankomatëve mund t‘i tërheqin kur t‘i duan dhe sa të duan, deri në limitin e pagës. Ndër të tjera, punonjësit ankohen edhe për kushtet e punës, ku konkretisht ka mungesë të transportit nga zonat ku punojnë deri në vendin e punës, si dhe për veshmbathjet. "Për këto dy pika mund të them se problemi është krijuar nga vetë punonjësit. Vitin e kaluar kishin në dispozicion vetëm një autobus, ndërsa DVP-ja u dha para për të blerë një të dytë. Tenderi për blerjen e mjetit transportues do të zhvillohet më 10 qershor 2008 dhe do t‘i japë zgjidhje problemit. Lidhur me veshmbathjet, tenderin e ka zhvilluar HEC-i i Fierzës dhe ka dështuar për arsye që i dinë vetë ata". Një ndër kërkesat e tyre është dhe kontrata kolektive, e cila nuk i përmbush kushtet e punës, por Stojku sqaron se "kontrata është hartuar për të gjithë punonjësit e KESH-it dhe nuk mund të bëhen dallime". Sipas punonjësve grevistë, drejtuesit e HEC-it të Fierzës kanë kryer abuzime me fondet, e për këtë arsye kërkohet prania e kontrollit nga ana e KLSH-së. Për këtë pikë, shefi i prodhimit në KESH garanton se KLSH-ja ka kryer kontrolle dhe nuk janë gjetur shkelje. Tashmë fati i zgjidhjes së kërkesave nga ana e drejtuesve të KESH-it mbetet thjesht çështje kohe, por, sipas Muharrem Stojkut, "të gjitha pretendimet mund të arrihen vetëm duke negociuar e jo duke hyrë në grevë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›