E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajrami, myslimanët kërkojnë xhaminë

 

Fatos Mahmutaj

Myslimanët kërkojnë harmoni fetare edhe me objektet e kultit në Tiranë. Kërkesa e drejtuar ndaj kreut të bashkisë Edi Rama, është bërë pikërisht në ditën e Bajramit. Presioni për xhaminë, mori formë e një lloj “proteste”, dje kur për herë të parë, falja e Fiter Bajramit u bë e gjitha në sheshin “Skënderbej”, jashtë xhamisë së vogël të Et’hem Beut në qendër. Myftiu i Tiranës, e shfrytëzoi këtë festë për t’i bërë thirrje publike kreut të Bashkisë së Tiranës, që të japë lejen e ndërtimit të xhamisë. Akoma më e ashpër bëhej kërkesa kur Myftiu kërkoi nga Bashkia, zbatimin e barazisë mes tre komuniteteve në Tiranë.
Kërkesa
“Qendra e Tiranës është zbukuruar dhe hijeshuar me dy faltore të mëdha, një katedrale katolike dhe një kishë ortodokse. Pse të mos i japim një hijeshi të plotë, me një xhami duke plotësuar trekëndëshin vëllazëror ndërfetar në Shqipëri, duke ditur se jemi maxhoranca në Shqipëri. Ndërtimi i një faltoreje për myslimanët ka një rëndësi të veçantë, për vetë faktin që kushtet na detyrojnë. Jemi në pritje të një përgjigjeje pozitive nga bashkia e Tiranës, në mënyrë që edhe ne myslimanët të mos kemi dallim nga fetë e tjera, të kemi një faltore të madhe si të gjithë komunitetet e tjera fetare në Tiranë”. Kjo ishte kërkesa, në formën e një apeli, e bërë dje nga Shaban Saliaj, kryemyftiu i Tiranës. Myslimanët kanë më shumë se 15 vite që kërkojnë ndërtimin e një xhamie në qendër të Tiranës, por kjo kërkesë është zvarritur dhe ka ngelur akoma pa një përgjigje. Në vitet 2000 qeveria vendosi të aprovojë kërkesën e Komunitetit Mysliman për shfrytëzimin e tokës së tyre dhe ndërtimin e bashkisë. Por kjo leje, që pret firmën e Bashkisë së Tiranës akoma nuk është bërë efektive. Sipas të dhënave, Komuniteti ka kërkuar ndërtimin e xhamisë në tre zona të Tiranës. Dy prej tyre tashmë janë shndërruar në ndërtime të karaktereve të tjera dhe e vetmja zonë e ngelur, në tokë të komunitetit, është sheshi i Namazgjasë pranë parlamentit. Pavarësisht arsyeve, Komuniteti Mysliman, pas 15 vitesh është i vetmi që nuk ka një objekt kulti si dy komunitetet e tjera në Tiranë.
Falja e Bajramit
Përfundimi i muajit të Ramazanit mblodhi dje në sheshin “Skënderbej” mijëra kryeqytetas besimtarë myslimanë për të kryer faljen tradicionale të Fiter Bajramit. Megjithëse pjesa më e madhe e pjesëmarrësve ndodheshin në shesh që prej orës 06:00 të mëngjesit, falja u krye në 07:20, sipas orarit të caktuar më parë në kalendar. I quajtur ndryshe edhe Bajrami i Madh, festa e myslimanëve vjen pas një muaji sakrifice, ku besimtarëve u është dashur që të braktisin gjatë ditëve ushqimin, pijen dhe kënaqësi e tjera trupore. Imami Saliaj, veç fjalëve tradicionale të kësaj feste, dërgoi një mesazh të veçantë urimi për popullin e Kosovës, për të cilin është i pari Bajram që festojnë pas pavarësisë.

