Banka: Ja faktorët që “kërcënojnë” inflacionin
fabiola Çela
Mungesa e energjisë elektrike si dhe rritja e lartë e nivelit të kreditimit, janë dy faktorët që rrezikojnë rritjen e mëtejshme të inflacionit në vend. Por faktorë të tjerë që mund të ndikojnë negativisht në rritjen e nivelit të inflacionit janë edhe tregjet ndërkombëtare. Një paralajmërim i tillë është dhënë nga vetë kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës së BSH-së. “Pavarësisht uljes së nivelit të inflacionit, duhet theksuar se rreziqet për devijimin e tij në rritje janë ende të pranishme dhe më së shumti lidhen me zhvillimet ndërkombëtare. Megjithatë, edhe në planin e brendshëm ekzistojnë rreziqe të mundshme. Çdo zhvillim i padëshiruar i situatës energjetike në muajt në vijim, rritja e përshpejtuar e kreditimit të ekonomisë si dhe ndërlikime të mundshme fiskale në të ardhmen, përbëjnë rreziqet kryesore në këtë drejtim”, ka thënë Fullani.
Inflacioni
Kriza e çmimeve të mallrave ushqimore është frenuar të paktën deri më tani. Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në muajin gusht u ul në nivelin 2.5 për qind. Në përgjithësi, periudha tetë mujore janar – gusht 2008 është karakterizuar nga luhatje të ndjeshme të normës vjetore të inflacionit, e cila regjistroi mesatarisht 3.8 për qind. Sipas Bankës së Shqipërisë, që prej gushtit 2007 dhe deri në muajin qershor 2008 janë evidentuar zhvillime negative në këtë drejtim, duke mundësuar një normë inflacioni mbi nivelin e sipërm të zonës së tolerancës prej 4 për qind. Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës në tregun botëror, ecuria e prodhimit bujqësor në vitin 2007 dhe rritja e çmimit të energjisë në muajin mars ’08, përbëjnë disa nga shkaqet kryesore që shpjegojnë rritjen në këtë periudhë. Por në dy muajt e fundit, inflacioni total dhe matje të ndryshme të inflacionit bazë kanë shfaqur prirje në rënie. Faktorë të ofertës që nxitën rritjen e inflacionit në periudhën paraardhëse, zbutën ndikimin e tyre në muajt korrik – gusht. Kushtet atmosferike të këtij viti kanë qenë të favorshme, duke bërë që oferta vendase e prodhimit bujqësor të rritej. Efekti stinor, shkaktuar nga hyrja e prodhimit të brendshëm bujqësor, u ndje më tepër sesa gjatë vitit të kaluar. Çmimi i naftës dhe ai i drithërave në tregun botëror kanë ardhur në rënie gjatë dy muajve të fundit. Ulja e nivelit të inflacionit përbën një lajm të mirë për të gjithë konsumatorët, e sidomos për familjet buxhetore dhe pensionistët. Kjo, pasi me uljen e çmimeve ata kanë shpenzuar më pak para për ushqimet e konsumit të përditshëm. “Parashikimet e stafit të Bankës së Shqipërisë flasin për një normë inflacioni, e cila në 12 muajt në vijim do të vazhdojë të luhatet rreth vlerës 3 për qind, aq sa ç’është dhe vlera sasiore e objektivit tonë”, thuhet në deklaratën e Bankës së Shqipërisë.
Alarmi i Bankës, rritet deficiti korent
Rritet niveli i deficitit korent. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, gjatë 6-mujorit të parë të vitit është regjistruar një rritje e deficitit korent me rreth 60 për qind në terma vjetorë, duke arritur në 591 milionë euro. Për pasojë, raporti i tij ndaj PBB-së vlerësohet në rreth 13 për qind. Deficiti i lartë tregtar, kontribuesi kryesor në thellimin e deficitit korent gjatë kësaj periudhe, është shoqëruar edhe me deficitin e tregtisë së shërbimeve dhe ngushtimin e suficitit të transfertave korente neto. Banka e Shqipërisë po kalon në skanerin e saj zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë, të cilat për momentin përbëjnë një shqetësim nga këndvështrimi i zhvillimeve afatgjata në ekonomi. Ndërlikimet kryesore, midis të tjerave lidhen me stabilitetin financiar të vendit, ndërkohë që burimi i tyre lidhet me korrektimin e imponuar të raporteve afatgjata, brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe.