Austriakët, një dramë shqipe për kufijtë
Ndërkohë që në rrethet letrare dhe teatrore tonat vazhdon të flitet për një krizë të dramës shqipe, nxitja për të shkruar vjen nga shteti austriak. Dje është prezantuar zyrtarisht konkursi për krijuesit shqiptarë "Të flasim mbi kufijtë". Kufijtë, jo vetëm në kuptimin fizik të tyre, por edhe si një simbol i ndryshimeve dhe zhvillimeve në vendet evropiane, janë tema e përzgjedhur. "Kemi menduar se kjo është një temë që na prek të gjithëve. Këto janë kohë ndryshimesh e në raste të tilla kufijtë fizikë, por edhe kulturorë bëhen gjithnjë e më të padukshëm. Nga ana tjetër janë interesante reagimet njerëzore në situata të tilla. Nuk do të jetë thjesht një vepër artistike, por një dokumentim historik i kësaj kohe. Ky projekt do t‘i lejojë autorët shqiptarë të krijojnë diçka të bukur e të çojnë një zë shqiptar në të gjithë hapësirën gjermanishtfolëse", theksoi regjisori austriak, Kristian Papke, ndërmjetësuesi i projektit. Papke, për të parën herë po bashkëpunon me Teatrin Kombëtar, për të ngjitur në datën 20 qershor shfaqjen "Forca e zakonit", të austriakut Tomas Bernard. Në konferencën për shtyp, ku ishin të pranishëm përfaqësues të ambasadës austriake, Ministrisë sonë të Kulturës dhe drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, Papke bërë të ditur edhe kushtet e konkurrimit. Sipas tij, vepra duhet t‘i përmbahet temës së përcaktuar, të mos jetë vënë më parë në skenë dhe duhet të jetë e parashikuar për pesë aktorë. Ky numër nuk vlen për karakteret që mund të ketë vepra. Drama duhet të shkruhet në gjuhën shqipe dhe përveç tekstit origjinal, duhet të dorëzohet edhe një version i tij në anglisht në mënyrë që anëtarët e jurisë ndërkombëtare të krijojnë një ide të qartë për përmbajtjen e tekstit. Krijimet duhet të dorëzohen deri më datën 20 dhjetor në adresën "P.E.N.- Club Austria, Bankgasse 8, 1010 Ëien, Austria" ose përmes internetit në info@penclub.at. "Do të jetë kjo juri që pasi t‘i lexojë dramat pa emrin e autorit sipër, do të mblidhet për të përzgjedhur fituesin, i cili do të shpallet në fund të muajit shkurt. Çmimi i parë shpërblehet me 3500 euro, ndërkohë që teksti do të përkthehet në gjermanisht e do të botohet me një tirazh prej 11 mijë kopjesh. Dhjetë mijë do të dhurohen për lexuesit gjermanishtfolës, ndërsa njëmijë kopje do të shpërndahen në teatro të ndryshme", ka shpjeguar regjisori Papke. Përveç çmimit të parë, do të ndahen një çmim i dytë dhe një i tretë, që pritet të mbështeten nga Ministria jonë e Kulturës. Tryeza shqiptare janë organizuar më parë për të debatuar mbi mungesën e dramës shqipe, jo vetëm në sasi por edhe në cilësinë e asaj që sot shkruhet. Ndonëse Teatri Kombëtar parashikoi një politikë që do të favorizonte ngjitjen në skenë të këtyre pjesëve shqiptare, kjo lëvizje vuri edhe një herë në pikëpyetje cilësinë e këtyre dramave të shkruara. Sipas Papke, do të shihet një mundësi që drama fituese të ngjitet në ndonjë teatër të hapësirës gjermane, ndërkohë që drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, theksoi se më vonë mund të ngjitet në Tiranë. "Ky nuk është thjesht një konkurs, por një njohje e dramaturgjisë sonë. Mendoj se gjykimi i krijimeve do të jetë në stade të larta dhe është e natyrshme që më pas kjo pjesë të ngjitet edhe në Teatrin Kombëtar". Ky konkurs organizohet çdo vit prej 2005-s për vende të rajonit të Evropës Juglindore.