Bajram edhe në burgje, në Peqin të dënuarve u lejohet edhe myftiu

TIRANE – Falja e Fiter Bajramit, ose siç njihet ndryshe Bajrami i Madh, është realizuar edhe nëpër të gjithë burgjet dhe paraburgimet e vendit. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të burgosurve që kanë agjëruar gjatë muajit të Ramazanit u është krijuar mundësia të bashkohen për të falur bashkërisht namazin e Bajramit mëngjesin e djeshëm. Kështu në burgun e Peqinit, ku kanë mbajtur ramazan rreth 200 të burgosur është lejuar të hyjë, myftiu i Elbasanit, Behaudin Gashi, i cili ka drejtuar më pas faljen tradicionale të kësaj dite dhe fjalën shoqëruese të saj. Në ceremoninë e organizuar në oborrin e përpara administratës së institucionit mes tjerash morën pjesë edhe mjaft të burgosur përjetë, përfshi këtu edhe ish-anëtarë të bandës së Elbasanit, të cilët ndjekim me përpikëri në kushtet e qelisë rregullat e fesë islame. Ndërkohë mësohet se pati edhe të burgosur që mbajtën fjalime të shkurtra para bashkëvuajtësve në lidhje me këtë festë të besimit islam. Ndërkohë Drejtoria e Burgjeve pohoi dje se lejoi të dërgoheshin në qeli ushqime të familjarëve, që ua kishin sjellë të afërmeve të tyre të burgosur, me të cilët kryen edhe takime të shkurtra. Ndërsa gjatë ditës së djeshme u bë shtesë në normën ushqimore të të burgosurve, e cila pak kohë më parë u përmirësua ndjeshëm. Po kështu nga drejtoritë e institucioneve u pranuan edhe ushqime që u ofruan nga besimtarët myslimanë, si dhe nga restorantet “Hallall”. Burgjet pohojnë se kanë agjëruar në qeli rreth një e treta e të dënuarve, ndërsa pjesa më e madhe e tyre kanë mbajtur rregullisht për 30 ditë ramazan. Të gjithë këtyre iu krijua mundësia mëngjesin e djeshëm të merrnin pjesë në falje të organizuara brenda institucioneve të burgjeve.                              fa.ma.

“Festat, standard i shoqërisë sonë”

Sipas kreut të shtetit: “E kam thënë dhe herë tjetër, jemi mësuar të festojmë festat e njëri–tjetrit, është një nga standardet e arrira të shoqërisë shqiptare dhe besoj që në këtë ditë të bukur është momenti për reflektim për më shumë dashuri për njëri–tjetrin, për më shumë altruizëm. Me këtë rast ju uroj edhe ju, përfaqësuesve të medias që keni qenë të pranishëm në këto festa!”.

“Festa, energji pozitive”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, uroi dje të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fiter Bajramit.“Unë iu uroj të gjithëve gëzuar këtë festë dhe shpresoj që sot të jetë për të gjithë, një ditë pushimi e reflektimi, në funksion të domosdoshmërisë për t’i dhënë këtij vendi të vogël atë energji pozitive, përmes së cilës ky vend mund të shkojë shumë përpara.” tha Rama.

“Mesazhi i kësaj dite, sakrifica”
Kreu i qeverisë tha dje pas vizitës në Komunitetin Mysliman se: “Kjo ditë ka si mesazh të madh sakrificën si themel të të gjitha të mirave të njeriut, sakrificën që bëjnë anëtarët e familjes për veten dhe njëri-tjetrin, që e bën familjen të lumtur, që shumëfishon energjitë dhe mundësitë e anëtarëve të saj. Po kështu është edhe për shoqërinë dhe individin e veçantë”.

“Begati e paqe për të gjithë”
Me rastin e festës së Fiter Bajramit, Kryetari i LSI-së Ilir Meta, vizitoi dje Selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku u prit nga kryetari i këtij Komuniteti, Selim Muça. Duke iu drejtuar gjithë besimtarëve myslimanë, Meta tha se, në këtë ditë të shënuar, dëshiroj të uroj të gjithë besimtarët myslimanë për ditën e Fiter Bajramit, si një ditë të bekuar plot begati dhe paqe për çdo besimtar mysliman”, uroi Meta.

“Festë e gjithë shqiptarëve”
Kryetarja e Kuvendit festën e Bajramit e kaluar fillimisht në Shkodër, duke vizituar Myftinë e këtij qyteti. “Është një ditë paqe, një ditë e begatisë për familjet e tyre, një ditë gëzimi dhe një festë që festohet nga të gjithë njëlloj. Uroj që edhe ditë më të bukura do të vijnë më pas. Kjo është një festë e gjithë shqiptarëve”, u shpreh Topalli.

Vizitë në grevën e minatorëve
Kreu i Lëvizjes “G99”, Erion Veliaj, ka zgjedhur minatorët grevistë për të bërë urimin për festën e Bajramit të Madh. Veliaj nuk ka preferuar të vizitojë komunitetin mysliman apo ndonjë xhami të kryeqytetit, por ka uruar besimtarët myslimane nga godina, ku prej 5 ditësh 13 minatorë ndodhen në grevë urie në kërkim të të drejtave të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›