E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthimi i Whitney Houston

Shenjat për një rikthim në skenë ishin dhënë që disa muaj më parë, me rastin e festës së përvitshme të organizuar në Beverli Hills, në nder të producentit Clive Davis. Prezencës, ashtu si performancës së saj, i ishte kushtuar shumë rëndësi dhe i ishte bërë një jehonë e madhe. Por vetëm kur u ngjit në skenë, e veshur me një fustan të ngushtë e të zi me dekolte të madhe dhe kur filloi të këndojë të famshmen "I will always love you", Whitney Houston tregoi se jo vetëm që ishte rikthyer, por ishte në formë të përkryer. Për më tepër që kishte rigjetur zërin e saj legjendar. Një performancë e shkurtër për pak kohë, por po të gjykosh nga komentet e atyre që e panë në internet, imazhet e "vjedhura" ishin një triumf. "Los Angeles Times" ka treguar se ishte mes artistëve të fundit që u ngjit në skenë, por kur nisi të këndojë, të gjithë, pikërisht të gjithë, ndaluan për ta dëgjuar. Kaq u mjaftoi fansave që të nisnin të shpresonin për një rikthim të saj. Dhe në të vërtetë nuk e kishin gabim. Tani kanë të drejtë të ëndërrojnë, sepse data e saktë e rikthimit në skenë të divës me ngjyrë ka nisur të qarkullojë gjithandej: sajti zyrtar i artistes ka nisur numërimin mbrapsht dhe albumi i ri i Whitney Houston do të publikohet në të gjithë botën më 1 shtator nën etiketën e "Arista Records". Burime të tjera deklarojnë se disku do të dalë më 28 gusht. Gjithsesi bëhet fjalë për një kthim që pritej prej shumë vitesh e që shënon fundin e një periudhe të errët dhe shkatërruese për artisten 45-vjeçare që ka shitur më shumë se 170 milionë kopje albumesh. Ky i riu, thuhet në një njoftim të shkurtër në faqen e saj të internetit, është albumi i saj i shtatë, shumë larg nga viti 1985 kur doli në treg albumi i saj i parë nën emrin "Whitney Houston". Një karrierë e ndritur, e karakterizuar nga një talent i rrallë, por e "goditur" nga një fat i trishtuar. Publikimet e fundit u takojnë disa viteve më parë me "Just Whitney" (2002) dhe albumit të Krishtlindjeve "One wish: the holiday album", në vitin 2003. Më pas një përmbledhje "Greatest hits" në 2007-ën dhe pastaj asgjë. Fatkeqësia e Whitney Houston-it ishte takimi me Bobby Brown. Njeriu me të cilin u takua në vitin 1992 dhe që solli në jetë një fëmijë, Bobby Kristina, e cila lindi më 2003-in, por që u divorcua në vitin 2006 pas shumë vitesh abuzimi me drogën e alkoolin dhe frekuentimi të shpeshtë të klinikave të dezintoksikimit. Gjendja e saj mbërriti në atë pikë sa ishin të shumtë ata që mendonin për një vdekje nga overdoza. Një periudhë e zezë e konfirmuar në të njëjtin vit nga disa foto të publikuara nëpër revista dhe tabloidë që e nxirrnin në kushte të mjerueshme dhe në një gjendje të vërtetë konfuzioni. Pak vite më parë, frika se zëri që vite më parë kishte magjepsur miliona fansa në të gjithë botën nuk do të dëgjohej më, i pushtoi të gjithë. Por performanca e fundit largoi çdo dyshim: Whitney jo vetëm që u rikthye, por është ajo e dikurshmja. "Ia dola mbanë", ulëriti Houston pasi doli në skenë, duke elektrizuar publikun. "Nuk kam menduar asnjëherë se kam qenë e droguar, por thjesht kisha një ves të keq që duhej ndërprerë. Tani ia kam dalë që të ngjitem sërish në krye", deklaroi pak javë më parë në një emision televiziv këngëtarja e famshme.

Problemet

Ndërsa në vitet ‘80 dhe fillimet e ‘90-ës Houston ishte vajza e mirë që shkonte në kishë dhe kujdesej për veten e familjen, në fund të viteve ‘90 ndryshoi krejtësisht mënyra e saj e sjelljes: vinte me orë të tëra vonesë nëpër intervista dhe anulonte në momentin e fundit koncerte e shfaqje nëpër televizione. Si pasojë e faktit që shumë koncerte të saj po anuloheshin dhe faktit se këngëtarja kishte shtuar shumë në peshë, nisën të qarkullonin zëra për një abuzim me drogën që Whitney mund të kishte përdorur së bashku me bashkëshortin. Në vitin 2000, shërbimi i sigurisë në aeroportin e Hauait, gjeti marijuanë si në bagazhet e Whitney-t ashtu edhe në ato të bashkëshortit të saj, por çifti arriti t‘i shpëtojë për mrekulli arrestimit. Po në vitin 2000, Whitney duhej të performonte në skenë me Clive Davis, në një mbrëmje për hyrjen në "Rock & Roll Hall of Fame", të njeriut që e kishte bërë të njohur si këngëtare, por artistja e anuloi këtë eveniment vetëm 10 minuta para fillimit të spektaklit.

Në të njëjtin vit duhej të këndonte edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve "Oskar", por edhe aty mungoi. Menaxheri i saj u justifikua se këngëtarja kishte probleme me fytin, ndërsa një tjetër koleg i saj deklaroi se "Houston nuk ishte në gjendje të këndonte. Ishte e shpërqendruar dhe për më tepër e papërgjegjshme në ato që bënte". Një vit më vonë, ajo u shfaq në një show për 30-vjetorin e Michael Jackon-it, duke i lënë njerëzit me gojë hapur për dobësinë e saj. Pikërisht kjo performancë krijoi dyshime të forta për përdorimin e drogës, anoreksisë dhe bulimisë, por agjenti i saj e mbronte sërish me forcë: "Whitney është në gjendje stresi për shkak të motiveve familjare dhe në këtë gjendje të gjithë njerëzit dobësohen". Në një shfaqje televizive, pyetjes së moderatores për përdorimin e drogës ajo iu përgjigj: "Unë fitoj shumë pak për të marrë drogë. Gjithçka lidhet me arsye personale. Nuk kam përdorur kurrë substanca të tilla". Muaj më vonë ajo do e pranonte publikisht se kishte probleme të theksuara me përdorimin e drogës. Në vitin 2004, Whitney hyri në një program rehabilitimi ndaj drogës, por nuk pati sukses, gjë që e përsëriti edhe në vitin 2005, kur hyri në të njëjtën klinikë rehabilitimi, prej nga ku doli e "pastër". Më pas erdhi edhe ndarja me bashkëshortin dhe beteja ligjore për të marrë kujdestarinë e vajzës. Edhe pse qarkullojnë zëra për përdorim ende të drogës nga ana e saj, shtëpia diskografike këmbëngul se është e kundërta. Shpresojmë të jetë e vërtetë, pasi nëse nuk do të dëgjonim potencën e zërit nga goja e kësaj artisteje, do të mbeteshim të gjithë të zhgënjyer.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›