E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austriakët e “Verbund”, 160 milionë euro për HEC-in e Ashtës

 

Kompania austriake “Verbund” do të investojë plot 160 milionë euro në sektorin energjetik shqiptar. Kreu i Ministrisë së Energjetikës, Genc Ruli, Christian Kern, anëtar i Bordit të Menaxhimit të kompanisë austriake “Verbund” kanë firmosur dje kontratën për dhënien me koncesion për ndërtimin e HEC-it të Ashtës. “Shpreh bindjen se METE me asistencën e IFC-së ka negociuar një kontratë koncesioni të standardeve ndërkombëtare, duke na sjellë një model të praktikave më të mira bashkëkohore të një partneriteti publik privat”, tha ministri Ruli. Madje, sipas tij, firmosja e kësaj kontrate me një nga kompanitë leader në fushën energjetike në Evropë, është shprehje e së vërtetës se qeveria shqiptare dhe reformat e saj për nxitjen e investimeve në vend, kanë krijuar kushtet që investitorët strategjikë ta shohin Shqipërinë si një vend ku “doing business është një mundësi reale”. “Verbund” u shpall fituese në garën e zhvilluar nga METE, duke sjellë një ofertë me një çmim të blerjes së energjisë elektrike prej 5.9 euro cent/Kwh, me një kapacitet të instaluar prej 48.2 MW dhe një investim prej 160 milionë eurosh. Gjatë nënshkrimit të kësaj kontrate ishte i pranishëm edhe vetë kreu i qeverisë, Sali Berisha. Gjatë deklaratës së tij, Berisha u shpreh edhe për procesin e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). “Lidhur me çmimin, nëse do të më pyesnit, do të doja që ai të ishte edhe 2 miliardë, por kjo nuk varet nga unë. Unë po e ndjek procesin dhe deri tani është një proces transparent, me praninë e Korporatës Ndërkombëtare Financiare, e cila ka bërë një punë 2-vjeçare për përgatitjen e tij”, ka thënë ministri. Tenderi për privatizimin e OSSH-së u zhvillua dy ditë më parë dhe ishte kompania çeke “CEZ” ajo që ofroi 102 milionë euro për privatizimin e 76 për qind të aksioneve të këtij operatori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›